Bojkoti, Basha: Fleckenstein nuk është këtu për të negociuar

Knut Fleckenstein është njohur nga Lulzim Basha me protestën e opozitës dhe pas takimit që ka patur me të, kreu i PD-së u shfaq i bindur për të vazhduar protestën dhe bojkotin, po aq sa ishte para takimit me eurodeputetin, transmeton Top Channel.

“Unë i komunikova zotit Fleckeinstein vendimin e opozitës se me këtë Parlament të padekriminalizuar, në këtë Parlament fasadë, opozita nuk ka vend, sa kohë që prioriteti jetik i shqiptarëve për zgjedhjet e lira dhe të ndershme është në rrezik”, deklaroi Basha.

Pyetjes se cili ishte reagimi i eurodeputetit për këtë qëndrim të ri të opozitës, Basha iu përgjigj duke thënë se zoti Fleckenstein nuk ndodhej në Shqipëri për të negociuar, por ishte në cilësinë e raporterit për vendin tonë.

Sa e dëmton kjo mungesë e opozitës në Parlament reformën në drejtësi? Për këtë Basha u kthye pas në kohë, në shtator dhe thotë se prioritet  është qeveria teknike që do të garantojë zgjedhje të lira.

“Reforma u pengua në momentin kur 7 ligjet, në kundërshtim me premtimin dhe angazhimin e marrë para partnerëve ndërkombëtarë, u kaluan duke përjashtuar opozitën. Kur e përjashton opozitën, çfarë i kërkon pastaj? Ne jemi përjashtuar që prej shtatorit, nga ky aspekt i reformës në drejtësi dhe sot 4 muaj para zgjedhjeve, prioriteti jetik i shqiptarëve, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkon që ky Parlament me opozitën brenda të marrë pikësëpari vendimin për një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh ai.

Kreu i opozitës u shpreh i vendosur kur tha se opozita do të rikthehet në Parlament vetëm “në momentin kur të gjithë faktorët politikë do të marrin përsipër përgjegjësinë para shqiptarëve, për t’u dhënë shqiptarëve një qeveri që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Basha ritheksoi se opozita nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë.

“Nuk do të lejojë zgjedhje me krim, korrupsion dhe drogë. Ky është një vendim i marrë dhe ne kësaj do t’i shkojmë deri në fund”, deklaroi ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button