Bota në epokën e Obamës – diplomacia e dështuar amerikane

Kundërshtarët kanë kuptuar butësinë e Obamës si dobësi, por është faji i tij që vazhdoi avazin e njëjtë gjatë gjithë mandatit

Fundi i epokës Obama. Me inaugurimin e Donald Trampit si president pardje ka përfunduar epoka e presidentit Obama. Ai është zgjedhur para tetë viteve me mesazhin “shpresë dhe ndryshim”, frymë të mirëpritur gjithkund në botë me shpresë që zgjedhja e tij sinjalizonte një epokë të re rendi, paqeje e bashkëpunimi global. Mu për këtë qysh në fillim të mandatit ai u shpërblye me çmimin Nobel.

Por tetë vite më vonë politika e jashtme e Obamës duhet parë nën prizmën e rezultateve të saj, jo më me atë të retorikës, shpresave e dëshirave të botës në vitin 2008. E ky rezultat le shumë për të dëshiruar, pasi flet për një diplomaci të dështuar amerikane. Sado që të spinohet e të hudhet faji te faktorë tjerë, është fakt se Obama len pas një botë shumë më kaotike dhe të rrezikshme nga ajo që trashëgoi në vitin 2008.

Europa. Fundi i mandatit të Obamës e gjen Europën në pikën e saj më kritike nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Projekti pan-europian i bashkimit të kontinentit në një union të vetëm ka arritur në udhëkryq të vërtetë. Nga njëra anë projektin po e lëshon Britania e Madhe, ndërsa kontinenti ende nuk ka arritur të përballet mirë me pasojat e krizës financiare dhe hendekun gjithnjë e më të madh pasues në aksin veri-jug, që deri vonë mendohej i tejkaluar. Paralelisht me këto ka eskaluar problemi i imigrimit me influksin e madh të refugjatëve sirianë. Të gjitha këto fenomene kanë rezultuar me ngritje të fuqishme të forcave të djathta populiste në Perëndim, të cilat kanosen të marrin pushtetin në vende si Franca, Holanda, Italia, apo ndoshta dhe Gjermania.

Nga ana tjetër pjesës lindore të kontinentit sërish i duhet të përballet me rrezikun rus, përderisa forca autoritare po vijnë në pushtet në gjithnjë e më tepër vende të rajonit, si Hungaria e Polonia. Ballkani ka ngecur në rrugën drejt strukturave euro-atlantike, është më jostabil nga fillimi i shekullit dhe më i lëndueshëm se kurrë nga influenca ruse. Pak më larg Turqia duket se ka marrë drejtim krejtësisht tjetër, larg nga Perëndimi dhe drejt Lindjes së Mesme.

Natyrisht SHBA-ve nuk mund t’u lihet faji për gjithë këto zhvillime në Eurpoën e dekadës së fundit. Por është fakt se politika e Obamës që në fillim anashkaloi Europën në favor të Lindjes. Pasiviteti amerikan në Ballkan dhe politika e butë karshi Rusisë padyshim është shkaktar kryesor i rritjes së pasigurisë në këtë pjesë të Europës. Ndërkaq kriza e imigrantëve dhe rritja pasuese e forcave ekstreme të djathta pa mëdyshje mund t’i përshkruhet direkt dështimit të politiës së jashtme amerikane në Lindjen e Mesme.

Rusia. Pozicioni i Obamës vis-a-vis Rusisë në vitin 2008 nuk ishte gjithaq i ndryshëm nga ai i Trampit sot. Obama mendonte se fajtor për përkeqësimin e raporteve SHBA-Rusi ishte Bushi, i cili me politikën e tij agresive fare nuk kishte marrë parasysh interesat ruse. Platforma e tij zgjedhore e vitit 2008 përmbante “Resetimin me Rusinë” si një ndër pikat kyçe të politikës së jashtme. Jo më larg se viti 2012 Obama përqeshte kundërkandidatin Romni kur ai thoshte se Rusia mbetet armik numër një i SHBA-ve. Po atë vit ai u kap duke i premtuar Medvedevit se pas zgjedhjeve do të ishte më fleksibil karshi Rusisë.

Ndërkohë Putini ka lexuar butësinë e Obamës si dobësi dhe ka marrë kurajo të shtrijë ndikimin e vet në rajon dhe nëpër botë. Rusia aneksoi Krimenë dhe po mbështet direkt rebelimin në Ukrainën Lindore. Për më tepër ajo tani ju kanoset vendeve tjera ish-sovjete, anëtare të NATO-s, ndërsa ka futur duart edhe në Ballkan. Duke i përplasur direkt në fytyrë Obamës “vijën e kuqe”, Putin ka ndërhyrë direkt në Siri në mbështetje të Asadit. Me këtë Rusia është rikthyer në Lindjen e Mesme, ku kishte munguar nga viti 1990. Disa shtete të rajonit, në rradhë të parë Siria e Irani, tani e shohin atë si partner të rëndësishëm strategjik, gjë që s’mund të paramendohej tetë vitë më parë.

Obama dhe SHBA-të nuk janë fajtor të vetëm për gjendjen e botës sot, por ngritja e Rusisë mund t’i atributohet direkt diplomacisë së dobët amerikane, që ka flakur tej “shkopin” duke u bazuar vetëm te “karrota”.

