Matematikat zgjedhore, zona numër 1

Konfiguracioni i zonës. Njësia zgjedhore numër një përfshin gjysmën e qytetit të Shkupit dhe disa komuna rurale si Studeniçani e Sopishta. Si shembull i paradoksit të sistemit zgjedhor në Maqedoni kësaj njësie i takon edhe Makedonski Brodi, që nuk ka asgjë të përbashkët me pjesën tjetër të zonës përveç një kufiri të gjatë malor.

Demografikisht zona është dominante maqedonase, por megjithatë ka numër të konsiderueshëm shqiptarësh, sepse përfshin gjysmën e komunës së Çairit, Sarajin dhe Studeniçanin. Me përjashtim të një numri të vogël votash nëpër komunat tjera, rezultatin zgjedhor tek partitë shqiptare në këtë zonë e përcaktojnë këto tre komuna.

Zgjedhjet e mëparshme. Në zonën numër 1 shqiptarët marrin rreth 20% të votave. Numri i votave shqiptare ka shkuar duke u rritur, por është stabilizuar në rreth 39 mijë në dy palë zgjedhjet e fundit. Duke marrë parasysh që në këto zgjedhje numri i votuesve në Saraj e Çair “magjikisht” është zvogëluar për 1500 njerëz, edhe këtë rradhë duhet të pritet që partitë shqiptare të fitojnë përafërsisht numër të njëjtë votash, pra 39 mijë. Gjithsesi kjo do varet edhe nga numri i votuesve shqiptarë që këtë rradhë mund të mbështesin LSDM-në.

Me këtë numër votash njësia numër 1 zakonisht nxjerr 4 deputetë shqiptarë. Përjashtim ka qenë viti 2011 kur kanë dalur vetëm 3 deputetë shqiptarë.

Si çdokund tjetër, BDI përherë ka dalë fitimtare në zonën numër 1. Në vitet 2008 dhe 2014 ajo ka mposhtur PDSH-në 3:1, ndërsa në vitin 2011 ka fituar 2:1. Ja tabela e votave në tre zgjedhjet e fundit parlamentare.

  2008 2011 2014
BDI 23.200 19.400 26.600
PDSH 11.400 10.200 11.600
RDK 5.100 700
DR 4.300

 

Për të fituar një deputet në zgjedhjet e fundit janë dashur 8.300 vota. Me dalje të njëjtë për dy deputetë do të duhen 16.600 dhe për tre deputetë 24.900.

Matematikat e BDI. Publikimi i bombave dhe paraqitja e partive të reja në skenën politike padyshim e kanë dëmtuar rëndë BDI-në. Është konsenzus i përgjithshëm se ajo, njëlloj si në vitin 2011, më nuk ka mbi 50% të votave shqiptare, madje me gjasë ka rënë shumë më tepër. Kjo automatikisht do të thotë se rezultati i arritur në vitin 2011 (19 mijë vota) është një lloj maksimumi tepër optimist për këtë parti.

Në kësi rrethanash BDI lirisht mund të harrojë deputetin e tretë në njësinë numër 1. Sfida e saj e vërtetë do të jetë ruajtja e deputetit të dytë. Nëse hipotetikisht ajo ka 40% të votave shqiptare, menjëhere bie në 16.000 vota, me çka humb deputetin e dytë.

Pyetja e vërtetë tani është nëse BDI i ka ruajtur të paktën 15.000 votuesit që i ka patur në Saraj e Çair në vitin 2011, sepse për përsëritje të rezultatit 2014 as që mund të bëhet fjalë. Nëse i ka akoma me vete këta njerëz në Saraj e Çair, Studeniçani dhe ato pak vota në Sopishte e Karposh mund t’ia sigurojnë deputetin e dytë. Por nëse ka humbur të paktën 10% të votuesve që ka patur në Çair e Saraj, atëherë BDI do ngelet me një deputet. Ky skenar është edhe më i pritshëm nëse partia ballafaqohet me klane të pakënaqura në Saraj e Çair, sado të vogla qofshin ato.

Matematikat e PDSH. PDSH në këtë njësi ka patur një elektorat tejet stabil që përherë i ka garantuar një deputet. Këtë komoditet ajo e ka ruajtur edhe kur është tronditur nga DR-ja në vitin 2011. Në pamje të parë pra mund të duket se PDSH përsëri ka një deputet të garantuar në këtë zonë.

Megjithatë shkëputja e krahut të Zijadin Selës është një fenomen kualitativisht indryshëm nga ai i DR-së. Bombat dhe zhvillimet e fundit nxorrën në shesh afërsinë e partisë me VMRO-në dhe BDI-në. Prandaj ndryshe nga viti 2011 kur PDSH përdorte këtë kartë kundër Imer Selmanit, tani i duhet të përballet vetë me këtë akuzë.

Sfida e PDSH-së pra është ruajtja e deputetit në këtë zonë dhe asgjë më tepër. Potezi taktik i saj është vendosja e bartësit të listës nga Çairi për të qenë më konkurent aty. Këtë hap ia kanë bërë më të lehtë partitë tjera, sepse asnjëra nuk ka më bartës liste nga Saraji. Nga ana tjetër komoditet PDSH-së duhet t’i japë Studeniçani. PDSH kontrollon këtë komunë dhe ajo është ndër të rrallat ku PDSH ka shtuar votat në vitin 2014.

Sidoqoftë shifra magjike e PDSH-së është 70%. Nëse ka mbajtur 70% të votuesve të saj nga Saraji e Çairi, PDSH mund të llogarisë një deputet, përndryshe gjithë votat e saj në këtë zonë do të digjen.

Matematikat e “Aleanca për SHQIPTARËT”. Aleanca për shqiptarët përbën elementin më interesant në këtë njësi. Nga njëra anë ajo do të tërheqë vota nga PDSH-ja në Saraj e Çair (më pak në Studeniçan). Nga ana tjetër pjesë e kësaj aleance është edhe Uniteti, madje në këtë njësi ajo kryeson listën, që do të thotë se Aleanca mund të shkëpusë vota edhe nga BDI-ja.

Strategjia optimale për Aleancën është të përvetësojë një sasi votuesish të PDSH-së nga Çairi e Saraji, ndërsa në Studeniçan ku PDSH është më stabile votat duhet të vijnë nga ish-votuesit e BDI-së. Në këtë drejtim Aleancës mund t’i kushtojë shumë fakti që nuk ka kandidatë në pozita fituese nga Saraji e Çairi, por mund të përfitojë nga bartësi i listës i cili mund t’i sigurojë votat e duhura nga Studeniçani.

Në secilin rast Aleanca duhet t’iu marrë konkurentëve nga 50% të votave, pra 50% të votuesve të PDSH-së në Saraj e Çair dhe 50% të votuesve të BDI-së në Studeniçan. Me këto raporte ajo mund të sigurojë deputetin e parë. Deputeti i dytë është i pamundshëm pa hyrë thellë në elektoratin e BDI-së, gjë që Aleanca vështirë se e ka bërë në këtë njësi zgjedhore.

Matematikat e “RILINDJE ME BESË”. BESA është e panjohura më e madhe në këto zgjedhje, sepse është subjekt totalisht i ri që nuk rrjedh nga asnjë krah i partive të vjetra. Por duket se ajo seriozisht i ka hedhur dorezën e duelit BDI-së dhe ka depërtuar kryesisht në territor të saj. Prandaj matematikat e Besës duhet të bëhen kryesisht si proporcion i votuesve të BDI-së që kanë ikur në këtë parti, e deri diku edhe të DR-së e RDK-së nga 2011.

Pyetja milion-dollarëshe për Besën është përqindja e votuesve të BDI-së që ajo ka kthyer kah vetja. Nëse Besa i ka siguruar gjysmat e votuesve që në 2011 kanë votuar DR-në e RDK-në, atëherë mjafton që t’i marrë vetëm 20% të votesve të BDI-së për të siguruar një deputet. Për momentin ky duket skenari më i kapshëm për Besën, por gjithçka bëhet më dramatike nëse ajo ka depërtuar thellë te trupi votues i BDI-së në Çair e Saraj. Nëse romansa me VMRO-në e ka tronditur BDI-në më thellë se ç‘mendohet dhe ka shkaktuar migrim masiv të votuesve të saj nga Çairi e Saraji te Besa, mund të ndodhë që Besa të luftojë për deputetin e dytë ndërsa BDI për të mbrojtur të parin.

Rezultatet e mundshme. Nëse votat shqiptare ndahen me precizitet kirurgjik, ka mundësi teorike që secila parti këtu të fitojë nga një deputet, me çka ruhet totali i katër deputetëve shqiptarë. Një skenar i zi mund të ndodhë në kahje të kundërt: tre parti të kenë nga 8.000 vota dhe e katërta 15.000 mijë. Kështu del vetëm një deputet shqiptar, ndërsa rreth 30 mijë vota digjen totalisht. Faktor shtesë komplikues mund të paraqesë LSDM-ja e cila mund të tërheqë një numër votuesish shqiptarë, sidomos nga “lluft”-votat shqiptare të Sopishtes, Karposhit, Qendrës e Aerodromit.

Rezultati real megjithatë do të jetë diku në mes. Unë mendoj se partitë shqiptare në këtë njësi do të nxjerrin dy ose tre deputetë. Grumbulli i madh i ish-votuesve të BDI-së dhe votuesve fluidë të DR-së e RDK-së ju japin përparësi BDI-së e Besës për të fituar nga një deputet. I treti duhet të kërkohet nga beteja mes PDSH-së e LR-PDSH-së, të cilët në rastin më të keq mund të ngelin pa asnjë deputet.

Çka të ndiqni natën e zgjedhjeve. Nëse BDI bie nën 7.000 vota në Saraj e Çair (pjesa që bie në zonën 1), atëherë ajo i ka punët pisk në këtë zonë dhe me siguri ka humbur deputetin e dytë. Po nga këto komuna duhet të vijë korpusi kryesor i votave të Besës, të cilës i duhen të paktën nga 4.000 vota në secilën për rehati. Në Çair duhet të ndiqet edhe efekti i kandidimit të Idriz Oranës, që poashtu do t’i duhen të paktën 4.000 vota nga Çairi.

Në Studeniçan vlen të përcjellet beteja PDSH-Aleanca. Për të dy këto parti Studeniçani paraqitet si komunë kyçe, e cila duhet t’iu sigurojë votat vendimtare për deputet. Të dy partitë këtu duhet të sigurojnë nga 2000 vota për të mbetur në garë.

Këtë vit është interesante të ndiqen edhe votat e LSDM-së në Saraj. Saraji është komuna më e pastër shqiptare në këtë zonë dhe do të japë indikatorin më të mirë se sa do të mbështesin shqiptarët këtë parti.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button