Kosova, Tirana e Shkupi kërkojnë liri për Ramushin

Me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë” qindra qytetarë të Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Mitrovicës, Gjakovës dhe Ferizajt shprehën pakënaqësinë e tyre kundër arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt nga autoritetet franceze. Të mbledhur nëpër sheshet e qyteteve ata kërkuan lirimin e Haradinajt dhe ndaljen e arrestimeve me fletarrestime të Serbisë. Liri për Ramushin u kërkua edhe në Tiranë e në Shkup

Në orën 11:55, dje jo vetëm Kosova, por edhe Shkupi e Tirana dolën në protestë në përkrahje të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë”, Prizreni, Peja, Gjilani, Mitrovica, Gjakova dhe Ferizaj u mblodhën në sheshet e qytetit për të shprehur pakënaqësinë e tyre rreth arrestimit të ish-kryeministrit të Kosovës në Francë në bazë të fletarrestimeve të vjetra serbe.

Në Pejë qindra persona për gjysmë ore brohoritën “Liri për Ramushin” gjersa organizatorët mbanin fjalimet e tyre, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Pejë, Gazmend Syla, në fjalimin e tij ka thënë se ky organizim është për t’i çuar mesazh bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e Haradinajt.

“Jemi mbledhur këtu për t’i dërguar një mesazh bashkësisë ndërkombëtare. Ramush Haradinaj është heroi ynë, ai është komandanti ynë, ai është krejt Kosova”, ka thënë Syla.

Ai ka kërkuar rikthimin sa më parë të Haradinajt në Kosovë, pasi që përndryshe situata mund të marrë kahe të cilën nuk e dëshiron askush.

“Kërkojmë urgjentisht rikthimin e komandantit në Kosovë. Ai ka shumë punë për të bërë këtu. Përndryshe na çojnë në rrugë që nuk kemi dëshirë as ne, as bashkësia ndërkombëtare e askush”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ish-lideri i boshnjakëve të Kosovës, Numan Baliq, ka thënë se arrestimi i Haradinajt në Francë ka qenë akt i turpshëm.

“Është brengosëse që njerëz me merita dhe që kanë dhënë gjakun për Kosovën, sikur është Ramushi, sot ndalohen në Francë. Ne sot të bashkuar duam t’i çojmë një mesazh të qartë botës se ne nuk do të lejojmë më që qytetarët e Kosovës të ndalohen kudo në botë, të cilat kanë ende lidhje miqësore me Beogradin dhe politikën hegjemoniste të Beogradit”, ka thënë Baliq.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP