Gruaja dhe Circus Maximusi Global

Agjenda e njeriut nganjëherë di të dalë shumë e ngarkuar, gjë që kërkon motiv, përqendrim, përgatitje, dhe ballafaqime me çështje, probleme dhe fytyra me të cilat shkëmbehen mendime, ide. Dhjetëditëshin e kaluar patëm një përvojë të mirë të frymimit hiperaktiv si qenie sociale dhe si aktivist i diturisë (dy konferenca, intervista, biseda me diplomatë). Shrimi i sodit do të hedhë dritë mbi ngjarjen e  më 14-15 tetorit, mbi konferencën e AAG-së (Asociacioni për Afirmimin e Gruas) me titull “Pozita, sfidat dhe perspektiva e gruas në Ballkan” ku morën pjesë intelektualë nga shumë vende si Greqia, Kosova, Gjermania, Turqia, Shqipëria, Zvicra, Bosnja dhe Sllovenia. Në këtë takim, ne shqyrtuam temën “Trendet në familjen e epokës së globalizimit”. Në kuadër të ligjëratës në fjalë  folëm për familjen si fidanishte të karakterit njerëzor, për stilin jetësor të ndryshuar (changing lifestyle) të njeriut modern, për dilemën karrierë-familje (ose të dyjat), për përkufizimin e familjeve jotradicionale që janë në kundërshtim me idenë e babai që punon dhe nënës shpianike, për divorcin si trend në rritje, për martesat e shtyra apo të vonuara, për bumin apo rritjen e numrit të njerëzve të moshuar, për teleseksualitetin dhe rrjetet sociale, për familjet transnacionale, amërinë transnacionale, për familjet dyvendore, për familjen shqiptare tradicionale dhe përthyerjet moderne në të, e cila në të kaluarën ka qenë patriarkale/mashkullore, që është bazuar në parimet si njëkulmësia, shtimi nëpërmjet martesës dhe zhvillimi në vijën e socializimit në saje të më të vjetërve. Ndër të tjera elaboruam edhe fenomenin e bashkëjetesës që gjeneron pasoja të shumëfishta si ndarjet, ngatërresat ndërfamiljare, prekëm edhe dukurinë e shitjeve të nuseve shqiptare ndër popujt sllavë, për figurat femërore shqiptare të ashtuquajtura VIP që janë para syve të auditorit me linjat e trupit, seksualitetin dhe skandalet, që me performancat e tyre kanë “impakt” te brezat e makdonaldizuar. Me një fjalë theksuam krizën të cilën ndodhet familja edhe vendorisht por dhe planetarisht. Sipas regjistrimit të vitit 2000 në SHBA ka pasur 600.000 amvisëri lesbike apo gay. Në Kosovë, sipas të dhënave të Entit Statistikor 43% e fëmijëve janë jashtëmartesorë (krahasuar me Maqedoninë ku kjo përqindje është vetëm 11%). Mosregjistrimi me kohë i kurorave mund të jetë një nga arsyet, thua? Edhe Përkundër kuotave sot gruaja në korniza planetare është e diskriminuar. Në vitin 2011 vetëm 5% e institucioneve në përmasa botërore janë udhëhequr nga femrat. Sipas regjistrimit të fundit, në Kosovë vetëm 23 % i femrave është i punësuar (te meshkujt jo shifër është 75%). Ishte interesant shënimi i pjesëmarrësit shqiptar nga Zvicra i cili theksoi se të shtunave fëmijët në shkollat aletrnative për kurbetqarët, fëmijët me vetura i sjellin kryesisht gratë dhe në pyetjen se ku e keni bashkëshsortin, ato përgjigjen me “bën gjumë!”. I gjithë tubimi dyditor ishte në frymën profeministe, por numrat ishin barabartë, gjashtë meshkuj e gjashtë femra, mu sipas ideales së synuar, ndonëse pati kritika se ç’punë është kjo kur seancën e parë të prezantimeve për çështjet femërore e hapin tre burra.

Ndër temat më interesante që u zbërthyen në këtë tubim ishte edhe ajo e sllovenes Faila Pashiq-Bishiq, e shpërblyer si “The best Volonteer 2006”, “Humanist of the year 2007”, “Face of the European year of equal opportunities for all 2007, e nominuar për gruan sllovene të vitit 2008, për “Young European 2008”, një nga fytyrat e “Women Inspiring Europe 2013 Calendar”, femra e dytë me mbulesë që u kandidua për Parlamentin Europian pas grekes Anna Stamou. Ajo foli për “Eksoploatimin e gruas si mjet konsumimi në media”. Faila, një feministe myslimane e lindur në Slloveni (Jesenice), me shami dhe me look revolucionar për një femër myslimane, një grua që mban leksione madje edhe nëpër kisha dhe universitete, luftëtare kundër islamofobisë, foli për diskriminimin ditor që i bëhet asaj (me origjinë ballkanase dhe tipar të dukshëm në kokë, me shami, objekt i diskriminmit shumëpërmasor – multiple-discrimination), për problemet e para që ka pasur kur është mbuluar (e ëma), miqtë, për muxhahidët mashkullorë të facebookut e të ngjashme. Ajo tha se “mashkulli më së tepërmi frikohet nga një femër me një libër në dorë”, nga një femër që lexon, të cilës i hapen horizonte të reja, e cila merr guxim për të qenë vetja e jo trup dhe pasqyrë e dikujt tjetër. Femra sot është aktore në Circus maximus (amfieatër i dikurshëm në Romën e kohërave antike që është shfrytëzuar për garat me koçi dhe  lojëra të tjera publike). Ky është statusi i femrës në shoqërinë e sotme globale, ajo bën ahengun, ajo duhet të sillet sipas ritmit “because I’m happy” dhe t’i lumturojë të tjerët, duke harruar veten. Ajo grave muslimane ua sugjeroi moton e vet, “Faila do your best and Allah will do the rest!” (Faila jepe maksimumin dhe Zoti do ta kryejë pjesën tjetër!), i këshilloi që të jenë revolucionare, të luftojnë perceptimin e të tjerëve për besimtaren si simbol i gatimit dhe vallëzimit (cook and dance), si përkujdesëse 24 orëshe për fëmijët (të cilën e quajti “nënë joshembullore”). Ajo theksoi se besimtarja duhet të jetë shumë mendjemprehtë dhe e përgatitur. “Një radhë më pyetën se ç’thotë libri i shenjtë i islamit, Kur’ani për homoseksualët. U përgjigja: ‘Atë që e thotë Bibla vetë!’” Pashiq-Bishiq nënvizoi edhe nevojën për të celebruar storjet e suksesit femëror, për të ngritur zërin kundër trysnive “të bekuara” nganjëherë edhe nga një pjesë e ulemasë, për të treguar se mbulesa nuk është kundër bukurisë perëndimore por është bukuri e shprehur tjetërfare, se “femra luftën duhet nisur së pari nga burri e vet jokorrekt”. Multikulturalizmi është një folklor i shoqërisë perëndimore, ku mbulesa është simbol i të keqes, i terrorizmit. “Ne jemi viktima”, tha Pashiq-Bishiq, “ne jemi ambasadore të kulturës tonë” në mjedisin ku duhet të jetësojmë edhe revolucionin shpirtëror, duke aluduar në nevojën për të thyer barrierat e hegjemonive të ndryshme në Circus Maximusin mondial, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, plot paragjykime dhe praktika kundërfemërore.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button