Edhe gazetari, njëjtë si zëdhënës partiak, bën propagandë!

[Recension: Edhe Agim Vinca, njëjtë si BESA, kërkon Ridefinimin e shtetit]

Artikulli është një tekst tipik i cili dëshmon se si funksionon propaganda përmes mediave. Si model, propaganda shfrytëzon shumë burime, qoftë edhe jo relevante, me qëllimin e vetëm që opinionit t’i imponojë mendime dhe vlerësime, të cilat, më pas shndërrohen në ndonjë lloj veprimi. Teksti në fjalë shfrytëzon një mendim të një publicisti, i cili në fakt ka dhënë një mendim për zhvillimet në Maqedoni, por duke mos konkretizuar një subjekt ose duke mbështetur ndonjë platformë. Bazuar në këto qëndrime, e gjithsesi duke pasur parasysh rolin propagandues, mediumi në fjalë si duket ka shkëputur atë pjesë të mendimit të publicistit, që i konvenon “për të çuar ujin për vade”.

Profesori, shkrimtari, publicisti dhe intelektuali Agim Vinca ka thënë se që të ekzistojë dhe prosperojë si shtet në një periudhë afatgjatë, Republika e Maqedonisë duhet të ridefinohet, duke u përkufizuar me Kushtetutë si shtet i dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve etnikë, si dhe i të tjerëve që jetojnë në të.

Ndonëse citati është shkëputur nga një medium tjetër, kjo nuk është theksuar në tekst. Aty thjeshtë është parafrazuar citati, ndërsa në fund të tij, nuk i është referuar asnjë burimi. E është fakt se deklarata është shkëputur nga një e përditshme nga Kosova dhe kjo vërehet që në fotografinë e bashkëngjitur me këtë tekst.  Mosatribuimi i mediumit që ka dhënë burimisht këtë deklaratë e bën këtë tekst edhe plagjiat.

“Është e çuditshme, madje, që liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni shumë herë janë treguar më të zellshëm sesa kolegët e tyre maqedonas në mbrojtje të Maqedonisë si shtet, duke u bërë kështu “gardianë” besnikë të saj. Maqedonia, siç kam theksuar qysh para një çerek shekulli në librin tim Populli i pandalur (1992), është shtet shumetnik, shumëkulturor e shumëkonfesional dhe mund të ekzistojë vetëm si i tillë e jo si shtet unik, ku pala maqedonase dëshiron ta ruajë me fanatizëm pozitën e vet të privilegjuar e hegjemone. Ky është për mendimin tim një conditio sine qua non (kusht pa të cilin s’bën) për ekzistencën e Maqedonisë si shtet”, ka thënë Vinca.

Edhe Agim Vinca njëjtë si BESA screenshotLinku deri te artikulli origjinal: “Edhe Agim Vinca, njëjtë si BESA, kërkon Ridefinimin e shtetit
Data dhe koha e publikimit: 21.02.2017
Data e recensionit: 22.02.2017
Recensues: Adrian Kerimi

Propaganda vërehet në paragrafin e fundit. Teksti përfundon me një sfond, i cili nuk nevojitet në tekst. Theksimi i Lëvizjes Besa konfirmon qëllimin e autorit që të gjithë lajmit t’i japë konotacion të mbështetjes, të cilën gjoja e japin intelektualët jashtë vendit ndaj një subjekti politik.

Ndryshe, është Lëvizja BESA që një kohë të gjatë përmes Platformës së saj Ridefinimi, parasheh ndryshimin e madh të statusit shoqëroro – politik të shqiptarëve të Maqedonisë, dhe inisiston në realizim e kësaj platforme.

Përveç këtyre mungesave profesionale dhe elementit propagandistik në lajm, edhe titulli i lajmit është tendencioz dhe përmban grepin e njejtë subjektiv dhe komentues. Ka krahasuar një individ me një subjekt, duke shkelur kështu të drejtën e lexuesit që vetë të bëjë cilësimet dhe krahasimet. Roli i gazetarit, të mos harrojmë, nuk është kjo, por është thjeshtë t’i sigurojë publikut informacion që t’ia bëjë të mundshme të zgjedhë duke qenë mirë i informuar për gjërat që prekin interesin e tij.

 


Ky recension është përgatitur në kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button