Subjektet e reja politike më të votuara se garniturat e vjetra politike, ja pse

Elektorati shqiptar në Maqedoni reflektoi dhe arriti që me anë të votës t’i dëshmojë partisë shqiptare në ekzekutiv se ka qenë skajshmërisht e pakënaqur me qeverisjes e saj. Bashkimi Demokratik për Integrim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 numëronte 153.646 vota, ndërsa në zgjedhjet e fundit- 11 dhjetor 2016, ky numër u zvogëlua në 66.393 vota, ose shprehur me mandate në Kuvend nga 19 deputetë në 10 deputetë, shkruan Portalb.mk.

Analisti politik Xhelal Neziri thotë se në vitin 2014 shqiptarët i dhanë maksimumin e votën maksimale BDI-së me shpresën se me këtë mbështetje do të arrijë të përmbushë objektivat e saja në interes të shqiptarëve

“Por, shpalosja e aferave dëshmoi për një mungesë respekti ndaj kësaj vote. BDI nuk arriti të përmbushë gati asnjë nga objektivat e saja kryesore. Kjo rezultoi me një dëshpërim te votuesit e BDI-së, të cilët sikur prisnin që iniciativat e reja politike të paraqesin një ofertë të unifikuar si alternativë. Pjesa më e madhe e votuesve që përkrahën LSDM-në mendoj se do të kishin votuar opozitën nëse do të ishte e bashkuar. Por, edhe si e përçarë opozita mori mbi 120 mijë vota karshi BDI-së me afër 80 mijë vota. Kemi të bëjmë me një delegjitimim të BDI-së në njërën anë, dhe dënim të opozitës në anën tjetër. Ato parti që nuk do të dinë ta zbërthejnë dhe kuptojnë këtë mesazh do të përfundojnë në historinë e periudhës pluraliste të Maqedonisë”, tha për Portalb Neziri.

Politikologu Muhamed Jashari vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin zgjedhjet më të rëndësishme në historinë më të re të shtetësisë së Maqedonisë.

“Kjo ngase ata erdhën në një periudhë kohore pas një krize e cila zgjati dy vite. Dështimet e një pasnjëshme, kriza e thellë ekonomike mos zbardhja e rasteve të ndryshme, ”bombat” e opozitës, pra mllefi i qytetarëve kundrejt politikave të gabuara e të papërgjegjshme qeveritare, bënë që pushtetit të ketë rënie drastike dhe rrjedhimisht partitë opozitare të dalin me më shumë vota sesa partia e cila fitoi më shumë deputet, por duke mos i mundësuar komoditet. Rezultatet e zgjedhjeve na treguan se partitë politike tek ne ashtu sikurse perandoritë kane disa cikle, atë të ngritjes, zhvillimit, kulmit të fuqisë, dobësisë dhe në fund rënies”, deklaroi për Portalb Jashari.

Partitë dhe koalicionet parazgjedhore që për herë të parë kanë garuar në zgjedhje së bashku kanë fituar vota më shumë se BDI; Aleanca për shqiptarët 35.145- 3 deputetë dhe Lëvizja Besa 57.933- 5 deputetë.

Përveç BDI-së si ekzekutiv, në zgjedhjet e fundit pësoi edhe partia opozitare PDSH e cila rezultoi me 31.027 vota- 2 deputetë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 PDSH numëronte 66.393. Fakt ky plus se elektorati shqiptar kërkoi dhe votoi frymë të re, i stërlodhur nga protagonistët e deritanishëm politik.

Humbja e deputetëve shqiptar, njëkohësisht edhe humbja në vota për dallim nga zgjedhjet e 2014 e Bashkimit Demokratik për Integrim sipas vlerësimit tim vjen si pasojë e ngecjeve të shumë proceseve kombëtare dhe ato shtetërore, thotë në deklaratën e tij politikologu Mevlud Islami.

“Dy gjëra janë kryesore që ndikuan që elektorati shqiptar të ndryshoj bindjen zgjedhore dhe të kërkoj frymë të re ecjen e proceseve drejt vlerave demokratike. E para është se komoditeti i 153 mijë votave të BDI-së dhe paragjykimi se askush nuk mund ta thyen këtë besueshmëri të popullit ndaj këtij subjekti politik nga njëra anë dhe fitorja absolute e VMRO nga ana tjetër, pranuan të hynë në koalicion qeveritar pa kushtëzime dhe nuk realizuan premtimet parazgjedhore që ishin nacional -romantike. E dyta dhe me e rëndësishme sipas mendimit tim janë opsionet e ndryshme dhe plotë shpresë (duke aluduar në partitë e reja politike), të cilët me zërin e tyre kritik fituan zemra e votuesve të cilët në ciklet e mëparshme zgjedhore ishin të hendikepuar në këtë aspekt”, tha për Portalb Islami.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button