Prokuroria e Maqedonisë injoron konstatimet për keqpërdorim në Ministrinë e Arsimit

Organizatat joqeveritare, të cilat në fokus kanë luftën kundër korrupsionit, thonë se nuk janë të befasuara nga raportet e Entit Shtetëror për Revizion, ku theksohen parregullsi të shumta gjatë shpenzimeve të arkës së shtetit, përderisa nuk dënohen drejtuesit e institucioneve për veprime të këtilla, shkruan REL.

Njohësit e çështjeve juridike thonë mos reagimi i Prokurorisë Publike ka bërë që bartësit e institucioneve të ndjehen komod edhe në rastet kur Enti Shtetëror i Revizionit konstaton shpërdorimin e mjeteve të buxhetit të shtetit nga ana e bartësve të caktuar të institucioneve.

Së fundmi, në raportin e tetorit të Enti Shtetëror për Revizion, theksohet se të punësuarit në Ministrinë e Arsimit, në mënyrë të paarsyeshme kanë shpenzuar mbi 200 mijë euro për akomodim në hotele me pesë yje, udhëtimet etë punësuarve, organizimin e darkave zyrtare dhe shpenzime të tjera.

Parregullsi revizorët kishin konstatuar dhe në Ministrinë e Bujqësisë, gjatë shpërndarjes së fondeve IPA, megjithëse edhe ky rast nuk ka marrë epilog gjyqësor.

Nga Prokuroria Publike kanë theksuar se do të vendosin për inicimin eventual të hetimeve, vetëm pasi të kenë shqyrtuar raportin.

Ish- prokurori publik, Jovan Tërpenovski, për Radion Evropa e lirë thotë se Prokuroria Publike – si institucion bazë për të luftuar korrupsionin – me vite është vënënë mbrojtje të bartësve të institucioneve dhe jo atë që ka për detyrë, e që është sundimi i drejtësisë.

“Problemi qëndron në Prokurorinë Publike, jo nga tani, por shumë më herët. Kjo prokurori, si organ, është përgjegjëse për të ndjekur situatat e caktuara dhe në bazë të dëshmive të ngrejë procedura në organet e drejtësisë. Por, ajo nuk ndërmerr asgjë, edhe pse në opinion u shfaqën shumë raste të dokumentuara nga Komisioni Shtetëror i Revizionit për keqpërdorime të shumta nga ana e zyrtarëve të lartë të shtetit”, thekson Jovan Tërpenovski

Ai shton se mos reagimi i Prokurorisë Publike për të luftuar krimin në mënyrë efektive ka imponuar nevojën e themelimit të Prokurorisë Speciale Publike, e këtë të fundit pushteti gjithnjë e më shumë e ka “halë në sy”.

Ndërkaq, Xhelal Neziri, nga Qendra për Gazetari Hulumtuese, vlerëson se për të pasursukses, lufta kundër korrupsionit, në kushte kur Prokuroria Publike kontrollohet nga partitë në pushtet- sepse zgjedhja e tij bëhet nga shumica parlamentare- Komisionit Shtetëror të Revizionit duhet t’i jepet fuqi ligjore që, përveç raporteve për keqpërdorime, të ketë të drejtë të ngrejë edhe padi penale kundër funksionarëve që kanë keqpërdorur mjetet nga buxheti i institucioneve të cilat i drejtojnë.

“Çdo parti, veçanërisht ata të cilët dëshirojnë të përmirësojnë rezultatet në luftën kundër korrupsionit, duhet të propozojnë ndryshime ligjore me qëllim që të ndryshohet roli i Entit Shtetëror të Revizionit, në mënyrë që ky institucion t’i ketë duart e lira për të ngritur padi penale kundër të gjithë atyre që keqpërdorin funksionet. Me këtë do të krijohej edhe një institucion plotësues në luftën kundër korrupsionit”, thekson Xhelal Neziri.

Nga organizata joqeveritare “Transparencë për Maqedoninë” thonë se procedimi i lëndëve- për të cilat Komisioni Shtetëror për Revizion konstaton parregullsi në punën e institucioneve shtetërore – qëllimshëm zvarritet nga ana e hetuesisë, pavarësisht se ligjet qartë definojnë obligimet që kanë këto organe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button