Të ngulmosh për të vërtetën, jo vetëm ta dish

Para disa vitesh një i ri më dha përgjigje të saktë, por nuk ishte i vendosur në atë që thoshte. I thashë se e kishte gabim.

Pasi ishte i bindur se kishte të drejtë, më dha sërish të njëjtën përgjigje, por këtë herë më me vendosmëri, veçse me respekt, nga droja se mos më lëndonte.

Ja ktheva se ishte përgjigje disi më e mirë, por sërish e gabuar.

Atij iu kallën nervat, por e ruajti gjakftohtësinë. Më tha se atij i dukej që më kishte dhënë të njëjtën përgjigje. I thashë se çdo gjë e thënë për së dyti nuk është sikurse është thënë herën e parë.

Së treti e përsëriti të njëjtën përgjigje, por shumë i vendosur dhe ishte i  gatshëm që të polemizonte me mua. I thashë se tani përgjigja ishte e saktë.

Ndoshta për shkak të buzëqeshjes time e vërejti se i bëja lojë.

I thashë se herën e parë u duk se nuk ndjehej i sigurtë në atë që thoshte.

Herën e dytë e deshti më shumë profesorin se të vërtetën.

Herën e tretë ngulmoi në të vërtetën e tij, pa u merakosur për askënd.

Dhe ja pse përgjigja e tretë dallonte nga e para dhe e dyta, ndonëse ishin të njëjta në dukje.

Të dish të vërtetën dhe të ngulmosh për të vërtetën nuk janë e njëjta gjë.

Ngulmimi nënkupton kundërshtimin e secilit kur ke të drejtë, ashtu sikurse tha filozofi që në antikë: “E dua Platonin, por më shumë e dua të vërtetën!”

Studentët  e këtillë gjithnjë i kam adhuruar.

Ata nuk dëshirojnë t’i ngjajnë askujt. Prandaj janë në udhë të drejtë. Janë personalitete dhe jo kopje.

Për të nxitur këtë ndjenjë përherë u them se gjëja më e mirë që mund të bëjnë është që të mos pajtohen me mua.

Të njëjtën logjikë e ndjek edhe me fëmijët e mi, të cilëve u kam thënë që para se ata të krenohen me mua dua që të krenohem me ata. Para se ata të thirren në emrin tim dua që unë të thirrem në emrin e tyre. Vetëm kështu do ta lëmë pas shpine një moral të vjetëruar dhe do të promovojmë një moral të ri.

Morali i vjetëruar nënkupton vetëm autoritet. Autoritet të babait ndaj fëmijës, të burrit ndaj gruas, të mjeshtrit ndaj çirakut, të politikanit ndaj qytetarit. E kështu prodhojmë robër dhe jo qytetarë të lirë…

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button