Më shumë se 40 gra nga Kosova në luftën e Sirisë e Irakut

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në raportin e fundit të publikuar të enjten, thotë se “gratë kanë marrë pjesë në organizatat terroriste si kujdestare dhe ofruese kujdesi; kanë promovuar ideologji ekstremiste të dhunshme dhe kanë rekrutuar gra të tjera për t’u bashkuar me grupet e dhunshme ekstremiste”, transmeton REL.

Raporti i titulluar ‘Gratë në ekstremizmin e dhunshëm, mësimet e nxjerra nga Kosova’, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konstaton se që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak, mes vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2016, rreth 44 gra janë përfshirë në konflikt, dhe në mesin e tyre edhe 27 fëmijë.

QKSS-ja thotë se “Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin”.

Rudina Jakupi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një konferencë ku është publikuar raporti, tha se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, zë vendin e dytë me pjesëmarrjen e grave të përfshira në zonat e luftës në Lindje të Mesme.

“Kosova renditet e dyta [në rajon] për arsye se ka 44 gra që i janë bashkuar konfliktit të Sirisë dhe Irakut. Bosnja ka 60 dhe me pas vazhdohet me Maqedoninë e Shqipërinë dhe Serbinë”, tha Jakupi.

Në raportin e paraqitur nga QKSS-ja, theksohet se “disa nga gratë e kthyera nga konflikti mbeten të izoluara dhe pa mbështetje nga institucionet”.

Disa prej këtyre grave, sipas raportit, pasi janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës, ku kanë mund ta humbin bashkëshortin, janë detyruar të martohen sërish.

Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button