Ikja e një humanisti

 

Himnizuesit e pushteteve diktatoriale mund t’i gëzojnë privilegjet e kësaj bote, por kurdoherë do të jenë pjesë e galerisë së turpit.

Kundërshtarët e këtyre pushteteve mund të vuajnë, ta përjetojnë ekzilin, dhimbjen, thikën pas shpine, por nuk do të turpërohen përpara brezave që vijnë.

E jeta e më pastajme është shumë më e gjatë.

Predrag Matvejeviçi, i njohur për “zotnillëkun e tij intelektual“, sikurse e vlerëson Claudio Magris-i, ishte detyruar, në fillim të viteve 90-të, të ikte nga atdheu, pas kërcënimeve nga apologjetët e tiranisë.

Ai iku sërish. Këtë herë jo nëpër botë, por iku nga kjo botë.

Turpi mbetet për të tjerë…

Matvejeviçi ishte solidari, shpirtmiri, kundërshtari i çdo tiranie, afirmuesi i shoqërisë me “pamje njerëzore”.

Ishte pjesëtari i “vertikales morale të Ballkanit”.

Ishte i pa helmuari nga helmet shoviniste, që rridhnin nëpër damarët e shumë kolegëve të tij.

Ikja e tij nga kjo botë nuk u bë dramë kombëtare.

Ikja e tij nga kjo botë nuk u shndërrua në spektakël ku shfaqen oratorë të shumtë.

Modeli i europianit të mirë në Ballkanin e trazuar, ku çdo brez e përjeton nga një luftë, ishte i urryeri i turmave dhe pushteteve.

Por edhe atij i pëlqenin vargjet e Kishit: “Qindra flamuj valojnë tani, prej tyre i imi nuk është asnjë”.

Ai ishte kundër çdo sistemi diktatorial e autoritar.

Ai ishte kundër ngulfatjes së humanizmit në emër të “qëllimeve të larta kombëtare”.

Ai ishte kundër përligjjes së krimeve në emër të ideve abstrakte, që shfrytëzohen për qëllime të errëta nga pushtetet e kalbëzuar së brendshmi.

Ai ishte kundër çdo padurimi apo ekstremizmi fetar, por nuk ishte kundër fesë, sepse e konsideronte si pjesë të lirisë njerëzore.

Besonte ai se çdo kulturë kombëtare është e vlefshme, por ishte kundër çdo forme të ksenofobisë. Shpesh e citonte Antun Njegoshin: “Arti ynë do të jetë kombëtar vetëm nëse është europian”.

Ai bënte thirrje për respektimin e fateve personale, sepse, sikurse thotë në librin “Epistolari lindor”, “është shumë e lehtë të zgërdhihesh me skenat shekspiriane për sa kohë nuk je pjesë e tyre”.

Ai, gjithashtu, ishte kundër çdo instrumentalizimi të luftës për qëllime politike të një regjimi të caktuar.

Ai ishte demistifikues demagogjish e propagandash, sepse, për Matvejeviçin, ishte e rrezikshme “që gjendja në një shoqëri të analizohet vetëm nga pushteti”.

Ai nuk besonte se partia që sjell shkatërrim mund të krijojë ushtri shpëtimtare.

Kërkoi, me ngulm, rehabilitimin e viktimave të çdo diktature, por edhe dënimin, së paku moral, të krimbërësve.

Besoi ai se liria e një shoqërie mund të peshohej vetëm nëpërmjet rehabilitimit të të përvuajturve për shkak të ideve dhe bindjeve të tyre. Se e trishtë është shoqëria ku “harrohen emrat e viktimave dhe fshihen emrat e xhelatëve”.

Jetoi duke u udhëhequr nga kryefjala: “t’i mbrojmë edhe ata me të cilët nuk pajtohemi, atëherë kur gjenden në pozitë të vështirë”.

Rrezikoi për këtë qëllim, sepse “pa rrezikuar nuk ka magji”.

I doli në mbrojtje Brodskit, Mandelstamit, Solzhenicinit, Okuxhavës e shumë disidentëve të tjerë.

U shkroi letra politikanëve të frikshëm, ndonëse i dukeshin si “letra të futur në shishe dhe të hedhur në det”, shumicën prej të cilave “ende i mbart dallga”.

E kishte mbrojtur historianin Franjo Tugjman, por kur u bë kryetar i Kroacisë nuk u pajtua me të. Mbronte të tjerë që rrezikoheshin nga pushteti i tij.

Më 1974, madje, kishte kërkuar dorëheqje nga Titoja, që ta linte pushtetin në duart e të rinjve.

