Rilindje me Besë, Fadil Zendeli

Në vijim mund të lexoni përgjigjet e Fadil Zendelit, kandidatit  të koalicionit Rilindje me Besë në njësinë zgjedhore numër 6.

Ideologjia
Cilës ideologji i takoni?

Edhe pse partitë e deritashme në parim nuk ishin të profilizuara në baza ideologjike majtiste apo djathtise, por veprojnë herë majtas kur është fjala për të drejtat sociale (internacionaliste) të shtresave më të varfra shoqërore, e herë djathtas kur është fjala për mbrojtjen e interesave nacional/ist/e dhe për një ekonomi të fuqishme nacionale. RDK si pjesë e koalicionit Rilindje me Besë i takon spektrit të qendrës së djathtë, që nënkupton se ideologjia jonë është më shumë djathtiste, pasi ne aspirojmë për të drejta më të mëdha nacionale të shqiptarëve në Maqedoni dhe për fuqizimin ekonomik të rajoneve me shumicë shqiptare, pra për një ekonomi të fuqishme nacionale të shqiptarëve në këto troje, me anë të decentralizimit të pushtetit dhe të rritjes së financimit të pushtetit lokal, madje dhe rajonal.

Politika tatimore
A jeni për tatim progresiv apo tatim të barabartë?
Politika e deritashme e tatimit të barabartë, e cila në shikim të parë duket më e drejtë sepse i trajton të gjithë njësoj, nuk është dëshmuar edhe aq zhvillimore, pasi që fitimet e të gjithëve nuk janë njësoj. Prandaj, ne parapëlqejmë tatimin progresiv, në mënyrë që ata që fitojnë më shumë të tatimohen më shumë, pasi që ata edhe nuk do të rrezikohen materialisht, por përkundrazi do të kontribuojnë më shumë për shtetin dhe ekonominë nacionale në interes të përgjithshëm të shoqërisë.

Shëndetësi
Si planifikoni t’i mbani mjekët cilësorë në shëndetësinë publike? A jeni për zvogëlim të obligimeve financiare për specializantët, të cilët janë ngarkesë shumë e madhe për mjekët e ardhshëm nga zona të varfra dhe shkaktojnë diskriminim në bazë sociale në zgjedhjen e profesionit të atij lloji?
Me financimin e barabartë proporcionalisht të universiteteve publike, gjegjësisht të Fakultetit të Mjekësisë në Tetovë nga buxheti qendror në raport me Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, do të arrijmë edhe avancimin cilësor dhe profesional të kuadrove shqiptare dhe do të kontribuojmë financiarisht në subvencionimin e specializantëve nga zonat shqiptare. Njëkohësisht me anë të lehtësimeve të ndryshme administrative, do të stimulojmë edhe investimet e tyre në sektorin privat, në mënyrë që të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë të shëndoshë të ofertës dhe kërkesës së shërbimit shëndetësor, të sigurimit të kushteve më të mira dhe harxhimeve më modeste për pacientët si shfrytëzues final të këtyre shërbimeve.

Integrimi i të rinjve
Si do veproni që të rinjtë të interesohen të qëndrojnë e të punojnë në vend dhe të kthehen ato që janë larguar nga vendi?
Të rinjtë janë perspektiva e kombit dhe shtetit, dhe ne nuk do t’i lëmë ata në mëshirën e fatit. Përmirësimi cilësor i arsimit universitar por edhe i atij të mesëm profesional, do të krijojë kushte për të gjithë ata që janë ambiciozë për të bërë karrierë profesionale në vendlindje (pasi që guri peshon në vendin e vet!), duke i ndihmuar ata financiarisht në hapjen e bizneseve private të vogla dhe të mesme, qoftë me dhënien e licencave të punës për ushtrimin e profesioneve me arsim superior, qoftë edhe në ushtrimin e zejeve të ndryshme te cilët janë lënë anash, falë euforisë “moderne” të punësimit me çdo kusht në administratën shtetërore apo në sektorin publik.

Punë dhe politikë sociale
Cila është strategjia për qëndrueshmëri të fondit pensional? Sa duhet të jetë  paga minimale?

Fondi pensional është i paqëndrueshëm falë politikave të gabuara të qeverisë në drejtim të mos investimit në fushën e prodhimtarisë, si shtylla kryesore për realizimin e bruto produktit shoqëror (BOSH-GDP), dhe me stërngarkimin e paplanifikuar te sektorëve të tjerë ekonomik, kryesisht te sektorit të shërbimeve që nuk është i mjaftueshëm për mbushjen e arkës qendrore, dhe kjo e rrezikon edhe baraspeshën e fuqisë aktive të punës dhe asaj pasive të punës-pensionistëve, e cila është edhe më e madhe proporcionalisht.

