Zbusin diskurset personalitetet që ishin kundër Donald Trump

Pas zgjedhjes së Donald Trump si presidenti i 45-të i SHBA-ve, shumë politikanë dhe artistë tashmë kanë zbutur qëndrimet e tyre ndaj Trumpit dhe kanë dhënë mesazhe pajtimi. Disa të tjerë, nga ana tjetër, kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për ta parandaluar zbatimin e politikave të premtuara nga Trump, raporton Anadolu Agency (AA).

Figura të spikatura të Partisë Republikane të cilët u distancuan nga Trump për shkak të deklaratave të tij që shqetësuan migrantët, pakicat, gratë, muslimanët dhe hispanikët dhe për shkak të pohimeve për sulme seksuale, po i zbusin qëndrimet e tyre.

Senatori republikan Lindsey Graham në deklaratën e tij në Twitter bëri të ditur se nuk e ka votuar Trumpin të cilin e kishte kritkuar gjatë tërë fushatës. Në deklaratën që erdhi më pas, ai e uroi Trumpin dhe theksoi se do të bashkëpunonin.

“Tani kemi një vend për ta qeverisur. Na presin shumë provime. Do t’i dalim në ndihmë Trumpit i cili është zgjedhur president”, u shpreh ai.

Po ashtu edhe Paul Ryan, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve i cili kritikoi Trumpin për diskursin e tij ndaj migrantëve dhe grave dhe ishte tërhequr së përkrahuri, u tërhoq nga qëndrimi i tij i mëparshëm.

Duke i quajtur këto zgjedhje “Zgjedhjet më të pabesueshme në jetën e tij”, Ryan tha se “Donald Trump dëgjoi atë që se dëgjoi askush dhe arriti te njerëzit në një mënyrë si askush tjetër”.

Gjithashtu, ish-guvernatori i Floridas dhe konkurrenti i Trumpit Jeb Bush uroi fitoren e Trumpit, duke thënë se “Do të lutim për Trump si president i yni”.

Mitt Romney, ish-kandidati për president në vitin 2012 nga Partia Republikane i cili ksihte konsideruar se politikat e Trumpit do të shkaktojnë krizë ekonomike, ia ka zgjatur dorën Trumpit.

“I shpreh urimet më të mira presidentit tonë të zgjedhur me të drejtë. Shpresoj që fjalimi i tij i fitores të jetë udhërrëfyesi i tij dhe vazhdimi i synimeve të partisë sonë”, u shpreh Romney.

“Më vjen keq, por kjo është Amerika”

Shumë media të cilët parashikuan gabimisht rezultatet e zgjedhjeve dhe mbështetën Hillary Clintonin, po përpiqen ta tejkalojnë tronditjen e zgjedhjeve.

Në artikullin vetëkritik në gazetën New York Times e cila u kritikua për mosfitoren e kandidatit të mbështetur dhe për parashikimet jo të qëlluara, është pranuar se gazetat kanë ngelur prapa edhe krahas teknologjisë dhe modelimit të sofistikuar.

“Gazetat sërish ngelën edhe prapa lajmit, edhe prapa shtetit”, thuhet në artikull, duke vazhduar më tej se shifrat dhe analizat e bëra në gazeta dhe qendrat televizive kanë huqur parashikimet.

“Gazetarët nuk i vënë në pikëpyetje anketat, duke qenë se ato treguan rezultatin që dëshironin. Menduan se Trump nuk do të fitojë edhe për miliona vite. Simpatizantët e Trumpit i portretizuan si persona që janë shkëputur me të vërtetën. Në fund u pa se ishte krejt e kundërta”, theksohet në artikull.

Ndërkaq, në artikullin në gazetën Washington me nënshkrimin e Monica Hesse me titullin “Pushoni së thëni se kjo nuk është Amerika ime. Më vjen keq, por kjo është Amerika”, u theksua se rezultati ishte zgjedhja e popullit.

Duke u shprehur se “kjo nuk ishte gjendje të cilën deshëm ta përjetojmë shumica prej nesh”, Hesse ka theksuar se fushata e Clintonit u zhvillua mbi idenë se vlerat që mbron Trump “nuk përfaqësojnë Amerikën dhe Amerika është më e mirë se kjo”, megjithatë, siç tha Hesse, kjo doli e pasuksesshme.

