Klinton drejt fitores së sigurtë, betejë e ashpër për kontroll të Senatit

Demokratët duket se do të fitojnë presidencën, e republikanët Dhomën e Ulët të Kongresit. Beteja përcaktuese do të jetë ajo për Senat.

Kampanjat vazhdojnë me të vjetrën. Gjatë debatit të tretë presidencial Donald Tramp si duket ka humbur gjasën e fundit për të bërë ndonjëfarë kthese në garë ku udhëhiqte bindshëm Klintoni. Java e kaluar pas debatit nuk ka sjellur diçka të re në skenë. Në anën republikane Tramp ka vazhduar grindjet me liderët partiakë të partisë së tij që nuk e përkrahin. Në ndërkohë kanë vazhduar të dalin femra që e akuzojnë atë për ngacmime seksuale. E gjithë kjo ka lënë nën hije zbulimet që vazhdon t’i bëjë Uikiliks për punën e dyshimtë me plot konflikte interesi të Klintonit si sekretare shteti. Në ndonjë palë zgjedhje normale këto do të ishin tema kryesore e ditës, por fati i Klintonit është se ka një kundërkandidat akoma më skandaloz.

Gjendja e garës sot. Sipas të gjithë parametrave thuajse është e sigurtë që Klinton do të jetë presidentja e ardhshme e SHBA-ve.

Modeli Klinton Tramp Xhonson Diferenca Diferenca 7 shtator
RCP 45.1% 40.6% 5.3% Klinton +4.5 Klinton +3.3
HuffPost 45.8% 39.4% 5.3% Klinton +6.4 Klinton +5.4
538 49.1% 44.0% 5.3% Klinton +5.1 Klinton +2.8

 

Pra Klinton ka arritur të rrisë edhe më avantazhin që ka patur. Historia amerikane nuk njeh ndonjë rast që njëri kandidat të kthejë rezultatin kaq të thellë kur kanë mbetur vetëm edhe 11 ditë fushatë.

Është për t’u shënuar që avantazhi i Klintonit ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të numrit të papërcaktuarve dhe atyre të partive të treta. Kështu përderisa Tramp ka arritur të mbledhë në kolonën e vet republikanët që e kanë dyshuar, duke rritur kështu përqindjen e vet, Klinton ka bërë të njëjtën gjë me përkrahësit e Sandersit. Ajo poashtu ka kthyer ka vetja një numër të përkrahësve të kandidatëve të tretë. Xhonson, i cili një kohë tërhiqte 8%-9% në anketa tani ka rrënë në 5%.

Shtetet kyçe. Klinton ruan avantazh komod edhe në të ashqtuajturat shtete kyçe që do të përcaktojnë fituesin.  Ja si është pasqyra në shtetet që kanë qenë të tilla në 2012:

Shteti Diferenca sot Diferenca 7 shtator
Florida Klinton +1.5 Klinton +0.8
Ohajo Tramp +0.7 Klinton +0.1
Pensilvania Klinton +5.7 Klinton +3.5
Virxhinia Klinton +7.8 Klinton +5.4
Nevada Klinton +2.2 Klinton +2.7
Ajova Baraz Tramp +1.6

 

Tramp ka përparuar vetëm në Ohajo, por kjo sigurisht nuk do t’i mjaftojë sepse atij i duhet fitore në të paktën 4 nga këto shtete. Për më tepër Klinton ka vënë në garë shtete që zakonisht votojnë republikanët si Karolina e Veriut, Xhorxhia e Arizona.

Evan McMullin. Zhvillim tejet interesant muajin e fundit është ngritja e një kandidati të tretë të pavarur, Evan McMullin. Një ish-agjent i CIA, McMullin ka vendosur të marrë pjesë në garën presidenciale nga pakënaqësia me kandidaturën e Trampit. McMullin nuk ka gjasa për të fituar, por ai po bën një fushatë të fortë në shtetin e tij amë, Juta. Anketat e fundit e nxjerrin atë në vendin e dytë në Juta, para Klintonit dhe menjëherë pas Trampit.

Nëqoftëse arrin të fitojë Jutan McMullin do të bëhet kandidati i parë në 50 vitet e fundit që fiton një shtet dhe merr vota elektorale. Një skenar tejet i çuditshëm do të ndodhte sikur McMullin të fitonte Jutan, por as Klinton as Tramp mos arrinin 270 vota elektorale. Atëherë zgjedhja do të kalonte në Dhomën e Ulët të Kongresit, ku McMullin do të ishte kandidat me automatizëm dhe mund të ishte favorit i republikanëve që kontrollojnë Dhomën. Por gjasat për këtë skenar sipas modelit 538 janë vetëm 0.9%.

Beteja për Senat. Sipas të gjitha gjasave pra demokratët do të fitojnë presidencën, ndërsa republikanët do të kontrollojnë Dhomën e Ulët të Kongresit. Mu për këtë beteja më e madhe këtë vit është përqëndruar te Senati. Hë për hë atë e kontrollojnë republikanët me rezultat 54-46. Këtë vit në garë janë 34 ulëse të Senatit, 24 prej të cilave të republikanëve dhe 10 të demokratëve. Kjo natyrisht ua vështirëson punën republikanëve, që dihet se do humbin disa senatorë. Pyetja e madhe është nëse ata do mbeten mbi 50 apo jo.

Shtetet që do të përcaktojnë fatin e Senatit janë këto:

Shteti Diferenca sot
Nju Hempshër Ajote (R) +1.3
Pensilvania Tumi (R) +1.3
Karolina e Veriut Burr (R) +3.2
Indiana Bej (D) +3.7
Florida Rubio (R) +3.6
Misuri Blant (R) +1.0
Nevada Hek (R) +1.4

 

Partia që do të fitojë katër nga këto 7 shtete do të merr kontrollin e Senatit. Është ky moment mëse i rëndësishëm, sepse nga kontrolli i Senatit do të varet edhe presidenca e Klintonit. Nëse atë e fitojnë demokratët ajo do të ketë qeverisje më të lehtë. Nëse përkundrazi Senatin e mbajnë republikanët është mëse e sigurtë që Kongresi do t’i çelë telashe të mëdha Klintonit dhe nuk do t’a lëjë të implementojë agjendën e vet.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP