Çfarë na mësoi Trump?

TË SHOKUAR!!! ABSOLUTISHT PA FJALË!!!
DOKTRINA “TRUMP” KA TRONDITUR SISTEMIN INTELEKTUAL TË TË MENDUARIT… TË GJITHA KATEDRAT E MJESHTRAT E PERCEPTIMIT PUBLIK SAPO KANË MARRË NOTËN 0!!!

Ky është mendimi i parë që më vjen në mendje që nga ora 3 e mëngjesit me orën shqiptare e datës 09 Nëntor tek ndiqja live në BBC e CNN atë që po ndodhte, e deri këto 48 orë pas përfundimit të garës më të fortë, më spektakolare dhe padyshim më shokuese në historinë moderne të zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Siç e kam shprehur më përpara edhe në një tjetër shkrim timin, e kam ndjekur këtë garë elektorale me një pasion dhe kuriozitet shumë të madh në pothuajse të gjitha hapat e saj. Kjo ngjarje është shkollim dhe arsimim më vete. Një kolegj politik prej të cilit jo vetëm ne që e jetuam dhe po e jetojmë live, por edhe gjeneratat që do të na pasojnë do të mësojnë jashtëzakonisht shumë.

Isha dhe jam me Hillary-n dhe nuk heq asnjë presje…

Shumë kush nga miqtë e mi me të cilët kemi bashkëbiseduar këto ditë më ka pyetur se përse kisha zgjedhur Hillary-n? Përtej shumë arsyeve për konceptim vizionesh, (të cilat i kam shpjeguar në shkrimin me titull “I’m with HER!!!”), përtej arsyeve nga më emocionalet që fillojnë nga detyrimi kombëtar për atë që familja Klinton bëri për Kombin tonë, përtej nostalgjisë së rritjes në një kohë kur heroi i ditës ishte Bill Clinton, përtej animit më shumë në vizionin dhe mendimin e liderëve të fortë të partisë demokrate amerikane, ku kam parasysh dashurinë e madhe për Franklin Delano Roosevelt, John F. Kenned-yn, e përtej efektit që të japin ngjarjet historike, arsyeja madhore që më anoi përkrah Hillary-t ishte vizioni për “open mind”. Personalisht në formimin tim, përpiqem të edukoj veten pa barriera. Sa herë kam provuar të kundërtën kam dështuar. Unë mendoj se kulturat nuk duhet të ngrejnë kurrë mure. Izolacioni gjithmonë sjell dështim, – e theksoj ky është mendimi im. – Mbyllja është frikë e frika është injorancë. Mbyllja është paragjykim, e paragjykimi si koncept sjell ngërç në zhvillimin e individit e shoqërisë në tërësi.

Por çfarë mësova unë dhe çfarë na mësoi Donald Trump?

Unë mendoj se Donald Trump hyri në këtë lojë si një mjeshtër i biznesit dhe po sipas mendimit e vlerësimit tim personal, absolutisht ai është një nga mësuesit e profesionistët modernë bestseller më të rrallë sot të artit të marrëveshjes.

Në këtë fushatë, ai rezultoi i vetëm kundër të gjithëve. Të gjithë e injoruan, më pas e urryen dhe më e keqja që iu solli shkatërrimin, e sulmuan me inat, me nerv, emocionalisht e pa llogjikë të ftohtë. Ranë në lojën “Trump”. Prandaj mendoj se sot janë jo vetëm të shokuar por seriozisht të dështuar. Humbën lojën!!!, (nqse do ta lexonim si të tillë).

“Bush, George i riu dhe i vjetri, Jeb, Clinton, Bill & Hillary, Obama, Podesta, Fared Zaakaria, Dan Roberts, Margaret Sullivan, Paul Krugman, Akademikë, Nobelistë, Media, Analistë Gjeostrategjik, Sondazhierë, Opinionistë, Mjeshtra dhe Themelues të Doktrinave të Komunikimit, BestSeller, etj. etj…. You are FIRED!!!”, – u ka thënë Trump me fitoren shokuese të tij.

Siç e ka pranuar dhe vetë, Donald Trump nuk është politikan. As nuk ka ndonjë experience politike apo formim akademik politik të liçensuar. Por në kundërshtim me disa mendje intelektuale, mendoj se nuk është as injorant. Prej dekadash ka drejtuar njerëz në bizneset e tij. Ka ngritur biznese e ka luajtur në një fushë tjetër po aq të vështirë, llogjike, intelektuale, e sfiduese sa edhe politika. Ka luajtur në treg.

