Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela

Në vijim mund të lexoni përgjigjet e Ziadin Sela, kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqiptarët në njësinë zgjedhore numër 6.

Ideologjia
Cilës ideologji i takoni?

Në vendet ku kanë probleme me të drejtat e njeriut, me liritë themelore, me lirinë e një populli e majta dhe e djathta konfluojnë mbi njëra tjetrën. Ne si LR-PDSH themi se jemi parti e qendrës së djathtë.

Politika tatimore
A jeni për tatim progresiv apo tatim të barabartë?

Meqë jemi parti e qendrës së djathtë realisht do të duhet të jemi për tatim të barabartë, por nuk mund të vlejnë të njëjtat rregulla që vlejnë në demokraci të konsoliduar dhe me ekonomi të zhvilluar. Mendoj se paksa progresive për momentin është ajo që i duhet më tepër Maqedonisë.

Shëndetësi
Si planifikoni t’i mbani mjekët cilësorë në shëndetësinë publike?
Do t’i rrisim rrogat e mjekëve dhe nga ana tjetër do të ketë kontroll të rreptë, që niveli i korrupsionit dhe i parave që mjekët marrin nga pacientët të jetë 0: Do të hapim ambulanca në zonat e thella malore dhe një mjek në ato zona p.sh. do ta ketë rrogën 2000 euro në mënyrë që të rrijë 24 orë dhe të ofrojë shërbim cilësor për banorët, që në kushte dimri edhe bllokohen dhe s’lëvizin dot me muaj të tërë.
A jeni për zvogëlim të obligimeve financiare për specializantët, të cilët janë ngarkesë shumë e madhe për mjekët e ardhshëm nga zona të varfra dhe shkaktojnë diskriminim në bazë sociale në zgjedhjen e profesionit të atij lloji?
Po, jemi për heqjen e obligimeve financiare.
Integrimi i të rinjve
Si do të veproni që të rinjtë të interesohen të qëndrojnë e të punojnë në vend dhe të kthehen ato që janë larguar nga vendi?
Është shumë komplekse, sepse do të duhet në të gjitha veprimtaritë shoqërore të veprohet. Fillimisht duhet të sjellim lirinë, stabilitetin, mirëqenien; Do të sigurojmë jetën e të rinjve duke i hequr kriminelët që shëtisin lirshëm; Do të depolitizojmë universitetet; Do të përshtatim arsimin e mesëm profesional me nevojat e tregut. Ky arsim i mesëm do të jetë më shumë praktikë sesa teori, p.sh. tre ditë do të jetë praktikë dhe vetëm dy ditë teori. Sepse ne po ngelim pa zanatçi me këtë sistem arsimor e nga ana tjetër hiper-prodhohet kuadër i lartë universitar; Çdo komunë do ta ketë zonën e lirë ekonomike, në mënyrë që të kthejmë kapitalin e mërgatës shqiptare për të investuar.

Punë dhe politikë sociale
Cila është strategjia për qëndrueshmëri të fondit pensional?
Kuptohet se duke e rritur numrin e të punësuarve dhe duke e ulur papunësinë çdo herë ke fond pensional më të qëndrueshëm.

Mjetet që janë të dedikuara për një çështje do të duhet të qëndrojnë aty dhe jo të shfrytëzohen për të plotësuar deficitin buxhetor. Gjëra të tilla ndodhin vetëm në qeveritë, ku nuk kontrollohen harxhimet dhe nuk sillet buxhet konform të hyrave. Në Maqedoni ku mbi 30% e popullatës është pa punë dhe ku jeta mesatare është rreth 74 vjet, ndërsa pensionerët paguhen nga kontributet që japin të punësuarit, realisht do të krijohet një deficit.

Sa duhet të jetë paga minimale?
Pas zgjedhjeve mendojmë se paga minimale duhet të jetë 15 000 den.

Të drejtat njerëzore
Barazi gjinore: Cili është qëndrimi Juaj për barazinë mes mashkullit dhe femrës në shoqëri dhe a duhet të paguhet njësoj si mashkulli ashtu edhe femra?

Ne jemi për barazi të tërësishme gjinore. Bile edhe si subjekt politik shumë shpejtë pas këtyre zgjedhjeve LR-PDSH do të jetë e strukturuar në të gjitha nivelet me 50% meshkuj dhe 50% femra. Në qoftë se kryetari do të jetë mashkull, nënkryetarja do të jetë femër dhe e kundërta. Do të fillojmë prej këtu, në mënyrë që kjo të reflektojë edhe në ekzekutiv edhe në lista, në zgjedhjet lokale dhe gjithçka.

