Meta dhe Bushati reagojnë për ndalimin e Haradinajt në Francë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kanë reaguar sot në lidhje me ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Meta beson se autoritetet policore franceze do të qartësojnë rrethanat e pakuptimta të këtij ndalimi dhe do të veprojnë shpejt për t’i kthyer të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të ligjshme kryetarit të AAK-së. Ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në reagimin e Metës, publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë.

Gjithashtu Meta u bën thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Evropian për të zgjidhur këtë incident dhe për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

Ndërsa në një reagim në rrjetet sociale, ministri Bushati ka thënë se ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, sipas tij, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat.

“Iu bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn. Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoj sikurse dështuan politikat gjenocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë“, është shprehur Bushati.

Në vijim të reagimit të tij ai ka thënë gjithashtu se ky akt dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u ndalua dje nga autoritetet franceze bazuar në një urdhër arresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Menjëherë pas ndalimit të tij kanë reaguar edhe autoritetet më të larta të Kosovës të cilat e kanë quajtur të paligjshëm ndalimin e tij, si dhe kanë kërkuar lirimin menjëherë të tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button