Për te siguruar këtë baraspeshë, duhet që paga minimale për punëtorin e thjeshtë të rritet deri në 300 euro, pra që shporta e konsumit të jetë parashikuar nga 10 euro në javë, ndërsa paga mesatare për ata që kanë shkollim sipëror, të jetë mundësisht dyfishi i kësaj, por jo më pak se 500 euro në muaj. Në këtë mënyrë do të ngritet edhe konsumi i përgjithshëm, dhe me ketë paralelisht edhe nevoja e tregtisë dhe prodhimtarisë më të madhe për nevojat e furnizimin e tregut të brendshëm.

Të drejtat njerëzore
Barazi gjinore- Cili është qëndrimi Juaj për barazinë mes mashkullit dhe femrës në shoqëri dhe a duhet të paguhet njësoj si mashkulli ashtu edhe femra?
Femra është shtylla e familjes dhe si rrjedhojë edhe e shoqërisë. Arsimi universitar ka ndikuar dukshëm në rritjen e nivelit të emancipimit të gruas shqiptare, e cila edhe si amvise, tradicionalisht ka kontribuar në buxhetin familjar, por punësimi i saj e rrit ndjeshëm buxhetin familjar dhe kontributin e saj në shoqëri.
Aborti- A duhet të mbetet legal aborti dhe të rriten të drejtat e grave për të sjellë vendime të pavarura?
E drejta për abort është e drejtë universale dhe nuk duhet te kufizohet. Por nga ana tjetër duhet te stimulohet e drejta për të zgjedhur jetën, duke krijuar kushte atraktive ekonomike në mënyrë që skamja dhe varfëria të mos jenë shkaku kryesor për abort, por vetëm shkaqet shëndetësore, gjegjësisht shëndeti i gruas dhe parandalimi i lindjeve me të meta psikofizike apo anomalive gjatë zhvillimit të fetusit.
LGBT- A duhet të kenë të drejtë martese homoseksualët në Maqedoni?
Ne jemi mjedis tradicional dhe konservator, me besim të fortë në Zot dhe feja jonë e konsideron si mëkat apo ‘haram’ një martesë të tillë të panatyrshme, që do të çonte në degradimin shoqëror të familjeve tona. Homoseksualizmin më shumë e konsiderojmë si sëmundje fizike dhe shpirtërore që kërkon përkujdesjen dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor, por vetëm në bazë të vullnetit të pacientit të vetëdijshëm për këtë anomali dhe jo me anë të mjekimit të detyrueshëm, sepse me këtë do të cenoheshin liritë dhe të drejtat universale të njeriut.

Ambienti jetësor
Si duhet të ballafaqohet Maqedonia me ndotjen dhe a keni strategji për burimet e ripërtëritshme të energjisë? Nëse po, cila është ajo?
Dislokimi i shkaktuesve të ndotjes sa më larg vendbanimeve dhe sigurimi i domosdoshëm i mjeteve adekuate për filtrimin ajror të ndotësve është prioriteti ynë numër një, ndërsa nga ana tjetër stimulimi ekonomik i kapaciteteve prodhuese të impianteve në drejtim të krijimit të vendeve të reja të punës është prioriteti numër dy.

De-monopolizimi dhe liberalizimi i tregut të hidrocentraleve do të ishte një kontribut i çmuar në drejtim të sigurimit të burimeve të energjisë dhe në drejtim të uljes së çmimit për furnizimin me energji elektrike, si dhe rritjes së standardit jetësor, që do të krijonte mundësi për zgjedhjen e opsioneve të reja që në fillim kërkojnë avancime, por që pastaj do të rikthehej në përfitime afatgjate për ekonomitë familjare.

Gazifikimi dhe alternativat e reja dhe moderne te praktikuara me sukses ne vendet perëndimore, kuptohet se duhet të gjejnë vend të merituar në shoqërinë tonë, gjithnjë në drejtim të liberalizimit të tregut dhe jo në drejtim të krijimit të monopoleve dhe avantazheve për ndikime politike rajonale.

Religjion
A jeni fetar?
Sigurisht që po. E drejta e praktikimit të fesë dhe ndarjes së fesë nga shteti, apo sekularizmi duhet të sigurohet edhe te pala maqedonase, e cila fshehurazi financon me mjete publike ndërtimin e kishave dhe denacionalizimin e pronave të Kishës Ortodokse, ndërsa padrejtësisht ndërtimi i xhamive tek shqiptarët dhe turqit vazhdon të jetë në baza vullnetare, si dhe vazhdojnë ngecjet dhe obstrukcionet në drejtim të denacionalizimit të pronave të BFI-së.

