Debat në UT: Arsimi shqip me sfida edhe më të mëdha

Sot në Universitetin e Tetovës është përmbyllur “Java e veçantë studimore” me  debatin shkencor, me temë: “Shkolla dhe arsimi në shekullin 21” në të cili u përfundua se “aspektet e brendshme dhe të jashtme të shkollës ecin ngadalë, ndërsa bota e qytetëruar nuk njeh vendnumërim në vrapin pas diturive, shkollës dhe arsimit”, ku njofton Portalb.mk.

“Qëllimet që i theksuam më lartë padyshim kërkojnë në vazhdimësi, që puna të jetë punë, vlera të jetë vlerë, ndërsa kompetenca të jetë kompetencë, aq më shumë kur kemi parasysh se shkolla e sotme ballafaqohet me sfida të shumta. Aspektet e brendshme dhe të jashtme të shkollës ecin ngadalë, ndërsa bota e qytetëruar nuk njeh vendnumërim në vrapin pas diturive, shkollës dhe arsimit”, tha Fadbi Osmani.

Përfaqësuesi i Shoqatës “Arsimi” nga Zvicra, Mahir Mustafa u shpreh i kënaqur se aktiviteti i lartpërmendur përmbyllet me këtë debat i cili i trajton çështjet arsimore, sfidat e shkollës shqipe që nga hapja e saj e deri më sot.

Ndërsa profesori Arsim Bajrami bëri të ditur se “arsimi ynë sot përballet me tri sfida shumë serioze: si të sigurojmë respekt për mësuesit; si të sigurojmë mësues me autoritet dhe si ta stimulojmë mësuesin në punën e tij”, vlerësoi Arsim Bajrami.

Por profesori Fatmir Sulejmani vuri në shqyrtim kohën e digjitalizuar e cila të rinjve po ju kushton shumë, ngaqë këta të fundit bëjnë tentativë të madhe për të ndryshuar modelet e tyre jetësore varësisht asaj.

“Natyrisht, kjo kohë e humbur në kërkim të modeleve më të përshtatshme dhe më bashkëkohore të mësimdhënies dhe të përgatitjes së kuadrove të aftë për jetën dinamike të së sotmes ka lënë pasoja të dukshme, sepse shumëçka nuk është në përputhshmëri me nevojat e nxënësve të shekullit XXI – fëmijëve të epokës digjitale, në të cilën gjërat vjetrohen sa çel e mbyll sytë. Kjo është e kushtueshme për breza të tërë të rinjsh, që vazhdojnë të jenë peng i vorbullave të krijuara prej njerëzve dhe institucioneve më të thirrura për të ndryshuar gjendjen, për të përgatitur terrenin e nevojshëm për kalim më të lehtë nëpër kapërcellin e ndërrimit të sistemeve, që në mënyrën më të drejtpërdrejtë përndjehet në sferën e arsimit”, theksoi Fatmir Sulejmani

Në këtë debat të pranishëm ishin ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës, Arsim Bajrami. Në këtë takim, përveç ministrit Bajrami, të ftuar kanë qenë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Pishtar Luftiu dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.

Debati me temë ,,Shkolla dhe arsimi në shekullin 21” u organizua në kuadër të aktivitetit ,,Java e veçantë studimore”, e cila u organizua nga Fakulteti Filozofik i universiteti tonë dhe Shoqata ,,Arsimi” nga Zvicra, në vigjilje të festës së 7 Marsit, e njohur ndër ne shqiptarët si Dita e Mësuesit, apo Dita e arsimit dhe shkollës shqipe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button