Azia. Azia Lindore ka qenë fokusi kryesor i politikës së jashtme të Obamës dhe rajoni i vetëm ku nuk ka pësuar debakël. Doktrina e njohur si “Boshti drejt Azisë” ka paraparë që tani e tutje SHBA të përqëndrohen në raport 60%-40% mes Azisë dhe Europës. Deri diku SHBA këtu ka arritur të ruajë aleatët e vet, gjithnjë duke evituar ndonjë përplasje dhe duke preferuar partneritet me Kinën. Me këtë Obama ka mundur të ruajë baraspeshën në rajon, por nuk mund të flitet për ndonjë progres të dukshëm pro-amerikan. Ai nuk arriti të shtyjë me kohë paktin për Partneritet Trans-Pacifik, i cili tani është nën shënjestër të Trampit dhe sipas të gjitha gjasave nuk do të nënshkruhet. Ndërkohë Kina vazhdon të mbetet kanosje për paqen dhe stabilitetin e rajonit, me provokimet e pandalshme ishull-për-ishull me Japoninë, Filipinet, Tajvanin e vende tjera. Fjalori luftarak i Trampit drejtuar Kinës e mban rajonin në listën e pikave më të nxehta në planet, si pasojë e diplomacisë së mëparshme që nuk arriti t’a fusë atë në korniza të qëndrueshme institucionale.

Lindja e Mesme. Kur Obama mori mandatin e vetmja pikë konflikti në Lindjen e Mesme ishte Iraku. Madje edhe ky vend shkonte drejt stabilizimit pas shtimit të forcave ushtarake amerikane në vitin 2007. Por edhe këtu Obama i hodhi fajin Bushit dhe shpejtoi të tërheqë trupat nga Iraku, me shpresë se me mesazhin e tij paqtues do të afronte botën arabe drejt Amerikës. Si pasojë e kësaj shkurtëpamësie Lindja e Mesme sot është më kaotike se kurrë dhe rajoni shërben si shembull më i mirë i dështimit të diplomacisë amerikane. Pas pranverës arabe në Egjipt është rikthyer në pushtet hunta ushtarake, Libia ka këmbyer Gadafin me kaos total, Jemeni është në luftë të thellë civile, ndërkaq nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë tmerrin që ka parë këto vite Siria. Gjatë mandatit të Obamës u themelua i ashtuquajturi kalifat islamik, organizata më e tmershme që ka parë kohët e fundit planeti.

Me tërheqjen nga Iraku SHBA-të nën Obamën duket sikur vërtetë humbën interesin për rajonin. Administrata amerikane është mjaftuar me fjalë qortuese për aktorët e pandershëm si Asadi, Irani e Rusia, ndërsa ushtarakisht ka qenë e fokusuar vetëm në bombardime ajrore të caqeve të ISIS-it. Me këtë vetëizolim, e sidomos pas mosmbajtjes së fjalës se do të ndëshkojë Asadin nëse ky kalon “vijat e kuqe”, Obama inkurajoi aktorë tjerë që të jenë më aktivë në rajon. Nën vëzhgimin e Obamës është lëkundur lojaliteti i disa shteteve arabe, madje edhe i Izraelit, ndaj Amerikës, duke i hapur kështu rrugë ndikimit rus. Administrata e Obamës ka lëkundur në themel strukturën dhe politikën amerikane në rajon, të mbështetur me dekada aleanca me mbretëritë sunite. Sot më nuk është e qartë se kë ka Amerika mik e kë armik në rajon, ndërsa këtë mjegullnajë e kanë shfrytëzuar me mjeshtëri rusët, iranianët e sirianët e Asadit. Zëri i Amerikës në Lindjen e Mesme, për të mirë a për të keq, kurrë nuk ka qenë më i dobët dhe i mbetet presidentit të ri për të qartësuar këtë situatë, apo për t’u tërhequr përfundimisht nga rajoni duke e lëshuar atë në duar të Rusisë e Iranit.

Butësia si dobësi. Filozofia kryesore e Obamës për çështjet botërore gjatë tetë viteve të fundit ka qenë “leading from behind” – udhëheqje nga pas. Duke konsideruar Bushin si fajtor për pozitën e dobësuar amerikane në botë, Obama ka flakur anash idenë se SHBA luan rol special në botë, gjegjësisht se duhet të jetë polic botëror. Ai ka preferuar t’a shohë botën si multipolare, me plot fuqi me të cilat duhet të bisedohet për të zgjidhur problemet globale. Por këtë butësi, madje naivitet të tij, kundërshtarët e kanë kuptuar si dobësi, gjë që i ka inkurajuar për të bërë veprime drastike pa pyetur SHBA-të apo duke iu kundërvënë direkt interesave amerikane. Nëse në fillim të mandatit vërtetë i duhej dhënë shans qasjes së ndryshme të Obamës kundrejt asaj të Bushit, është e pafalshme që Obama vazhdoi politikën e njëjtë edhe kur u bë e qartë se kundërshtarët po keqpërdornin këtë dorë të shtrirë të tij.

Bota me presidentin Tramp duket më e frikshme se kurrë, por një pjesë të madhe të fajit për këtë gjendje padyshim e ka edhe Obama.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button