“Çka nëse Amerika vërtet nuk është më e mirë se kjo. Çka nëse kjo është Amerika e vërtetë?”, ka thënë Hesse.

Thirrja e artistëve për “vazhdim të përpjekjes”

Artistja e famshme Madonna, e cila është zhgënjyer nga fitorja e Trumpit” ka publikuar xhirimin nga protesta kundër Trumpit në New York. Në xhirim dëgjohet se si qindra protestues bërtasin “Nuk është presidenti im”.

Nga ana tjetër, Katy Perry ka vendosur fotografi të zezë në llogarinë e saj në Twitter për shkak të zhgënjimit. “Mos rrini në një vend. Mos qani. Lëvizni. Ne nuk jemi komb që do të lejojmë të na udhëheqë urrejtja”, është shprehur ajo.

Artisti dhe producenti televiziv Seth MacFarlane, po ashtu, në deklaratën në rrjetet sociale ka thënë se “Disa persona nuk e donin Bushin, e disa Obamën. Megjithatë, kësaj radhe është ndryshe. Shumë persona frikohen, e kjo është një gjë e re”.

Aktorja Jennifer Lawrence, duke e ndarë pikëllimin e shkaktuar nga rezultatet e zgjedhjeve, ka thënë se “Nuk mund ta fajësojmë askënd. Nuk duhet të dalim e të protestojmë rrugëve. Tani e tutje duhet të fokusohemi në atë se çfarë mund të bëjmë në të ardhmen, sepse nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën”.

Ylli i NBA-së Lebron James i cili mbështeti Hillary Clintonin gjatë fushatës së saj, ishte njëri nga figurat e famshme që bënë thirrje për vazhdimin e ‘luftës’ pas fitores së Trumpit.

James ka kritikuar Trumpin për deklaratat e tij në lidhje me afro-amerikanët, pakicat, muslimanët, gratë dhe migrantët. “Mos e humbni aspak besimin. Gra dhe pakica, ky nuk është fundi, por vetëm një pengesë të cilën duhet ta tejkalojmë së bashku”, ka thënë James.

De Niro heq dorë nga vendimi i tij për ta grushtuar Trumpin

Aktori i famshëm Robert De Niro, në programin e drejtuar nga Jimmy Kimmel në televizionin ABC u pyet nëse ende dëshiron ta grushtojë Trumpin.

“Tani nuk mund ta grushtoj sepse është president. Jam i detyruar ta respektojë këtë pozitë. Do të presim e ta shohim se çfarë do të bëjë. Shumë njerëz janë të pikëlluar dhe po protestojnë në shumë vende”, u përgjigj ai.

Shkrimtari i famshëm Stephen King, në deklaratën e tij në Twitter pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve tha se “Tani më për një kohë nuk do të ketë rekomandime për libra, politikë ose fotografi zbavitëse me qen. Po e mbyll”.

Disa figura gëlltitën prapa fjalët

Pop këngëtarja Miley Cyrus e cila kishte thënë se “do ta braktis vendin nëse zgjidhet Trump”, pas zgjedhjes së Trumpit tha se “Nëse dëshirojmë që Trump të na pranojë ne, atëherë edhe ne duhet ta pranojmë premtimin e tij për bashkimin e vendit dhe për ta bërë Amerikën sërish të madhe”.

Ndërkaq, Emma Wattson, aktorja që fitoi famë me filmat e Harry Potterit, njëherësh Ambasadore e Vullnetit të Mirë e OKB-së, e cila ka përkrahur Clintonin në mënyrë që presidenti i 45-të i SHBA-ve të jetë grua, ka dhënë mesazhin se “Tani e tutje do të luftoj edhe më shumë për vlerat në të cilat besoj”.

Nga artistët e paktë që përkrahën Trumpin ishte rap-këngëtarja Azealia Banks. Pas fitores së kandidatit që përkrahte, ajo bëri një postim në median sociale.

“U rehatova shumë. Isha e detyruar të luftoja me shumë marrëzi për shkak se përkrahja Trumpin. E mposhtëm median liberale”, është shprehu Azealia Banks.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button