Aborti: A duhet të mbetet legal aborti dhe të rriten të drejtat e grave për të sjellë vendime të pavarura?
Aborti duhet të ngelë në dorën e një femre. Sido që të jetë, vendimi duhet t’i takojë nënës dhe duhet të ketë mundësi, bazuar në shkencë dhe ligje se si duhet bërë kjo punë.
LGBT: A duhet të kenë të drejtë martese homoseksualët në Maqedoni?
Ne jemi parti e djathtë dhe mendoj që gjërat të cilat nuk janë të natyrshme nuk është mirë t’i ndodhin një shoqërie. Ne jemi për martesë ndërmjet meshkujve dhe femrave.
Ambienti jetësor
Si duhet të ballafaqohet Maqedonia me ndotjen dhe a keni strategji për burimet e ripërtëritshme të energjisë? Nëse po, cila është ajo?

Ministria e Ekologjisë nuk duhet të rrijë dhe vetëm t’u thotë komunave çfarë duhet të bëjnë. Por disa komuna duhet të kenë deponi të rregulluar sipas standardeve dhe kjo të bëhet nga arka e buxhetit shtetëror. Në këtë formë do të ruhet mirë ambienti jetësor. Dhe kështu do të hapim rrugë që të hiqen burokracitë, që të vijnë investitorët e t’i shfrytëzojnë këto mbeturina që kanë të bëjnë me burimet e ripërtëritshme të energjisë. Dhe nga ato mbeturina të mund të prodhohet pastaj gaz, vaj etj.

Ndotësit e ajrit, që i dimë cilët janë, nuk do t’i lejojmë të punojnë për as një moment pa i vendosur filtrat.

Do të stimulojmë investimet në gazifikimin e të gjitha amvisërive, sepse në këtë mënyrë jo vetëm që kosotja e harxhimeve do të jetë më e ulët, por do të ruhet ambienti jetësor duke u ndaluar prerja e drunjve për ngrohje etj.

Religjion
A jeni fetar?

Besoj në Zot dhe besimi im ka të bëjë me Zotin, me intimen time.

Administratë
Cila është strategjia Juaj për administratën e stërmbushur? A do të angazhoheni që ta zvogëloni numrin e administratorëve? (Përgjigjuni në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë!)

Aleanca për Shqiptarët nuk do të nxjerr nga puna asnjë shqiptar që është i punësuar në administratë. Vlerësoj që administrata është e stërmbushur, por jo nga shqiptarët, është e stërmbushur nga maqedonasit. Ne zotohemi që do të sjellim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe ky ligj do të sillet brenda 100 ditëshit të parë të qeverisjes. Nëpërmjet ligjit do të definohet saktë se çfarë do të thotë përfaqësim i drejtë dhe adekuat, a është punësim vetëm i rojeve dhe punëtorëve të nivelit më të ulët apo edhe në nivele udhëheqëse. Në ligj do të ketë edhe sanksione për drejtorin dhe ministrin, i cili nuk e respekton ligjin.

Ideja jonë është që në qoftë se p.sh. Tetova ka 50% shqiptarë, atëherë në të gjithë institucionet që veprojnë në kuadër të komunës së Tetovës edhe institucionet e pushtetit qëndror, ministritë rajonale, gjykata, policia të ketë 50% të punësuar, në të gjitha nivelet. Ndërsa nëse ka 10% maqedonas të ketë 10%. Në këtë formë shumë shpejtë, një pjesë e madhe e administratës do të shpallet tepricë teknologjike. Por kjo bën që në të ardhmen edhe kur të hapen konkurset patjetër të jetë i garantuar edhe sistematizimi, vendi i punës që do të jetë për shqiptarë, për maqedonasë, romë, turq…

PSP
A duhet të vazhdohet mandati i Prokurorisë Speciale Publike?

Prokuroria Speciale Publike duhet të jetë kategori kushtetuese ashtu siç çdo gjykatë duhet të ketë njësi të veçantë brenda saj, e cila do të merret me krimin politik dhe korrupsionin politik dhe do të ndjek politikanët. Këto gjykatës do të trajnohen në gjykatat e BE-së, në mënyrë që në një lloj forme dalë ngadalë do të sjellim drejtësinë evropiane edhe këtu në Maqedoni. Madje qëndrimi ynë, që kur dolën përgjimet e para ka qenë që në Maqedoni të vijnë gjykata evropiane të tipit të Eulex-it.

Prokuroria Speciale Publike duhet të futet si kategori kushtetuese, që të mos varet nga votat e kryetarëve të partive politike, të cilët për t’i ikur përgjegjësisë për krimet dhe shkeljet e ligjit, tani mundohen të mobilizojnë njerëz dhe duan 63 deputetë që ta heqin PSP-në.

