Me Zotin apo me shejtanin

“Ai që mendon se është i pa varur nga të mësuarit, le të qajë mbi vehten” (Ebu Jusuf, shkencëtar dhe jurist i njohur hanefi)

Nëse do shtrohej në një anketë pyetja se cili është sot dallimi kryesor mes botës muslimane dhe asaj perëndimore, pa dyshim se përgjegja dominante do të ishte – qëndrimi ndaj fesë.

Muslimanët, përkundër faktit se në jetën dhe botën e tyre po ndodhin gjithnjë e më shumë gjëra të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me Islamin dhe mësimet që burojnë nga ai, mbeten shumë më religjiozë se perëndimorët. Perëndimorët nuk e kuptojnë mbështetjen, sipas tyre të tepërt të  muslimanëve tek Zoti, siç nuk e kuptojnë edhe muslimanët qëndrimin e çuditshëm të perëndimorëve ndaj fesë.

Shikuar historikisht, Perëndimi e ka zgjidhur raportin me fenë me anë të reformave aq shumë të përfolura me të cilat kisha dhe shoqëria, shteti dhe feja, i kanë ndarë rrugët e tyre duke e promovuar shekullarizmin si formë të bashkëjetesës dhe të bashkëveprimi. Ajo ndarje, mendojnë perëndimorët, ua ka mundësuar zhvillimin dhe progresin. Së këndejmi, jo rallë, po shtrohet dilema se për ç’arsye nuk po reformohen edhe Islami dhe muslimanët. Bile, këtë dilemë po e shtrojnë edhe vetë muslimanët, në veçanti disa intelektrualë të proveniencës jo teologjike.

Pse (s’) duhet të reformohet Islami

Realiteti i botës islame dëshmon se desakralizimi i jetës së muslimanit është i pa mundur për shkak se Islami nuk njeh dallimet mes sakrales dhe profanes. Për këtë shkak, as roli i Islamit dhe aq më pak Islami vetë, nuk mund të eliminohen nga sferat publike dhe do vazhdojnë të përcaktojnë qëndrimet dhe veprimet e muslimanëve në të gjitha sferat e jetës.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se procesi i reformimit të Perëndimit ka kaluar nëpër faza të tmerrshme të luftrave fetare e sektare të cilat kanë qenë të shoqëruara me kriza të ndryshme, adapatime, trauma, ndryshime, komplote.
Shikuar objektivisht, të gjitha këto po i përjetojnë edhe muslimanët tani e një kohë më të gjatë. Lutjet e tyre dhe mbështetja në Zot që po shtohen paralelisht me minimizimin e fuqisë së tyre, me rritjen e varfërisë dhe të ndërhyrjeve  nga të cilat ata ndihen si të gllabëruar, a janë një klithje për reformim? A do të thotë kjo, siç mendojnë disa, se Islami dhe muslimanët, në heshtje dhe në hije, largë debateve e polemikave, po kërkojnë mënyra për reformim?
Nga këndvështrimi i jo pak  vrojtuesve perëndimorë, Islami duket si një makinë që bluan çdo gjë përpara vetes e të cilën askush nuk mund ta ndalë. Dhe, kjo është një ndjesi e cila, pa dyshim, ngjallë dridhërimë në zemrat e atyre të cilët atë makinë bluarëse e identifikojnë me  “Sahvah”(zgjim i sërishëm i muslimanëve). Por, ka edhe nga ata të cilët thonë se, në pamundësi për të ecur në hap me botën moderne, Islami po përjeton një krizë të thellë.

Çka është e vërtetë nga e tërë kjo, cilat janë përmasat e krizës dhe  çfarë “reforme” ju nevoitet  muslimanëve, cili është ai kufiri i padukshëm mes dhunës dhe reformës ?

Ixhtihadi i mbyllur, ixhtihadi i hapur

Në fakt, bota islame është e ndarë kur bëhet fjalë për krizën në të cilën gjenden muslimanët dhe ka qëndrime dhe vlerësime të ndryshme rreth asaj që quhet krizë. Përkrahësit e të ashtuquajturit “Islam radikal” dhe ata që po përpiqen të jetësojnë “Islamin politik”, mendojnë se krizën e Islamit e kanë shkaktuar Perëndimi dhe krijimi i shtetit të Izraelit, luftërat në Irak dhe Afganistan, disa bile po thonë se kriza i ka fillet qysh nga koha e kryqëzatave. Pra, për çdo gjë të keqe në trungun musliman, fajtorë janë të tjerët, të huajtë, asnjëherë vetë muslimanët.

