Shkup, qytetarët presin që viti 2017 të jetë më i mirë

Mbeten vetëm disa ditë të këtij viti kalendarik 2016, ndërsa qytetarët tashmë kanë filluar me përgatitjet për pritjen e Vitit të Ri 2017. Në sheshin e kryeqytetit të Maqedonisë, në Shkup, mbizotëron një ndjenjë e atmosferës së Krishtlindjeve. Tradicionalisht, pema e madhe e Krishtlindjeve është e zbukuruar me dekorata dhe drita të ndryshme, ndërsa qytetarët të cilët kalojnë pranë pemës, shfrytëzojnë mundësinë për t’u fotografuar.

Në fund të muajit dhjetor u hap edhe tregu tradicional i Krishtlindjeve në të cilin qytetarët mund të blejnë dhurata të ndryshme krishtlindjesh për t’u dhuruar të dashurve të tyre. Natyrisht, euforia e Vitit të Ri më së shumti është e pranishme tek fëmijët të cilët u gëzohen dhuratave të krishlindjeve, atmosferës së krijuar për Vitin e Ri, por më së shumti shpresës se do të marrin shumë dhurata dhe se do t’u plotësohen dëshirat.

Nga ana tjetër, qytetarët e Shkupit, gjatë bisedës me Anadolu Agency (AA) thonë se viti i kaluar në përgjithësi për ata ishte më i vështirë nga i mëparshmi, ndërsa shpresojnë se viti i ardhshëm do të jetë më i mirë.

Delço Gavrovski thotë se Vitin e Ri do ta kalojë në gjirin familjar dhe beson se viti 2017 do të jetë më i mbarë nga i mëparshmi.

“Do të festoj në mjedisin familjar. Viti i kaluar ishte shumë i vështirë, ndërsa vitin e ardhshëm do të shohim”, shprehet ai.

Për Sara Simoska, e cila sapo është kthyer nga Italia, viti i kaluar ishte i shkëlqyer, sepse ka arritur të përfundojë magjistraturën.

“Për mua viti i kaluar ishte i shkëlqyer, i përfundova studimet e magjistraturës në arkitekturë. Jam duke kërkuar punë dhe shpresoj se në vitin 2017 do të gjej një punë”, thotë Simoska, duke shtuar se nuk ka ndonjë plan konkret se si do të kalojë festën e Vitit të Ri, por thekson se do të jetë me shoqërinë e saj dhe beson se do të kalojë bukur.

Tregun tradicional të Krishtlindjeve në qendër të Shkupit e vizitoi edhe Marija Hristovska, e cila bleu dhurata për të afërmit e saj. Për vitin e ardhshëm, ajo uron për më shumë shëndet.

“Si edhe çdo vit tjetër, edhe këtë vit do të jem në shtëpi me rrethin familjar. Këtë vit e vlerësoj shumë të vështirë, ndërsa viti i ardhshëm do të na sjell gëzime të reja. Zoti të na jep shëndet dhe fuqi të mbahemi”, thotë Hristovska.

Në sheshin e qytetit mund të vërehen edhe persona të maskuar në heronj nga filmat e vizatuar të fëmijëve të cilët përpiqen t’i argëtojnë dhe kënaqin fëmijët. Një ndër ta është edhe ‘Masha’, e cila për AA thotë se kalon një kohë të mrekullueshme duke u argëtuar me fëmijët të cilëve ua zbukuron ditën.

“Viti i Ri i ardhshëm le të na sjell më tepër shëndet dhe fat, ndërsa dëshirat e paplotësuara të na i plotësojë”, uron ‘Masha’.

Numri i fëmijëve të cilët ndalen pranë pemës së dekoruar të Krishlindjeve dhe që fotografohen me Babagjyshin. I vogli Shehid, dëshiron që vitin e ardhshëm të kalojë më tepër kohë me prindërit e tij dhe siç thotë ai, të gjithë në Maqedoni të jenë të lumtur.

“Do të shëtisim me shokët, do të presim Babagjyshin. Vitin e ri të ardhshëm dua që të jemi të lumtur të gjithë në Maqedoni. Vitin e ardhshëm do të doja të kem motoçikletë”, shprehet ai.

Edhe në pjesët tjera të qytetit mund të ndihet lëvizshmëria e Krishtlindjeve dhe në vende të shumta vërehen dekorata të bukura krishtlindjesh në dritaret e lokaleve, por edhe të shtëpive private.

Këtë vit, disa komuna të Republikës së Maqedonisë, përshirë edhe Qytetin e Shkupit, anuluan festën e Vitit të Ri. Ata njoftuan se fondet e parapara do të destinohen për qëllime sociale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button