Mbi burgun dhe kohën e ngrirë

Tema e burgut është shumë e shprehur në veprën letrare të Murat Isakut. Te romani “Fatprerët” ai e trajton temën e burgut më haptas, kurse te romanet “Rreckajt” apo “Rrengu” e përdor parabolën historike dhe mënyrën alegorike të shprehjes.

Romani “Fatprerët” është njëfarë dramë ekzistenciale e individit, i cili padrejtësisht i ekspozohet represionit dhe cinizmit të regjimit totalitar. Aty gjithçka nis e sos me të burgosurin politik, i dënuar pa faj.

Malë Proka në fillim nuk ka vetëdije kritike mbi zhvillimet në shoqëri. Nuk është i interesuar për ngjarjet që ndodhin jashtë botës së tij. Ai është idealisti që beson se popujt duhet të jenë të lirë dhe të barabartë. Horizonti i botëshikimit të tij zgjerohet kur bëhet viktimë e represionit institucional. Vuajtja e vetëdijëson për gjendjen e tij, të njerëzve të tjerë, për sistemin e egër, që e legjitimon dhunën. Në njëfarë mënyre e kupton se ka jetuar në një botë të gënjeshtërt.

Burgu, te “Rrengu”, është vendi ku vuajnë gjakuesit e lirisë. Aty vuan poeti Abu Xhabiri, që nuk ngopet me liri dhe Xhelal Preja, që është viktimë e kurtheve dhe e luftës për pushtet. Xhelal Preja hesht dhe vuan ndonëse nuk ka bërë asnjë faj. Ai nuk e dëshiron faljen, sepse nuk ndjehet fajtor. Nuk e dëshiron daljen nga burgu, sepse, pasi është etiketuar, jashtë fillon burgu tjetër: më i madh, më shkatërrimtar, më rrënues, më i tmerrshëm. Gjithçka është burg, madje edhe vendi i shenjtë, tempulli fetar “Xhan Insan Mybarek Baba”. Është korruptuar sistemi shtetëror dhe ai shpirtëror. Të dy sistemet bashkëpunojnë në krim. Rënia morale e ushqen sistemin politik dhe diktatorial, projektuesit e të cilit janë të bindur se ka njerëz që duan të bëjnë faj, prandaj i dënojnë pa merakun se mund të jenë të pafajshëm. Realisht mund të jenë të pafajshëm, por për sistemin represiv janë fajtorë potencial. Të gjithë janë të dyshimtë dhe armiq të mundshëm të sistemit totalitar. Askush nuk kursehet. Madje as ata që kontribuojnë apo kanë kontribuuar në instalimin e sistemit të frikshëm, pa konsiderata ndaj dinjitetit njerëzor.

Nikolla Kovaç, në librin “Romani politik evropian”, gjykon se në demokraci kundërshtitë marrin formën e partive politike, kurse në totalitarizëm krijojnë drama ekzistenciale.

Ai thotë se pshteti totalitar bëhet shkatërrues i personalitetit të ngujuar në një botë pa shtegdaljeje. Ky pushtet, sipas tij, në vend se ta eliminojë, e legalizon dhunën dhe e monopolizon të drejtën e vendosjes, që imponon konfrontimin e individit ose me institucionet ekzistuese, (si te “Procesi” i Kafkës, “I huaji” i Albert Kamysë, “Zeroja dhe pafundësia” e Keslerit etj.) ose me principet e ideologjive vrastare (“Doktor Zhivago” të Pasternakut, “Dervishi dhe vdekja” të Mesha Selimoviqi etj).

Romani, në sisteme të këtilla shtetërore, sipas mendimit të Kovaçit, bëhet revoltë e të poshtëruarit që pretendon drejtësi politike dhe sociale; bëhet reagim estetik kundrejt pushtetit totalitar; bëhet paraqitës i fatalitetit njerëzor; bëhet kronikë e shpirtit të plagosur, kurse protagonisti paraqitet si viktimë e sistemit dhe vepron brenda një hapësire romaneske të mbyllur. Ky lloj romani, sipas tij, është: dëshmi, kontestim dhe reagim moral e estetik, që jep përgjigje për gjendjen tragjike të njeriut dhe kundërpërgjigje ndaj ideologjive totalitare…

Në romanet e Murat Isakut, me temë të këtillë, individi është i pasigurtë dhe nën mbikëqyrjen e përhershme të shtetit, i cili kërkon dhe sajon armiq fiktivë. Kjo situatë askënd nuk e lë indiferent. Secili mund të vihet në shënjestër dhe të bëhet viktimë. Te “Rreckajt” ndodh paradoksi: dhunuesi e përjeton fatkeqësinë e të dhunuarve. Është shpallur fajtor nga ata që janë më lartë në hierarkinë e pushtetit. Pra, sado që t’i qëndrosh besnik sistemit totalitar, sërish nuk kursehesh nga dënimi i mundshëm, sepse ai duke u ushqyer vetëm me krime është mosbesues edhe ndaj atyre që i shërbejnë. Është sistem paranojakësh. Ky sistem kudo sheh armiq, kurse në këtë përballje fiton ai që ka pushtet më të madh.

E njëjta gjë ndodh edhe te “Rrengu”, ku drejtori i burgut famëkeq, Kasum Sahiti, rrezikon të bëhet viktimë e testeve të tij të torturës. Kudo kemi dhunë, ndërkëmbëza, survejime, terror fizik dhe psikologjik. Secili mund të jetë armiku ose armiku i mundshëm…

Burgu te veprat e Isakut është vend disiplinimi i kundërshtarëve të dogmës shtetërore; është vend dënimi i të pafajshmëve, pa asnjë lidhje me krimin shtetëror, por edhe vend i vuajtjes së atyre që i kanë shërbyer sistemit e që gjenden aty si pasojë e luftës për pushtet.

Nëpërmjet temës së burgut shkrimtari na paraqet vetë shtetin si një burg të madh, që gërryhet përbrenda nga degjenerimi moral. Në një shtet të këtillë, që vlon nga mëkatet dhe udhëhiqet nga mëkatarët, njerëzit më të ndershëm janë të burgosurit, përjashto të burgosurit që dikur i kanë shërbyer sistemit. Burgu është univers i mbyllur, hapësirë e kufizuar, kohë e ngrirë, ku gjallojnë personazhet që përjetojnë tronditje shpirtërore dhe drama ekzistenciale. Por edhe jeta jashtë burgut nuk dallon nga jeta brenda tij…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button