Administratë
Cila është strategjia Juaj për administratën e stërmbushur? A do të angazhoheni që ta zvogëloni numrin e administratorëve? (Përgjigjuni në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë!)
Si profesor i administratës së përgjithshme kuptohet që jam në favor të marrjes së hises tonë në administratën shtetërore në institucionet shtetërore dhe publike në ndërmarrjet me financim publik, edhe atë deri në arritjen e minimumit prej 25% të përqindjes së popullatës shqiptare, por nga ana tjetër nuk duhet lejuar që pala maqedonase të vazhdojë paralelisht me mbushjen e paplanifikuar të administratës për qellim të vetëm të sabotimit të palës shqiptare. Në fakt, duhet vepruar në atë mënyrë që dalja në pension e administratorëve maqedonas të plotësohet me administratorë shqiptar, në mënyrë që të mos rritet borxhi publik nacional apo shtetëror dhe si pasojë vendi të /mos/ bie në krizë financiare ngjashëm me atë në Greqi.

PSP
A duhet të vazhdohet mandati i Prokurorisë Speciale Publike?
Jo vetëm që duhet të vazhdohet, por duhet të jetë në afat të pakufizuar, me mandat të posaçëm të ndjekjes së veprës penale të bartësve të funksioneve politike publike që i kanë lejuar vetes të tejkalojnë kompetencat dhe të keqpërdorin pushtetin për përfitime materiale dhe politike.

Kjo duhet të shkojë paralelisht me reformat në gjyqësi, ku duhet përforcuar përfaqësimi nacional me gjykatës dhe prokurorë shqiptarë dhe me përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në seanca dhe dokumentacionin zyrtar gjyqësor.

“Shkupi 2014”
A duhet të rrënohen ose të dislokohen disa nga objektet e projektit kontrovers “Shkupi 2014”?

Dëmi i bërë material në drejtim të harxhimit të pabazuar të mjeteve publike është i pariparueshëm dhe ka shkuar paralelisht me dëmin politik që është bërë në drejtim të provokimit të ndjenjave nacionale të kombeve dhe shteteve fqinje, sidomos të grekëve të cilët këtë e shfrytëzojnë si argument politik për bllokimin e aderimit tonë në strukturat euroatlantike.

Heqja dorë nga pretendimet për trashëgiminë kulturore dhe historike të antikitetit maqedonas, që s’kanë të bëjnë fare me maqedonasit sllavë të ardhur në Ballkan në shekullin e VII-të, do të lehtësonte jo vetëm proceset integruese, por edhe do të justifikonte demolimin institucional dhe dislokimin e monumenteve me ngjyrim antik grek, por edhe të monumenteve të figurave të historiografisë serbe, që kanë shkaktuar vrasje masive dhe gjenocid mbi popujt tjerë në Ballkan, sidomos mbi ne shqiptarët, me çka do te krijohej një klime mirëbesimi dhe prosperimi ndërmjet dy kombeve shumicë në Maqedoni, por edhe në rajon.

Qëndrimi personal
A do të hiqnit dorë nga shpenzimet për udhëtim, që të njëjtat të dedikohen për raste sociale?
Kjo duhet të jetë objekt i zgjedhjes personale të deputetit, varësisht prej largësisë së vendbanimit të tij.
A mendoni se dikush që është i dyshuar për vepra penale duhet të kandidohet në zgjedhje?
Ligjërisht mund të ndalohet vetëm kandidimi i një personi nëse ndaj tij është shqiptuar një aktgjykim dënues i formës se prerë, sepse përndryshe rrezikohet prezumimi i pafajësisë, për ndonjërin që është në ndjekje ndoshta edhe të pabazuar penale.

Por nga ana tjetër, çdo parti duhet ta kalkulojë rrezikun politik, të kandidojë funksionarët që janë në ndjekje penale nga PSP, sepse tashmë është vënë në pikëpyetje kredibiliteti i tyre moral dhe krijohet përshtypja se futja e tyre në lista bëhet për motive të sigurimit të imunitetit politik, por që nuk është i sigurtë, sepse ndërrimi i forcave politike në pushtet mund shumë lehtë të sigurojë edhe heqjen e imunitetit atyre që janë në ndjekje penale deri sa të dëshmohet fajësia apo pafajësia e tyre.

Politika e jashtme
Rusia apo SHBA-të?
SHBA dhe BE, pa dyshim. Fatkeqësisht, Rusia është akoma në kokat e disa nostalgjikëve neo-komunistë, të cilët zemrat i kanë në lindje, ndërsa kokën e kanë të kthyer kah perëndimi vetëm për përfitim të mjeteve materiale dhe jo për shkak të vlerave demokratike perëndimore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button