Mbjellësit e shpresës së mirë

Më në fund i pamë bashkë. Dy liderët të cilët këtë dhjetë vjetësh i prinë politikës së imët shqiptare në Maqedoni. Në ceremoninë që presidenti i Kosovës kishte ardhur të ndaj dekorata e medalje. Hynë në sallë të përcjellë me duartrokitje të forta. U ulën afër njëri tjetrit, të rrethuar me pasuesit e shumtë të tyre. Pritëm t’ia shtrijnë dorën njëri-tjetrit e të thonë se koha është që ky popull të jetë i bashkuar e meqë ne të dy nuk ia dolëm t’i bashkojmë, hajt të largohemi e të vendosemi në ndonjë faqe të historisë e t’i lëmë njerëzit më të rinj që do të dinë t’i prijnë më me sukses këtyre njerëzve të mirë, këtij popullit tonë të lodhur e të përvuajtur. Ne pritëm, por nuk ndodhi ashtu. Përkundër të gjitha pritjeve e rregullave ata njëherë ndenjën ulur e nuk folën. Para tyre qëndronte presidenti i Republikës së Kosovës

– Kemi duruar shumë… – tha njëri në foltore, pasi e mori dekoratën, ani se askush nuk e priste që atë ditë të fliste, sepse ishte një ditë kur duhej të ndaheshin mirënjohje e dekorata për disa njerëz që kanë dhënë kontribut për kulturën, arsimin, po edhe për merita për përpjekjet e popullit shqiptar për lirinë e Kosovës, por ky nuk mundi pa shfrytëzuar rastin që ta përdorë tribunën për qëllime parazgjedhore. – Ne kemi qenë bashkë… kemi qenë themelues… unë më shumë e njoh vendlindjen e kryeministrit sesa vendlindjen time… Shkurt, i tha disa fjalë të njohura për ne. Por shtoi edhe diçka që shkonte në rrjedhën e fushatës parazgjedhore. Dihet, pasuan duartrokitjet.

Tjetri doli pastaj ta marrë dekoratën dhe meqë foli i pari, natyrisht se do të fliste edhe ky. Dhe, tha se presidenti i Kosovës e ka meritën më të madhe që arriti t’i bashkojë ata që kanë luftuar dhe ata që nuk kanë luftuar. Pas kësaj duartrokitje të forta. Këtë e tha, e presidenti replikoi. Presidenti i tha këtij se duhet të bashkohen edhe këta siç janë bashkuar „ata që kanë luftuar dhe ata që nuk kanë luftuar“. Kjo mjaftoi që pas një kohe të shkurtër ky lider bashkë me pasuesit e tij të largohen.

– Si ndjehesh? në pyet një mik pasi përfundoi solemniteti.

– Nuk ndjehem si duhet.

– Pse?

– E ndjej një boshllëk, kam një shije të hidhët, or mik

– Pse? A për liderët e ke?

– Po de.

– Bosh ver…

– Po, më duket se i ra një mjegull këtij solemniteti. Edhe këtu dominuan rivalitetet partiake, të cilat e ndoqën një pjesë të mirë të jetës sonë mu në ato vite kur shpresonim se liria po afrohej. Kjo e sotmja… nuk e di.

Miku im hesht. Kur përmenden partitë tona grindavece shumica nuk ndjehen mirë. Partitë na duhen të bashkupunojnë, jo të grinden, kurse liderët nuk na duhen të jenë të amshueshëm. Po që nuk ndjehen mirë njerëzit e thjeshtë, kush lodhet, ndërkaq shko e fole një fjalë a një vërejtje për liderët, mbaju mirë. Nuk është ky vend ku fjala e mirë, e urtë ajo që i hap shtidhet drejt një bote më të mirë. Fjala e urtë këtu të merr në qafë.

– Hm.

– A po vjen ta pimë një kafe?

– Jo. Pas kësaj, jo.

Para nesh është Vardari. I turbullt. Nisem për në shtëpi.

Në parking njerëzit ma urojnë medalen. Dhe, atëherë e shoh se populli i çmon mirënjohjet. Atëherë i lashë anash liderët dhe u ndjeva krenar për medaljet që presidenti u ndau burrave të veçantë që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare dhe letërsisë shqipe, si: Murat Isaku, Abdylazis Islami, Ramadan Sinani, Qerim Arifi, Myedin Hadri, Mehmet Gega e të tjerë.

Krenohem me këta burra.

Këta janë mbjellësit e shpresës së mirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button