Mendojmë që duhet patjetër shteti i së drejtës të kthehet, besimi i qytetarëve në institucionet e së drejtës të kthehet, të zgjidhen procese të montuara politike, të dëmshpërblehen shqiptarët që kanë vuajtur burg pa faj tërë këto vite dhe ato që kanë ndihmuar procese të montuara politike të përfundojnë në burg, në mënyrë që kurrë në të ardhmen të mos përsëriten gjëra të këtilla.

 “Shkupi 2014”
A duhet të rrënohen ose të dislokohen disa nga objektet e projektit kontrovers “Shkupi 2014”?

E kam dhënë një ide, që kur kam qenë deputet. Po, mendoj se çdo qyteti i takon nga një shesh, nga një përmendore. P.sh. Justiniani, që bota e njeh si shqiptarë duhet të jetë në një nga sheshet e qyteteve shqiptare. Në këtë formë çdo qytet do të bëhej me një shesh dhe do të humbte kuptimi dhe qëllimi pse u bë “Shkupi 2014”.

Por të mos kemi asnjë dilemë, pas “Shkupit 2014” fshihet vjedhja e parave të qytetarëve, sepse veprat e artit nuk kanë çmim. Prandaj kjo ka qenë forma më e mirë se si këto banditë/partitë të vjedhin para.

Jo vetëm që duhet dislokuar dhe qendrës së Shkupit t’i kthehet imazhi që ka pasur, por duhet që dikush të kthejë paratë që ka vjedhur nga qytetarët. Kjo bëhet nëpërmjet PSP-së dhe shtetit të së drejtës.

Qëndrimi personal
A do të hiqnit dorë nga shpenzimet për udhëtim, që të njëjtat të dedikohen për raste sociale?

Ne do të heqim dorë edhe nga pagesa që bëhet për partitë politike tani pas zgjedhjeve. Çdo votë paguhet nga shteti me një shumë të caktuar. Këto para do t’ua ndajmë familjeve në nevojë, rasteve sociale. E nga ana tjetër mendoj që shtresat sociale të prodhuara nga një pushtet jodemokratik dhe jopopullor, do të duhet të kenë trajtim të veçantë nga ana e qeverisjes së ardhshme, për shembull në të gjitha zonat malore të thella, rastet sociale që nuk kanë asnjë të punësuar në shtëpi do ta kenë pa para energjinë elektrike, ujin dhe mbledhjen e mbeturinave, në mënyrë që të sigurohen kushte minimale për jetesë.

Edhe për rastin konkret, unë jam bartës i funksionit publik, për momentin jam kryetar komune dhe në këtë formë kam funksionuar në komunën e Strugës. Ajo që më takon mua me ligj si kryetar komune është më tepër në shërbim të qytetarëve.

A mendoni se dikush që është i dyshuar për vepra penale duhet të kandidohet në zgjedhje?
Jo, assesi. Ato të cilët kanë qenë të dyshuar duhej sot të ishin para organeve të prokurorisë dhe organeve të drejtësisë.

Po hymë në zgjedhje me të njëjtët kriminelë dhe manipulator, të cilët i manipuluan zgjedhjet e 2014-tës dhe nuk ka garancë se nuk do të manipulojnë përsëri derisa hynë me të njëjtën logjikë, me të njëjtët liderë të partive politike, pa marrë përgjegjësi askush. Kjo vështirëson zgjedhjet, sepse tani kanë hyrë në zgjedhje jo për t’i bërë ofertë popullit, por për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe pasurinë e tyre duke marrë mandat dhe imunitet prej popullit.

Fakti se këto janë në zgjedhje tregon se marrëveshja nuk ka funksionuar, shteti i së drejtës është shumë larg për t’u vendosur, PSP nuk ka funksionuar sepse ka pasur bllokada nga gjykatat e politizuara.

Them se populli duhet fillimisht t’i dënojë me votë, në mënyrë që pastaj të hapet rrugë kthimit të shtetit të së drejtës.

Politika e jashtme
Rusia apo SHBA-të?

Gjithmonë SHBA-të. Rusia u duket atraktive kriminelëve, njerëzve që punojnë kundër të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Shumica e shqiptarëve dhe shumica e popullit në Maqedoni janë nga SHBA-të dhe kështu duhet të jetë. Në qoftë se maqedonasit bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër atëherë këtë le ta bëjnë pa shqiptarët, sepse në atë moment Maqedonia do të ndahet. Ne do të ngelim me SHBA-të dhe me NATO-n.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button