Shkup, prezantohet mekanizmi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës

Konfederata e Sindikatave të Lira të Maqedonisë (KSLM), në Shkup promovoi mekanizmin për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës, në rrugë jashtëligjore me ndihmën e ndërmjetësuesve, gjegjësisht arbitrit, gjë e cila do të kontribuojë në krijimin e kushteve më efikase për zbatimin e Ligjit për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës, i cili hyri në fuqi në vitin 2015, raporton Anadolu Ageny (AA).

Qëllimi i promovimit të mekanizmave për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës është të informohet opinioni i gjerë se me mekanizmat e vendosur për tejkalim të suksesshëm të kontesteve kolektive ose individuale, krijohet një siguri më e madhe ligjore dhe procedura efikase të cilat janë në interes të të gjitha palëve të përfshira.

Nga KSLM thonë se në kuadër të projektit “Përmirësimi i dialogut social” të financuar nga Bashkimi Evropian, me mbështetje të plotë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, u mundësua përgatitja e trajnimit intensiv të ndërmjetësuesve dhe arbitrave ku u trajnuan 90 kandidat, ndërsa 50 prej tyre u shpërblyen me licencë zyrtare nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Kryetar i KSLM-së, Bllagoja Rallpovski, tha se procedura për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës është vullnetare, ndërsa palëve në kontest i ndihmon në mënyrë më të lehtë, më të shpejtë dhe financiarisht më të favorshme të arrijnë deri në kompromis, konkretisht deri në zgjidhje të një problemi të caktuar.

“Me miratimin e këtij Ligji është ngritur niveli i dialogut social në Maqedoni dhe këto ngjarje janë mundësi për promovimin e Ligjit që më lehtë t’i ushtrojnë të drejtat e tyre”, u shpreh Rallpovski.

Arbitri është person, pala e tretë e pavarur, i cili në bazë të fakteve dhe argumenteve të të dy anëve (punëdhënësit dhe punëtorit) miraton vendim detyrues, që ka të bëjë me lëndën si anulim të kontratës së punës ose pagesës së pagës.

Njëri nga këto arbitra të licencuar është edhe Filip Petrovski, i cili theksoi se kjo praktikë padyshim që do të ndihmojë kontestin e të dy palëve, por në të njëjtën kohë është edhe përfitim për palët, pasi që të gjitha harxhimet e justifikuara gjatë procesit do të mbulohen nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

“Ligji për zgjidhje të qetë të kontesteve të punës na detyron para se gjithash t’i pajtojmë të dy palët, punëdhënësin dhe të punësuarin, ndërsa më pas t’i dorëzohet Ministrisë. Pastaj palët vullnetarisht mund të zgjedhin se cili arbitër do të udhëheqë procedurën e mëtejshme. Ne, arbitrat, patjetër duhet ta trajtojmë në pajtim me Ligjin”, tha Petrovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button