Kot mësojmë në gjuhën shqipe!

Si shkas, Gjuha shqipe zyrtare?

Në çdo fillim të vitit të ri shkollor si çdo student tjetër edhe unë u desh që të nxjerr një vërtetim si student i rregullt në fakultetin përkatës për sigurim shëndetësor në institucionin shtetëror ku punonte prindi im, por vërtetimi i nxjerrë nga fakulteti im nuk u pranua sepse ishte në gjuhën shqipe, u desh edhe njëherë të kërkoj një vërtetim tjetër në gjuhën maqedone. Pra, vërtetimi në gjuhën shqipe ishte i pavlerë! Kot ishin lodhur referentët e kot unë humba kohë për një vërtetim.

Para një kohe aplikova për një punë në Shkup, kërkesën, natyrisht, e bëra në gjuhën maqedone, intervista e tëra u zhvillua në gjuhën maqedone…gjithçka maqedonisht edhe përfundimi maqedonisht…!

Në bisedë me kolegë dhe njerëz tjerë kuptova se, provimi për nëpunësit shtetëror mbahet në gjuhën maqedone, provimi për jurispondencë (edhe pas pesë viteve në fakultet me master) provimi mbahet vetëm në gjuhën maqedone edhe përkundër faktit që një kohë të gjatë ministrinë përkatëse ate të drejtësisë e kanë udhëheq kuadër shqiptarë, madje ka patur edhe profesor fakulteti.

Provimet shtetëror dhe për licenca të ndryshme që jep shteti mbahen në gjuhën maqedone.

Kështu, studentët e mjekësisë, respektivisht mjekët provimit shtetëror i nënshtrohen në gjuhën maqedone (edhe këtu ka patur ministra shqiptarë).

Për të marrë licencë për ndërtimtari arkitektur, për revizor, kontabilist dhe për shumë licenca tjera të lëmijve të ndryshme, provimeve duhet tu nënshtrohesh vetëm në gjuhën maqedonishte.

Pra, sistemi shtetëror gjithkund funksionon maqedonisht, atëherë shtrohet një pyetje naive: pse ne mësojmë në gjuhën shqipe, duke filluar nga klasa e parë e deri në përfundim të doktoraturave? Sikur ta kishim ditur se kështu është, ndoshta, për arsye praktike dhe pragmatike qysh në shkollën fillore do të përcaktoheshim që  të mësojmë në gjuhën maqedone, se edhe ashtu klasat maqedone (jo vetëm në shkollën time të fillores por edhe gjetiu) kanë mungesë të nxënësve.

Nga ana tjetër, me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen tjetër – serioze, përse janë bërë gjithë ato përpjekje vetëmohuese të të parëve tanë për arsimim në gjuhën amtare shqipe? Pse qenkan lodhur prindërit tanë që të kemi universitete në gjuhën shqipe?

Tani them se paskan pasur plotësisht të drejtë disa nxënës shqiptarë në Shkup në një shkollë të mesme që qenkan regjistruar në gjuhën maqedone (edhe pse ndoshta pa dëshirën e tyre), ata të paktën termet në gjuhën maqedone i mësojnë qysh në shkollë të mesme e jo si ne që pas përfundimit të fakultetit duhet që edhe njëherë të “kryejmë fakultet”, por tani në gjuhën maqedone- punë e dyfisht apo?!.

Gjuha shqipe vetëm punë e dyfishtë për nëpunësit shqiptarë?

Po referentët shqiptarë në universitetet tona që i shkruajnë këto vërtetime nga dy herë, a paguhen dyfish?!

Po nëpunësit shqiptarë në komunat shqiptare që vërtetimet dhe aktete tjera juridike që i përpilojnë në dy gjuhë a paguhen dyfish?

Mos vallë, gjuha shqipe shkruhet  sa për t’ia bërë qejfin vetes dhe kaq?

… Njëri tha se ja deputetët flasën në gjuhën shqipe, madje edhe ministrant kanë filluar të flasin shqip…epo, duhet të bëhemi të gjithë deputet ose ministra!

…Tjetri shtoi se, provimit për lejen për vozitje mund ti nënshtrohesh edhe në gjuhën shqipe, por një i tretë tha se edhe në Zvicër provimi mbahet në gjuhën shqipe.

Pra, gjuhën shqipe ashtu siç e mësojmë ne në fakultet (përveç studentëve që janë përcaktuar për drejtime që të punojnë në arsim), mund ta përdorin vetëm ata persona që rastësisht mund të punojmë në Shqipëri ose Kosovë!?

Kur të merren gjithë këto parasysh atëherë i bie që ne kot mësojmë në gjuhën shqipe!

P.S.

Mbase më mirë kishte me qenë që të mësonim indian-isht.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Besoj se autori ne menyre shume te sakt e precize e konfirmoj realitetin ne lidhje me zbatimin e gjuhes shqipe ne artikullin e përgaditur nga ana e tij.
    Presim qe lideret tane duhet të marrin parasyshe mendimin e rinise, ngase me përralla e me gjëra te paqena nuk behet gjë,nuk ecet perpara.Ju lumte.Respekt per autorin e nderuar Kushtrim Jashari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button