I ndihmoi edhe ata që e kishin goditur rëndë.

E ndonjëherë thoshte se kishte ardhur koha kur duhej që të mbrohej nga ata që i kishte mbrojtur.

Kur filloi fushata e egër kundër intelektualëve shqiptarë sërish nuk heshti. Besoi se mund të ndikonte në një zgjidhje paqësore. Kishte shkruar shumë kundër krimeve serbe ndaj popullatës shqiptare.

Si shkrimtar kishte qenë kundër intelektualëve partiakë; kundër “akademikëve që duan përmendore mbi varret që të fshehin hipokrizinë e tyre”.

Kishte qenë kundër gjuhës së drunjtë, gjuhës së propagandës.

Kundërshtonte Gladkovin, që dikur kishte shkruar: “thjeshtësia dhe fuqia e stilit të Stalinit duhet të shërbejë si shembull për ne shkrimtarët” (Pravda, 12 janar 1935).

Kundërshtonte Babelin, që kishte shkruar: “Ta shohim se si Stalini e farkëton stilin e tij, që të na shërbejë si shëmbëlltyrë për zbukurimin e gjuhës sonë” (Pravda, 1 janar 1935).

Kundërshtonte Ozerovin, që kishte shkruar: “Duhet vepruar sipas linjës partiake, siç letërsia sovjetike i mëson lexuesit”.

Nuk pajtohej me qëndrimet e Sholohovit, që thoshte: “Unë e shkruaj atë që ma dikton zemra, por zemra ime rreh për partinë”. Kur shkrimtari stalinist u bë laureat i Nobelit për Letërsi, Matejeviçi tha: “kurrë se kam aprovuar shijen e Komitetit të Nobelit”.

Në vitet 90-të themeloi një grupim politik, më shumë utopist, dhe synonte një zgjidhje paqësore të krizës jugosllave. E kishte parandier se dekompozimi i këtij shteti do të sillte tragjedinë e madhe, por kishte harruar në atë që besonte – ata që sjellin shkatërrim nuk mund të krijojnë ushtri shpëtimtare. Shteti ishte kalbur së brendshmi.

Në këtë kohë shkruante se Millosheviqi duhej të vetëvritej, që ta shpëtonte veten dhe kombet. Ai nuk u vetëvra. Makineria e tij vrastare preu mijëra fate njerëzish të pafajshëm.

Vite më vonë, më 2001, në tekstin “Talebanët tanë”, Matvejeviçi akuzoi shkrimtarë e intelektualë si përgjegjës për krime lufte dhe kërkoi t’u bëhej një gjyq moral.

Akuzoi Dobrica Qosiqin, Matija Beçkoviqin, Momo Kaporin, Rajko Nogon e të tjerë.

I quajti “shkrimtarë kuislingë” dhe përgjegjës për krimet në Bosnjë.

Me këtë akuzë jepte porosi për brezat e ardhshëm se si nuk duhej ta ngjyenin penën në ngjyrën e urrejtjes.

Për të njëjtin shkrim, vite më vonë, në proces të montuar gjyqësor, u dënua me 5 muaj burg me kusht. Nuk u ankua. Por dënimi i tij, që shkaktoi revoltë te shumë emra të njohur të mendimit botërorë, ndikoi tek elita politike kroate. Dy kryetarë të mëvonshëm të Kroacisë e dekoruan.

Po në këtë tekst ai flet me simpati për shqiptarët. I dënon krimet serbe ndaj tyre. Përmend se si dikur shqiptarët kishin mbrojtur manastiret në Kosovë…

Matvejeviçi sot është emër i respektuar në botën perëndimore. Libri më i njohur i tij është “Libër dore për Mesdheun”. Është përkthyer në shumë gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Shumë intelektualë, përfshirë Umberto Ekon, kërkuan që për këtë vepër t’i jepej Nobeli për letërsi. Matvejeviçi besonte se nuk e meritonte. Ai gjithmonë dyshoi te puna e tij krijuese…

Me këtë humanist të madh mund të kesh botëshikime të ndryshme për botën, për politikën, për jetën, artin, kulturën, por nuk e konteston humanizmin e tij.

E deshi botën më humane, më të fisme, më paqësore, ku respektohet dinjiteti i njeriut dhe e drejta e kombeve për të jetuar të lirë.

Ndjenja e tij paqësore shpesh herë është disi utopike, por kështu ishte gatuar europiani i mirë i Ballkanit, njëri nga zërat e rrallë në shkretëtirë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button