Nga tregu erdhi edhe në Qershorin e vitit 2015. Hyri si “antivlerë politike” dhe u imponua fort duke u kthyer në “vlerë”. Të dëgjosh fjalimet e Donald Trump gjatë gjithë fushatës, për asnjë çast, ai nuk e pranon kurrë se mund të humbasë. Nga të gjitha fjalimet nga më i thjeshti, nga turmat më të vogla e deri tek ato më të mëdha, ai të lë të kuptosh se ka hyrë me një strategji shumë të mirëpërcaktuar.

Personalisht, nuk e kam menduar kurrë se Donald Trump hyri në këtë lojë për pushtet ekonomik. Unë mendoj se e gjithë kjo ka qenë thjesht një “bast për hundë” siç e quajmë ne në gjuhën tonë popullore. Një nxitje që çdo njeri me prirje biznesi e tregu ka. Një sfidë për veten. Në gjuhën e biznesit është e njohur ideja suksesive e të dalit nga rutina. Marketingu nuk e pranon rutinën, sepse ajo sjell plakjen. Në biznes, plakja të falimenton. Duhet të jesh gjithmonë inovativ, ngacmues në treg, i ri e me ide të reja në treg. Duhet të bësh marketing dhe marketing më të mirë sesa të FITOSH ZGJEDHJET PËR PRESIDENT TË KOMBIT MË TË FUQISHËM TË BOTËS NUK KA.

“Paratë nuk kanë qenë kurrë motivim i rëndësishëm për mua, përveçse për të shënuar pikë. Nxitja e vërtetë është loja”. – Shprehet Donald Trump.

Pra mjafton të kujtojmë këtë thënie dhe e kuptojmë se ai hyri në këtë lojë për të shënuar pikë. Për ta argumentuar këtë, më lejoni të supozoj duke iu sjellë këndvështrimin tim të të lexuarit të kësaj ngjarjeje.

Hajdeni të luajmë – ka menduar ai. Sigurisht, njerëzit e suksesshëm zgjedhin për të matur forcat shkëmbinj të mëdhenj. Këtë bëri Trump. Hyri në një lojë shkëmbinjsh.

E imagjinoj të ulur në tavolinën e tij të punës me një format të madh në të cilin mund të ketë vizatuar “Peshoren e vlerave”. Merr dhe jep, jep dhe merr. Blej dhe shit, shit dhe blej. If this… then this… Pra ai e ka nisur lojën duke përdorur një kusht programues dhe arsyetues llogjik. Mendoj se pikërisht ky kusht llogjik të arsyetuari që unë preferoj ta quaj “Peshorja e vlerave”, padyshim ka qenë llogjika e strategjisë së tij që i solli suksesin.

Fillimisht “Peshoren e vlerave” Donald Trump, e ka vënë në punë për personin e profilin e tij. Në një krah ai ka nxjerrë të gjitha pikat negative e dobësitë e këtij profili, skandalet, të fshehtat e dukshme, etj., dhe në krahun tjetër të gjitha pikat pozitive e të forta të këtij profili. Në fushata ai e tregoi se për çdo pikë negative e kishte një përgjigje shpesh edhe bllokuese për kundërshtarin.

Më pas në “peshoren e tij matëse të vlerave” janë ngjitur blerësit, klientët, populli, votuesit e ardhshëm. Këtu ai ka nuhatur të gjitha ato që amerikanët kërkonin të dëgjonin nga gjuha dhe retorika e një lideri. “Jepu atë që duan dhe merru atë që kërkon”, – mund të ketë menduar ai. Klienti është mbret. Edhe vota më modeste kushton shumë. Unë do t’i blej të gjitha me çmimin që preferoj. -“Më paguani sa dua unë, t’iu shërbej si doni ju”, – është pak a shumë llogjika e tij.

E kështu me këtë peshore vlerash, ai trokiti nga poshtë në derën e Partisë Republikane dhe u imponua duke thyer absolutisht të gjitha rregullat e “Doktrinës Themeluese”. Ky do të ishte një rast i paprecedentë. Ai e dinte, e kishte llogaritur që në fillim, nuk do të ishte e lehtë. Do të kishte përballë lojtarë jashtëzakonisht shumë të fortë. Ndaj për t’i rrëzuar, do të përdorte të gjitha kartat, të gjitha gjuhët. E kështu loja filloi. Fillimisht nuk e llogaritën, e injoruan, madje edhe u tallën. Ky është gabimi që bënë republikanët fillimisht por edhe demokratët më vonë. Të gjithë u tallën, madje Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara, u tall me të 48 orë para zgjedhjeve. Por Trump këtë donte, aq i bënte. Shpesh talljes ai iu përgjigj me fyerje. Fyerja solli nxehje. Nuk ka moment më të artë për ta shkatërruar rivalin se sa ta nxehësh e ta nxjerrësh jashtë arsyetimit llogjik e mundësisë për të menduar atë. Kjo mungesë qetësie nuk i jep atij mundësi për të lexuar me llogjikë lëvizjet e tua. Shkatërrimi i qetësisë së kundërshtarit qe fitorja e Trump. Për këtë ai sulmoi fort. Po ta ndjekësh gjatë të gjithë fushatës nuk ka qendruar asnjë sekond i mbrojtur. Vetëm ka sulmuar. Sulmuar pa pushim me të gjitha gjuhët sipas të gjitha niveleve.

