VJEN KOHA

Në lagjet e në fshatrat tona të përbaltura
Vijnë të fryra fiskajat e turpit
Ngase pakkush ka folur për kazmën
Që u kanoset themeleve të gjuhës sonë
Themeleve të lashtësisë
Themeleve të identitetit

Në këtë dhe ku i kemi varrezat e të parëve
E kanë ngritur zërin
Vetëm mohikanët e fundit
Pak mbrojtës të fytyrës sonë kolektive

Janë munduar ata t’i ngrenë përmendore
Fjalës së fortë e të hidhët
Me të cilën thuhet e vërteta
Me të cilën thuhet liria
Dhe guximi që i zhvesh gjërat e surme
Mbuluar me qilim
Fjalës që e zhvesh edhe gënjeshtrën e madhe
Se shtëpia jonë
S’është jona
Se ne jemi fajtorë
për shkak të asaj e për shkak të kësaj

Të vetmuarit e shkruanin në librin e shenjtë
Dhe e thoshin botërisht
Se nuk bëhet  për shkak të kësaj ose të asaj
Po na sulmonin për shkak të veçantisë që e ruajmë
E për shkak të erës perëndimore
Që e ngre qilimin e hileqarëve dhe i zbulon mbeturinat
Me të cilat na akuzojnë vetëm
Pse jemi shqiptarë

Përballë të vetmuarve – mbrojtës të fjalës
E të fytyrës kolektive
Rrinë duarkryq e tallen
Kontrollorët dhe komisarët e lirisë
Dhe të fjalës së lirë
Ecin, e tallin dhe e ndjekin edhe atë shpirt
Që krijoi madhështinë epike
Kah kalëron Konstatini i Vogëlthi
Dhe buqetat e papërsëritshme lirike
Ku N’drrasë të vekut qan syzeza

Përballë të vetmuarve që e ngrinin zërin
Për mbrojtjen e fytyrës sonë kolektive
Qëndronin edhe kacagjelët akademikë
Që mbledhin të paqena
Dhe me të e thurin tezën e zezë
Se kemi rënë nga mali
E kështu i arsyetonin planet “nga lart”
Për të na zhbërë

Koha rridhte dhe  të vetmuarit e thonin fjalën
Që duhet thënë
Dhe e vërteta dalëngadalë
Nisi t’i gjunjëzojë
Ata që e presin dhe qepin të drejtën
Në këtë vend të lodhur
Ku me shekuj e vërteta
Ka qenë pronë vetëm e kontrollorëve e komisarëve
Të lirisë e të fjalës së lirë
Dhe padronëve të tyre

Dhe, ja vjen koha
Kur po shtohen zërat e të vërtetës
Dhe ngrihet qilimi që fsheh të zezat
Ja vjen koha
Kur komprometohet ndalimi i gjuhës sonë
Dhe gënjeshtra se kemi rënë nga mali
Kur bie miti i qëndrueshmërisë së partive
Dhe i errësirës
E ngrihet e vërteta për qëndrueshmërinë e gjuhës sonë
E për qeveritë që vijnë e shkojnë
Me absurdin se s’ka vend këtu për shqipen

Vjen koha kur gjuha shqipe mbetet e patundur
Ta ruajë bukurinë e saj
Të rrojë
T’i kapërcejë të gjitha pengesat e politikës provinciale
Të flitet
Siç është folur përjetësisht
E të rrjedhë kumbueshëm si Drini Plak
Nëpër hapësirat e lirisë

Vjen koha kur shtohen zërat
Dhe mbrojtësit fisnikë të kësaj plake
Madhështore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button