Përdorimi i termit “sorosoidë” është diskriminim

Termi “sorosoidë” qartazi përdoret për të etiketuar, diskredituar dhe nënçmuar një grup të caktuar njerëzish.

Shkruan: Prof. dr. Mirjana Najçevska, еksperte për të drejtat e njeriut

Në disa medie kohët e fundit u bë i zakonshëm përdorimi i termit “sorosoidë”. Ky term përdoret në kontekst të ndryshëm, mirëpo gjithmonë me domethënie negative.

“Çuditem se si nuk ka ndonjë njeri trim në këtë Maqedoninë tonë që t’i fusë atje ku e kanë vendin zaevët, dhe sorosoidët, po edhe të huajt sikurse Nulandi, Hani, Bejli, Vajgeli, Hoviti dhe të gjithë anonimët e tjerë evropianë që duan të na bëjnë koloni të ardhshme”. (Ballkani – koloni e perëndimit)

Rritja e përdorimit të termit mund të lidhet qartazi me eskalimin e krizës politike në Republikën e Maqedonisë. Termi “sorosoidë” gradualisht depërton në publik pa u trajtuar, apo analizuar në mënyrë adekuate, edhe pse bëhet fjalë për paradoks përmbajtësor. Në fakt, Xhorxh Sorosi, sipas disa pikëpamjeve ekstreme, është njëri nga “antikomunistët” më të eksponuar. Kuptohet, përveç në Maqedoni, ku është mbështetës kryesor i “komunistëve” (shprehje e cila, poashtu, shpeshherë përdoret në funksion të stigmatizimit të njerëzve të caktuar).

Shumë rrallë në medie të caktuara tentohet që ky term dhe koncept me përmbajtje të pasqaruar “sorosoidë” – të potencohet si problematik apo si një lloj spini i pushtetit dhe i qendrave të tij propaganduese.

“Е për organizatat joqeveritare, ato në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – që nuk janë të kontrolluara nga qeveria, e që kanë qëndrim kritik ndaj politikave të qeverisë, puna është shumë e thjeshtë. Pa u menduar fare, do t’ia futni se janë sorosoidë. Domethënë, shkruaj se i financon Sorosi, e sikur edhe të mos jetë ashtu, s’ka gajle. Në fakt, Sorosi, së bashku me Cërvenkovskin është gogoli kryesor – njëri i vendit, tjetri ndërkombëtar”. (Таktika për ta bërë popullin budalla!?)

Edhe më rrallë, hapet debat për këtë sulm të orkestruar mediatik.

Termi “sorosoidë” qartazi përdoret për të etiketuar, diskredituar dhe nënçmuar një grup të caktuar njerëzish. Në këtë rast aspak nuk është me rëndësi se këta njerëz a i takojnë apo a i kanë takuar Fondacioni “Shoqëri e hapur” – Maqedoni (e cila në media quhet fondacioni i Sorosit), e janë eventualisht të lidhur apo a kanë qenë të lidhur me projekte që i mbështet ky fondacion apo asnjëherë nuk kanë pasur asnjë lidhje me këtë fondacion. Është me rëndësi se termi përdoret për të stigmatizuar një grup të caktuar njerëzish dhe të gjithë ata të cilët media, apo publiku, i fut (për arsye nga më të ndryshmet) në këtë grup të njerëzve.

Sipas definicionit, stigma është karakteristikë e padëshiruar apo diskredituese, që i shoqërohet një personi apo grupi që ka për qëllim ulje të statusit të këtij personi apo grupi para syve të bashkësisë. Stigma është burim i diskriminimit e veçanërisht i llojit të veçantë të diskriminimit të quajtur shqetësim (“… paraqet cenim të dinjitetit të një personi apo grupi të njerëzve që del nga baza diskriminuese dhe që ka për qëllim apo rezultat cenim të dinjitetit të një personi apo krijim të mjedisit, qasjes apo praktikës kërcënuese, armiqësore, ofenduese ose frikësuese”).

„Премиерот Никола Груевски се сретна со Џорџ Сорос, претседавач на Фондациите отворено општество“. Фото: Влада на РМ.
“Kryeministri Nikolla Gruevski u takua me Xhorxh Sorosin, kryetarin e Fondacioneve “Shoqëri e hapur”. Foto: Qeveria e RM-së.

Mungesa e sqarimit se çka nënkuptohet me termin “sorosoidë” edhe më tepër e ndërlikon punën për shkak se ofron mundësi që stigma të zgjerohet te një numër i madh i njerëzve.

Në këtë mënyrë, çdokush që do të etiketohet si “sorosoid”, humb çdo lloj kredibiliteti dhe qëndrimet dhe mendimet e tij thjesht nuk kanë asnjë vlerë. Aq më tepër, haptazi ndalohet shprehja e qëndrimeve dhe mendimeve të caktuara ose krijohet atmosferë në të cilën ato assesi nuk mund të shprehen.

Njëkohësisht, njerëzit që i nënshtrohen këtij lloji të shqetësimit, thjesht tërhiqen nga veprimi publik për shkak se mjedisi në të cilin jetojnë bëhet “kërcënues, armiqësor, ofendues ose frikësues”.

Diskriminimi strukturor ushqehet pikërisht nga stigmatizimi. Në fakt, në bazën e këtij lloji të diskriminimit është futur floskula se sjellja e pranuar shoqërore nuk mund të jetë e gabuar. Kjo do të thotë se në qoftë se shumë njerëz e përdorin termin “sorosoidë”, kjo nuk mund të jetë as e gabuar, e as e dënueshme. Ose, populli nuk gabon.

Në këtë rast, problemi i raportimit mediatik është i dyanshëm. Nga njëra anë janë mediat që e përhapin stigmën dhe krijojnë kushte, madje edhe haptazi bëjnë thirrje për diskriminim. Nga ana tjetër janë mediat që heshtin dhe të cilat nuk e analizojnë problemin, nuk e sqarojnë diskriminimin dhe nuk kërkojnë që të reagojnë institucionet kompetente.

 


Kjo analizë është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Analiza është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button