Post festum

Është e vështirë të mos ndikohesh fare nga patetizmi dhe histeria e retorikës shoviniste dhe mesjetare që dëgjohet në fjalët e shqiptuara nga demonstruesit që këto ditë paturpësisht demonstrojnë kundër të drejtës më esenciale të një njeriu, atë të përdorimit të gjuhës së tij amtare, edhe pse një gjë të tille Kushtetuta dhe ligjet e Maqedonisë moti e ka rregulluar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Dëgjohen skandime fashiste për një “Maqedoni të pastër” ku “Shqiptarët e mallkuar” duhet të dinë disa gjëra. Poashtu, persona kishtarë flasin për rendësinë e regjistrimit të popullatës dhe thonë që ata që kërkojnë më shumë të drejta mund t’i humbasin edhe këto që i kanë sepse nuk qenkan as 20% e as më pak; si duket kanë përjetuar ndonjë shpallje hyjnore që i ka bërë t’i shohin rezultatet e censusit para se i njëjti të realizohet. Gjithnjë sipas të njejtëve përfaqësues kishtarë, ne të gjithë duheshka të jemi shumë të qetë sepse Zoti e paska zgjedhur Ivanovin të jetë presidenti yni, sepse ai e di më së miri se ç’do të ndodhë dhe se ç’duhet bërë në rast të një krize si kjo që po e përjetojmë! Kjo po që është kulmi i ironisë.

Ivanov nga ana tjetër, u shkruan letra shteteve të huaja për të kërkuar që publikisht ta rrefuzojnë Kërkesën e përbashkët të partive shqiptare, të cilën ai tani, pas dështimit të Gruevskit të fromojë qeveri edhe pas pranimit të së njejtës, papritur filloi ta quajë Platforma Tiranase. Në njërën anë e quan këtë Kërkesë ndërhyrje të shteteve të huaja në punët e brendshme të Maqedonisë, bile akuzon se e njëjta e cënon integritetin territorial dhe pavarësinë e Maqedonisë, ndërsa në anën tjetër kërkon që shtetet tjera të ndërhyjnë në punët e brendshme të Maqedonisë dhe të anatemojnë një dokument politik në bazë të të cilit duhet të negociohet qeveria e ardhshme. Është vëretetë patetike që një shef i shtetit të sillet në këtë mënyrë, të thejë hapur Kushtetutën dhe për këtë veprim të kërkojë përkrahje ndërkombëtare, si dhe të stimulojë trazira dhe përçarje në shoqëri. Dhe përse bëhet e gjithë kjo? Për të mbuluar paturpësisht kriminalitetin e rëndë të partive politike që mundësuan që Ivanov të jetë president për dy mandate, dhe të veprojë aty ku duhet, kur duhet dhe si u konvenon atyre.

Dhe derisa në shtetin tonë po luhet me zjarrin e ngjalljes së konflikteve ndëretnike, gjë që si ç’theksoi Federica Mogherini është shumë e rrezikshme për nënqiellin Ballkanik, nga NATO, organizata ku ne si shqiptarë e kemi prioritet anëtarësimin, për një kohë të shkurtër erdhën dy mesazhe me rendësi.

Para vetëm disa ditësh, Sekretari general i NATO-s Jens Stoltenberg tha që Ivanov, pa kushtëzime të mëtejshme dhe duke respektuar Kushtetutën e vendit, duhet t’ia jape mandatin Zaevit për shkak se i njejti ka dëshmuar që ka shumicën në parlament. Për më tej, Ndihmës-sekretari gjereral i NATO-s, Alejandro Alvargonzales, i intervistuar në emisionin 360 shkallë tregoi në mënyrë të qartë që secili shtet që synon të anëtarësohet në NATO, duhet të ndërmarë dy hapa të rendësishëm: hapi i parë është respektimi i proceseve demokratike, dhe hapi i dytë është respektimi i sundimit të së drejtës. Sa i përket Maqedonisë, Alvargonzales theksoi që ka edhe një hap plotësues që lidhet me dy hapat e parë e ky është respektimi i Marrëveshjeve të Përzhinës.

Nuk di nëse mund të sqarohet më qartë se kaq rruga që duhet të ndjekim për t’u anëtarësuar në NATO. Politikanët tanë, në veçanti BDI, në të gjitha fushatat para-zgjedhore janë zotuar se do angazhohen maksimalisht që vendi të anëtarësohet në NATO. Si që e dimë, nuk mjaftojnë vetëm fjalë, por duhen edhe vepra në këtë proces. Dhe pikërisht NATO në mënyrë shumë të qartë na bën të ditur se cilat vepra priten prej nesh. Prandaj nuk ka arsyetime që do ta shtyenin vendosjen e shtetit të së drejtës dhe bartjen e përgjegjësisë për vepra penale pa marrë parasyshë se kush i ka kryer ato.

Dhe kështu, derisa politikanët tanë mendohen thellë lidhur me hapat që duhet t’i ndërmarin për daljen nga kriza, edhe kur gjërat janë shumë të qarta dhe tërësisht të kuptueshme, koha shkon, ditët rrejdhin dhe ato që rriten janë tensionet ndëretnike. Kështu, për ditën e festës së 7 Marsit, që shënon ditën e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe, në realitetin kur protestohet për atë që protestuesit e quajnë “Maqedoni e përbashkët”, por në të njejtën kohë skandojnë për “Maqedoni të pastër” në ndërtesën ku është mbajur Kongresi i Manastirit hidhet koktel molotovi dhe kryhen vandalizma të tjera. Rasti mbetet i denoncuar por vështirë se do të zbardhet gjer në fund, pasi që nuk është as rasti i parë dhe as i fundit i kësaj natyre. Përgjegjësia mungon, ndërsa bëhet fjalë për një nga shumë krimet e urrejtjes që ndodhin çdo ditë në Maqedoni dhe asnjëherë nuk dënohen si të tilla. Ndërsa fakti që ndërtesa e Kongresit të Manastirit është në shkatërrim dhe assesi të rinovohet për gjithë këto vite të kaluara, si dhe fakti që gjendja në arsimin në gjuhën shqipe në këtë shtet është e mjerueshme, megjithëse me këtë resor për gjatë kohë udhëheqin shqiptarët, flet shumë për atë se çfarë thuhet, çfarë premtohet dhe çfrë realizohet në politikën e këtij vendi.

Shpresoj që anëtarësimi në NATO të mos e ketë fatin e njëjtë si edhe ndërtesa e Kongresit të Manastirit dhe shkollat shqipe në Maqedoni. Shpresoj që partitë shqiptare do të shfrytëzojnë fuqinë e tyre vendimtare që e kanë si rezultat i zgjedhjeve të fundit për të plotësuar hapat për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo gjë, kësaj rradhe, varet prej tyre më shumë se asnjëherë më parë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button