Kuptohet, ekziston edhe një grup muslimanësh të cilët mendojnë se shkaqet e krizës së muslimanëve duhet kërkuar te vetë muslimanët. Por, nga ky grup gjithësesi duhet anashkaluar qëndrimet jo serioze të individëve të caktuar që, as më pakë e as më shumë, kërkojnë reformën e vetë Kur’anit sepse ai po e imponuaka Islamin si “sistem shoqëror, kulturor, politik,religjioz…”  Si ilustrim të naivitetit të disa “reformistëve” do e sjell këtu një storie të vogël nga një bisedë me një “reformist” i cili në bisedë e sipër më tha : “ Do ishte mirë që ju  teologët muslimanë të vendosni që të heqen aq shumë vakte të namazit, agjërimi të shkurtohet, të heqen do ndalesa sepse njeriu modern i ka ato si ngarkesë…”. I thashë:” Mos harrove edhe diçka? Mos do duhej të heqim edhe Kur’anin, edhe besimin te Allahu, se Muhamedi është i Dërguari i Allahut ” ?

Sidoqoftë, të gjithë pajtohen se është kohë e fundit për ndryshime të cilat do ju mundësonin muslimanëve rikthimin e shkëlqimit të dikurshëm.

Por, të gjithë duhet të pajtohen edhe me faktin se dyert e ixhtihadit janë të mbyllura dhe në përpjekjet e tyre për të dhënë kontribut drejtë avancimit të jetës së muslimanit duhet medoemos të bëjnë diferencën mes reformave dhe revitalizimit. Ndërhyrjet në çështjet doktrinare nga çdo musliman do konsideroheshin si ndërhyrje në tekstet e sheriatit, pra edhe në Kur’an dhe Sunet, por do të përqafohej absolutisht një inisiativë për të ndryshuar dhe eliminuar fenomenet që i rëndojnë shoqëritë muslimane e që po paraqiten si keqpërdorim i Islamit, i Kur’anit, i Sheriatit dhe traditave islame.

Së këndejmi, po, dyert e ixhtihadit mund të hapen për ndryshime rrënjësore dhe ai është i lejuar me parimet islame.
Po, duhet bërë ixhtihad (reforma) që muslimanin do e bëjnë të dinjitetshëm e të kulturuar, teknologjikisht dhe ekonomikisht të avancuar, të aftë të ec në hap me botën bashkëkohore duke mos hequr dorë nga besimi i vetë.
Po, duhet përfundimisht të reformohet pjesa e muslimanëve që po e instrumentalizon Islamin duke e shndërruar në një vegël me të cilën po i fshehin korrupcionin dhe keqpërdorimet, ndërkohë që po i realizojnë strategjitë e tyre politike.

Po, muslimanët me potencialin e tyre ekonomik e intelektual, duhet të krijojnë universitete që do bëjnë garë me Harvardin, Oksfordin, Kembrixhin. Muslimanët duhet të investojnë në informatikë e teknologji, duhet të fitojnë shpërblime Nobel, duhet të kenë anije kosmike, të rregullojnë kaosin urbanistik dhe ekologjik në të cilin jetojnë, duhet të zhvillojnë etikën e vet të punës, duhet të zbutin varfërinë që po ua cenon dinjitetin ndërkohë që elita e tyre po bën qejfe me petrodollarët që sipas parimeve islame duhet t’ju takojnë të gjithë muslimanëve, duhet të ndërprejnë grindjet, konfliktet dhe luftërat me njëri tjetrin…

Po, duhet reformuar muslimanët që në vazhdimësi janë në pritje të intervenimit të Zotit për t’ua zgjidhur problemet. Sepse, nëse muslimanët pajtohen që Allahu ua ka shpallur fenë e përsosur dhe të përhershme e cila ofron përgjegje për çdo gjë, a nuk është nga pak blasfemike të kërkosh nga Ai të realizohen problemet e lartëpërmendura ? A thua do ndihmojë Allahu nëse ne vetëm po presim dhe po bëjmë kokrrën e sefasë?

Me Zotin je nëse e beson dhe përpiqesh, ndryshe me Shejtanin je.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button