Mustafa thotë se po përkushtohet të vazhdojnë parimet e promovuara nga Rugova

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 72 vjetorit të lindjes.

“Republika e Kosovës dhe populli i saj shprehin respektin për jetën dhe veprën epokale të Presidentit Rugova, i cili me vizionin, vendosmërinë dhe lidershipin e tij, e udhëhoqi Kosovën drejt realizimit të synimeve shekullore për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka thënë Mustafa në mesazhin e tij, transmeton Koha.net.

Mustafa tha se Rugova ka qenë themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, sikur që u bë edhe simbol i rezistencës.

“Si themelues i shtetit të Kosovës dhe arkitekt i pavarësisë, Ibrahim Rugova u bë simbol i rezistencës së qytetarëve të Kosovës, duke pasur përkrahjen e të gjithë popullit të Kosovës, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore”, shtoi Mustafa, që më tej foli edhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ashtu si të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në Kosovë, janë të përkushtuar për fuqizimin e shtetit të pavarur, për thellimin e miqësisë me SHBA-të si dhe për integrim të plotë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, vlera shtetërore dhe parime demokratike të përfaqësuara dhe të promovuara nga Presidenti Rugova”, përfundoi Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button