Fatime Fetai: U martova 17 vjeçare, isha nuse me “dimija” në Bogovinë (Video)

Kudo në botë për një femër është mjaft e vështirë të çaj rrugën drejtë suksesit profesional por në një mjedis shoqëror si i joni koncepti i vështir merr tjera dimensione. Edhe pse në shekullin 21 në realitetin tonë shoqëror ende është shqetësues perceptimi i rolit të femrës në shoqëri. Megjithëse e vështirë asgjë nuk është e pamundur nëse ke vullnet, ambicie dhe nuk lodhesh së punuari për t’i arrit qëllimet tua. Shembull ideal për këtë është historia e një femre që me mendjemprehtësinë dhe karakterin e saj të forte ka ndryshuar figurën e femrës në shoqërinë tonë, e veçanërisht të asaj shqiptare. Fatime Fetai, prokurore speciale, kohëve të fundit është kthyer në idhull të shumë femrave dhe jo vetëm, falë arritjeve të mëdha në karrierën e saj, por Fatimja nuk lindi prokurore dhe me sukses të garantuar. Për të arritur këtu ku është sot asaj iu deshën të kaloj një sërë sfidash e peripecish. Fatime Fetai është nënë e dy fëmijëve, ajo ka lindur dhe është rritur në fshatin Negotin të Gostivarit, në një familje të klasës punëtore. Ajo është martuar në moshë shumë të re, 17 vjeçare. Por kjo nuk e luhati besimin e saj, sepse kishte besim në vete se ka potencial për të qenë e pavarur si në aspektin profesional edhe në atë personal, transmeton Alsat M.

“Periudhën e shkollës së mesme e kalova në fshatin Bogovinë në Tetovë, ku edhe u dashurova me një sykaltër. U martova në moshën 17 vjeçare, martes e cila ende është gjallë faktike dhe legale, edhe ngjyra e syve vazhdon të jetë e njëjte”, thotë Fatime Fetai.

E vetëdijshme për sfidat me të cilat duhet të ballafaqohet por përtej këtij fakti qëndronte vetëbesimi se kurrë nuk do dorëzohej pavarësisht çmimit që do duhej ta paguante për t’i realizuar ëndrrat e saja.

“Në mjedisin ku unë u bëra nuse jeta ime martesore filloi me veshjen e teshave tradicionale, ose si i thonë nga ne “dimijave”. Me seriozitet e fillova jetën e amvises. Një grua të suksesshme me një familje e cila do i qëndronte mbrapa, e kisha ideal parësor. Vendosa që unë ta udhëheq jetën dhe jo jeta mua. Në fakt doja t’i dëshmoja fillimisht vetvetes dhe më pas edhe të tjerëve se një femër madje edhe në një mjedis të atillë konservativ, ku paramendoni në atë periudhë edhe vozitja e makinës nga ana e femrës apo mbajtja e syzeve për diell llogaritej si ndonjë mëkat apo gabim. Gruaja madje edhe në një mjedis të tillë kur ka dëshirë të pastër, mendim të qartë, përveç qiellit nuk ekziston kufi tjetër që do të kish mund ta pengoj që të arrij sukses në qëllimin e saj”.

Fatimja flet edhe për studimet, ku me modesti lë hapësirë të kuptohet se i ka mbaruar më herët se sa afati i paraparë për to. Megjithatë nuk kanë munguar as sakrificat sepse aso kohe ajo veç ishte bërë nënë. Ajo regjistroi fakultetin e drejtësisë në Shkup si studente me korrespodencë. Pasi përfundon dy vitet e para të studimeve vjen në jetë fëmija saj i parë. Pa hyrë shumë në detaje Fatime Fetai tregon se sa e vështirë është t’i përballosh gjithë këto në të njëjtën kohë.

“U regjistrova në fakultetin juridik në Shkup, si student me korrespodencë, pas mbarimit të dy viteve të para të studimeve lindi Drini, djali imë i madh… Nuk do t’ju lodh me atë pjesë të jetës sime, por do të them se ishte vërtet e mundimshme që të merrem njëkohësisht edhe me obligimet e shtëpisë edhe më fëmijën e vogël edhe me përgatitjen e provimeve. Megjithatë kisha mbështetje të madhe nga nëna e bashkëshortit tim…Megjithatë shumë shpesh ndodhte që gjatë natës të mësoj me dritën televizorit që të mos i zgjoja bashkëshortin dhe djalin. Pas mbarimit të fakultetit juridik, i cili njësoj sikur edhe arsimi fillor zgjati shumë më shkurt se koha e paraparë për studime, kamë punuar në bazë vullnetare në Gjykatën Themelore në Tetovë, kamë dhënë provimin e jurisprudencës dhe atëherë më adrenalinë, kreativiteti për drejtësi e bën të veten”, shprehet Fatimja, duke shpalosur hapat e saj të mëtutjeshëm.

Pasi kryen studimet fillon të punojë si vullnetare në Gjykatën Themelore në Tetovë. Në moshën 26 vjeçare Fetai u përzgjodh të jetë pjesë e Prokurorisë Publike në Shkup, ajo përzgjedhjen në këtë institucion e quan fat të madh pasi pikërisht nga këtu vazhdoi rrugën e saj drejt Prokurorisë Speciale Publike. Tani ajo është një ndër personazhet kryesore në institucionin që mbron fuqishëm drejtësinë në vend.

“U punësova si bashkëpunëtore në Gjykatën e apelit në Gostivar dhe në atë periudhë fillova të marrë frymë lirshëm dhe ëndërroja ditën kur do të bëhesha gjykatës apo prokurorë publik.Në moshën 26 vjeçare më zgjodhën për prokuror publik në Prokurorinë themelore – Shkup. Shikuar nga aspekti i sotëm, vërtet kam pas fat që u zgjodha në atë funksion sepse më vonë si përzgjedhje e një gruaje të fortë, gruaje të guximshme, e nderuara Katica Janeva , marrë pjesë në luftën më të madhe juridike të cilën deri më tani e ka pasur ky shtet. Në këtë luftë hyra me një foshnje katër muajsh, djali imë i vogël Leo, këtë moment nuk e përmendi rastësisht, në fakt asgjë nuk i lë rastit, por që të shërbej si inkurajim për të gjitha ata gra të cilat lindjen e fëmijëve e shohin si pengesë për përparim në karrierën të cilën e kanë paramenduar”, tha Fetai.
Për të ecur përpara, nisur nga përvoja e saj, Fatimja apelon deri tek të gjitha femrat që të mos përkulën para pengesave dhe vështirësive por t’i marrin ato thjeshtë si sfida dhe të përballen me to. Fetai, rrëfimin e saj e përmbyll me një mesazh shumë domethënës:

“Nuk duhet të bëjmë përpjekje të jemi më të mirë se të tjerët, por gjithmonë duhet bërë përpjekje që të jemi versioni më i mirë i vetvetes.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button