Serbia ende kërkon arrestim e Thaçit, kjo është aktakuza ndaj tij

Serbia përmes ministres së Drejtësisë, Nela Kuburoviq, ka paralajmëruar se përpos liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj për të cilin i ka kërkuar Francës ta ekstradojë në Serbi, autoritetet atje thonë se edhe presidenti i vendit, ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi është ende i kërkuar nga drejtësia serbe për terrorizëm e gjenocid, shkruan Insajderi.

“Urdhër arresti është në fuqi që nga viti 2005, kjo gjatë gjithë kohës ka qenë e ditur dhe Serbia asnjëherë nuk ka qenë e kushtëzuar që ta tërheq atë”, është shprehur Kuburoviq.

Sipas saj, në procedurën kundër Thaçit tashmë ka një vendim të formës së prerë për vepër penale të terrorizmit.

“Pas kësaj ka pasur zgjerim të akuzave për veprën penale të gjenocidit dhe kjo është ende në fuqi në Serbi për dallim nga vendet tjera ku Interpol ka thënë urdhër që të ndalet kjo ndjekje penale në mënyrë që të mos e shohin në sistemet e tyre”, ka thënë Kuburoviq.

Por për çka akuzohet Thaçi nga Serbia.

Insajderi kishte sjellë nëntorin e vitit të kaluar kishte publikuar aktakuzën e Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, siç njihej në kohën kur funksiononte Serbia në Kosovës, kundër 15 krerëve të UÇK-së, përfshirë Adem Jasharin.

Shumica ishin gjykuar dhe dënuar në mungesë nga Gjykata Serbe ndërsa presidentit Thaçi i ishin shqiptuar dhjetë vjet burgim.

Sikur Hashim Thaçi të shkonte në Beograd, ai me siguroi do të arrestohej sepse gjykata në Beograd ka shpallur urdhërarrestin për të.

Ndërkohë, Prokuroria e Serbisë ka lëshuar urdhërarrest për Hashim Thaçin dhe të tjerët. Vitin e kaluar urdhërarresti ishte ripërtrirë në Interpol.

“Në rastin Thaçi nuk është shpallur fletë arresti i kuq, sipas të cilit ai do të mund të arrestohej në çdo shtet të botës, e pa të secili shtet vepron sipas dëshirës. Kjo do të thotë se në ndonjë shtet, sikur dhe te ne, ai do të mund të arrestohej“, kishte thënë në prill të këtij viti Prokuroria e Serbisë.

Prokuroria kishte thënë se “rasti Thaçi” në Serbi është në fazën e hetimeve e ai fajësohet për shkelje të Konventës së Gjenevës.

Prokuroria kishte përmendur se Thaçi në vitin 1997 ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, dhe ishte dënuar me 10 vjet burg për vepër penale terrorizëm, e më pas Serbia kishte ngritur edhe disa aktakuza.

Në vitin 2002, Prokuroria e Serbisë kishte lëshuar urdhërarrest nën dyshimin për gjenocid.

Sipas aktakuzës aksione të mëdha kundër Policisë së Serbisë gjatë viteve të ’90-ta kishin kryer 15 drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mes tyre, Adem Jashari, Rexhep Selimi, Sami Lushtaku, Hashim Thaçi e të tjerë.

Kjo celulë e UÇK-së akuzohej për veprime terroriste që përfshinte vrasjet e policëve dhe ushtarëve serbë, çlirimin e Kosovës nga okupatori dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Gjykimi kishte nisur dhe ishte zhvilluar në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, gjykatë kjo që ishte në dorë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Prokurori i rastit, Jovica Jovaniviq, e kishte lexuar aktakuzën para trupit gjykues dhe tre të arrestuarve shqiptarë që akuzoheshin për vepra terroriste sipas legjislacionit të Serbisë.

Në aktakuzë thuhej se të akuzuarit pas qëndrimit në Shqipëri, ku ishin stërvitur ushtarakisht bashkë me pjesëtarët e Ushtrisë Shqiptare e nën komandën e oficerëve të saj, në territorin e Komunës së Skenderajt kanë formuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën Serbia e konsideronte “organizatë terroriste”.

Prokurori serb pretendonte se “të akuzuarit kanë ndërmarr dy aksione të organizuara dhe të koordinuara të akteve të dhunës, të inspiruar me motive politike për të “rrezikuar rregullimin shtetëror dhe sigurinë e Republikës Federative të Jugosllavisë, që territori i Kosovës dhe trojet e tjera të banuara me shqiptarë të shkëputen nga ajo dhe të formohet shteti i veçantë dhe pastaj t’i bashkohet Shqipërisë”.

Prokuroria thoshte se të akuzuarit kanë siguruar një sasi të madhe të armëve, pushkë automatike, pushkë me snajper, revole, municion, bomba dore e mjete të ndryshme eksplozive dhe pajisje të tjera ushtarake, një pjesë e të cilave i kanë siguruar nga Armata shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button