АNALIZË: Rriten shpenzimet qeveritare – mirëpo për çka?

Rriten shpenzimet qeveritare, mirëpo në mënyrë dramatike për kthimin e borxheve – kryegjësë dhe kamatave. Një pjesë e madhe e buxhetit apo rreth 20 për qind përfundon për transfere, më së shumti deri te fondet, e nuk është i vogël as zëri për rroga dhe kompensime, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Në letër – për pushtetin gjyqësor janë projektuar limite ligjore që duhet të miratohen dhe të jepen, mirëpo në praktikë, këto para nuk kanë shkuar te gjykatat. 

Si për çka është shpenzuar buxheti…

Madje 19,7% e buxhetit përfundon për transfere rrjedhëse deri te shfrytëzuesit jobuxhetorë – ku bëjnë pjesë edhe fondet, ndërsa 16,2% e shpenzimeve buxhetore përfundojnë për rroga dhe kompensime. Struktura e shpenzimit të parave buxhetore, të cilën e publikoi Enti shtetëror për statistikë tregon se për pagesën e kamatave përfundojnë 4,5%, ndërsa për benificione sociale 4,9% e buxhetit. Për shpenzime kapitale, të cilat konsiderohen kyçe në komponentën zhvillimore të buxhetit, në vitin 7,58%. I konsiderueshëm është edhe zëri për pagesën e kryegjësë, për të cilën janë shpenzuar 19,8% e parave të buxhetit.

Shpenzimet e përgjithshme buxhetore vetëm për një vit, apo në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014 janë rritur për 20,1%, me ç’rast rritje më të madhe prej 182% ka te shpenzimet për pagesën e kryegjësë, ndërsa te kamatat rritja ka qenë 26,9%. Nga ana tjetër, në periudhën e njëjtë të analizuar, shpenzimet kapitale janë zvogëluar për 3,0%.

Me këtë raport revizor është bërë edhe revizion i buxhetit themelor për vitin 2015, mirëpo është përfshirë edhe zbatimi i rekomandimeve të dhëna në Raportin përfundimtar të revizorit të autorizuar shtetëror për vitin 2014, njofton Portalb.mk.

Menaxhimi dhe ekzekutimi i buxhetit të vitit 2015, në pjesën e planifikimit dhe të ekzekutimit të shpenzimeve dhe të dalave të tjera dhe planifikimi dhe ekzekutimi i të hyrave, sipas revizorit, në pjesën më të madhe kanë qenë në përputhje me shumat e përcaktuara në kuadër të buxheteve të miratuara të shfrytëzuesve të veçantë buxhetorë, përveç në pjesën e transfereve deri te njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe të mjeteve në kuadër të buxhetit për pushtetin gjyqësor. 

Financimi i pushtetit gjyqësor…

Në letër – shuma të përcaktuara dhe të planifikuara për financimin e pushtetit gjyqësor, mirëpo në praktikë – pagesë buxhetore e shumave më të vogla se sa ato të përcaktuara me ligj. Këto janë një pjesë e konstatimeve të revizorit shtetëror që kanë të bëjnë me financimin e pushtetit gjyqësor.

“Me analizën e bërë të të dhënave që kanë të bëjnë me mjetet e miratuara për pushtetin gjyqësor, për periudhën 2012-2015, si dhe duke e pasur parasysh lartësinë e paraparë të miratimit të tyre, konstatuam se dinamika e përcaktuar e miratimit të mjeteve në kuadër të buxhetit për pushtetin gjyqësor, në periudhën e lartpërmendur nuk është arritur niveli i përcaktuar me ligj i buxhetit të paraparë për pushtetin gjyqësor në lartësi prej 0,8% të Prodhimit të brendshëm bruto” – thuhet në raportin e revizionit.

Kështu për shembull, në vitin 2012, është dashur të miratohen 0,50%, mirëpo janë dhënë 0,45%, në vitin 2013 sipas revizionit ka dështim më të madh dhe në vend të vlerës prej 0,6% për pushtetin gjyqësor janë ndarë mjete në vlerë prej 0,39%. Në vitin 2014, në vend se 0,7% – janë ndarë 0,41%, ndërsa në vitin 2015 në vend të 0,8%, për pushtetin gjyqësor janë ndarë 0,38%.

“Mënyra e këtillë e planifikimit dhe e financimit të pushtetit gjyqësor krijon rrezik për sigurim të plotë të financimi stabile, afatgjatë, të barabartë dhe adekuat të pushtetit gjyqësor” – konstaton revizori. Ministria për Financa ka dorëzuar vërejtje në lidhje me raportin e revizionit, njofton Portalb.mk.

“Nga ana e personit udhëheqës në Ministrinë për Financa janë pranuar vërejtje në lidhje me Propozim-raportin e revizorit shtetëror, ato janë shqyrtuar dhe është konstatuar se një pjesë e tyre paraqesin njoftim për gjendjet e konstatuara, një pjesë pranohen pjesërisht dhe një pjesë nuk pranohen” – thuhet në revizion.

Nga shtatë rekomandimet e dhëna pas revizionit të vitit 2014, sipas revizorit, është konstatuar se katër rekomandime janë duke u realizuar, njëri është realizuar në tërësi, ndërsa dy rekomandime nuk janë zbatuar.

Tempoja me të cilën Maqedonia futet në borxh, së bashku me qëllimin për të cilin janë dedikuar ato kredi, shpeshherë përmendet edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare financiare, të cilat rekomanduan konsolidim të financave publike. Nga ana tjetër, për këtë vit tashmë është paralajmëruar hua e re nëpërmjet eurokambialit. / Portalb.mk.

13 thoughts on “АNALIZË: Rriten shpenzimet qeveritare – mirëpo për çka?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP