Lëvizja BESA: Ku shkojnë paratë për mirëmbajtjen e rrugëve kur bie borë?

Lëvizja BESA ka reaguar në lidhje me paratë që i ndahen ndërmarrjes publike “Makedonija Pat” ndërsa e njëjta nuk bën mirëmbajtjen e duhur të rrugëve në kushte dimërore. Nga kjo lëvizje parashtrojnë pyetjen se ku përfundojnë mjetet që ndahen për këtë ndërmarrje, posaçërisht për shërbime dimërore.

“Në bazë të planit për në sezonin e dimrit mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dha regjionale për vitin 2016, për ndërmarrjen “Makedonija pat” janë ndarë mjete në vlerë prej 396.000.000,00 denarë edhe atë vetëm për shërbime dimërore dhe për furnizime me material për këto shërbime. Kështu edhe për vitin 2017 është ndarë pothuajse e njëjta shumë.

Këto mjete dedikohen për pastrimin e rrugëve me material abraziv dhe kripë, që hyjnë në funksion vetëm kur ka reshje të borës. Edhe përkundër ndarjes së mjeteve financiare, gjendja faktike në rrugët magjistrale dhe regjionale të Maqedonisë është krejtësisht tjetër. Edhe pse janë ndarë mjete për këtë qëllim, përsëri vërehet mosintervenimi i organeve kompetente, haset organizim shumë i dobët i punëve në terren, shërbimet janë me çmim mjaft të lartë dhe joreal, makineria është e vjetruar dhe kontratat me personat e tretë, që hynë si kontraktues, janë të dëmshme, me çka shkaktohen shpenzime të larta joreale.

Përveç që e dënojmë këtë qasje joserioze të autoriteteve ndaj këtij detyrimi, Lëvizja BESA është thellësisht e interesuar për shfrytëzim më racional të mjeteve, menaxhim më efikas dhe efektiv të potencialit aktual të kësaj ndërmarrje, duke mos i keqpërdorur mjetet e dedikuara, që kështu t’u dilet në ndihmë qytetarëve dhe në mënyrë që të gjitha rrugët të jenë të pastruara dhe të kalueshme”, thuhet në reagimin nga Lëvizja Besa.

Nga ana tjetër nga NP “Makedonija Pat” në një deklaratë për televizionin Alsat M, mospastrimin e rrugëve e arsyetojnë me mungesë resursesh.

Nga ndërmarrja thonë se mosha mesatare e të punësuarve është mbi 55 vjeçare. Ndërkaq mekanizimi është i vjetër madje 27 vjet, prandaj prishet shpesh dhe ka nevojë të riparohet. Pavarësisht vështirësive nga “Rrugët e Maqedonisë” thonë se arrijnë me efikasitet ta pastrojnë borën.

“Në mënyrë të rregullt vitet e fundit u pensionuan shumë të punësuar, ndërsa për zëvendësimin e tyre për fat të keq nuk u arrit të sigurohen punësime të reja. Periudhën e kaluar nuk kemi rinovim të mekanizimit i cili është i vjetër 27 vjet, ka defekte të rregullta, por të punësuarit gjejnë forca t’i eliminojnë ato defekte”, tha Borçe Sarxhovski, udhëheqës i degës Autostrada, “Rrugët e Maqedonisë”.

Nga “Rrugët e Maqedonisë” theksuan se megjithëse prej 5 vitesh kërkonin nga qeveria, leje për punësime kanë marrë në fund të vitit të kaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button