Thaçi: Pa zgjidhjen e çështjesh së emrit dhe marrëdhënieve ndëretnike Maqedonia nuk ka perspektivë

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me shefen e Misionit të OSBE-së në vend, ambasadoren Nina Suomalainen. Në takim u diskutua për krizën politike në vend, si dhe për mënyrat e zgjidhjes së saj.

“Kryetari Thaçi e njoftoi Ambasadoren e OSBE-së me qëndrimet e PDSH-së rreth situatës politike në vend dhe formimit të qeverisë së re, si dhe për pikëpamjet e PDSH-së për zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, NATO dhe BE, duke theksuar se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është vazhdimi i dialogut të mirëfilltë politik me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, që kërkon një qasje të re dhe vullnet të fortë politik nga të gjitha palët”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Nga partia informojnë se Thaçi potencoi se problemet reale të Maqedonisë janë çështja e emrit dhe marrëdhëniet ndëretnike, gjegjësisht “të drejtat e shqiptarëve, andaj pa zgjidhjen e çështjesh së emrit dhe të marrëdhënieve ndëretnike vendi nuk ka perspektivë”.

“ Thaçi e siguroi Ambasadoren e OSBE-së se Partia Demokratike Shqiptare do të vazhdojë të kontribuojë dhe të jetë pjesë e proceseve demokratike dhe perspektivës euro-atlantike të vendit. Ambasadorja Suomalainen falënderoi Kryetarin Thaçi për takimin konstruktiv”, shtojnë nga PDSH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button