Madje kjo mund të lexohet edhe në moton e Hillary-t “Strong together”. Pra ekipi dhe mbështetësit e Hillary-t u bënë të fortë sëbashku duke qendruar në mbrojtje e duke pritur vetëm sulmet e Trump. Këtu gabuan. U vetizoluan përpara sulmeve të tij dhe këtu humbën terren. Trump sulmoi deri në momentin e fundit. I ktheu të gjithë kundër. “What the fuck?, I don’t care!”, ka menduar ai, nuk ka marketing të keq, po u more shumë shpesh, edhe antivlera mund të kthehet në vlerë, mua më intereson klienti. E kështu ai fitoi. “Make America Great Again!” dhe “Peshorja e tij e vlerave”, rezultuan sukses.

Këtë më mësoi mua Trump. Dhe besoj se nuk jam vetëm në këtë leksion marrje. Kjo është arsyeja që edhe përse nuk do ta votoja unë i them “Bravo Donald Trump!”. Arrite t’u mësosh mjeshtrave të politikës që askush nuk duhet neglizhuar. Përdore strategjinë tënde të të bërit biznes duke e kanalizuar mrekullisht nga zero edhe në politikë. Ndërtove një “Doktrinë Trump” dhe ke shokuar të gjithë botën. Bravo!

Shpresoj ta bësh Amerikën të madhe vërtet…

Mëngjesin e 09 Nëntorit pas telefonatës së rivales, kur shefi zyrtar i sigurisë ka trokitur në derën e tij e i është drejtuar me fjalët: “Mirëmëngjes z. President! Më kini në shërbimin tuaj…”, Donald Trump e ka kuptuar se e fitoi lojën e tij. Ai shënoi pikët më të lakmueshme nga të gjithë në historinë e një suksesi. Prandaj ai foli qetë përpara publikut. “Loja mbaroi, – dua të besoj se mund të ketë menduar z. Trump, – tani le t’i kthehemi punës, “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish””.

Por përpara kësaj, ai duhet të shijoj dhe frutet që të jep suksesi i të fituarit të një lufte jo fort të lehtë. “The Winner Takes It All”. Fillimisht atij i duhet të pijë një caj me Presidentin aktual të Shtëpisë së Bardhë, ku sigurisht do të ketë kokën lart e do ta shohi në sy atë që 8 vjet më parë e talli në një mbrëmje luksi dhe vetëm 48 orë përpara datës 08 Nëntor nuk ripushoi së talluri. Tashmë ai duhet ta presi për çaj, në një përballje face to face ku sigurisht unë, e askush nga ne nuk do të dëshironim të ishim në vend të Barack Obamës këto momente. Kjo është ajo që fitoi Trump. Të gjithë duhet ta presin një ditë në një ftesë për çaj ku duhet të gëlltisin humbjen e të shikojnë se si do t’u reagojë ai.

Po a duhet ta pranojnë humbjen e tyre të gjitha këto kategori. Unë mendoj se ata të gjithë duhet të përveshin mëngët, të mendojnë se humbën një lojë jo të vogël, të gëlltisin shokimin dhe t’i rikthehen punës me më vëmendshmëri sepse tashmë Trump do ta kenë sërish përballë, por këtë herë nuk është më një lojë. Është një përgjegjësi ndaj historisë.

Janë në lojë fatet dhe kulturat e popujve.

Të mësosh kurrë nuk është vonë…

Amerikanët me mendimin e tyre dhe me votën e lirë sapo kanë zgjedhur Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe liderin e ri të gjeopolitikës botërore. E vetmja gjë që mund të bëjë secili prej nesh është të respektojë mendimin e tyre e gjithashtu të nxjerrë mësimet më të mira nga kjo fushatë e mrekullueshme dhe spektakolare që këto dy figura dhe jo vetëm na dhuruan.

HISTORIA LE TË NA GJYKOJË!!!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button