Halili

Historia e Halilit nuk është do si do. Është histori për histori. E lavdishme padyshim, e mistershme njëjtë si personazhi.

Halili jetonte i shqetësuar me një breng që i sorollatej nëpër mend. Atë me netë të tëra nuk e merrte gjumi, kishte halle.

Ai nuk ishte si të tjerët, ai shikonte përtej asaj që shihnin njerëzit e zakonshëm, vizionar dhe i përpiktë ndaj punës për të cilën paguhej mirë, Halili ishte në hall për të gjetur një zgjidhje.

Mendohej Lili gjatë, tymoste duhan, kaçak e çfarë t’i dilte përpara syve, sepse ishte burrë me halle, por me ideale, burrë me namuz e më qëllim të çeliktë për t’i shkuar deri në fund synimit pa të cilin nuk donte t’ia bëj hallall vetes deri sa ta arrinte.

Ditët e Halilit ishin të errëta, por ama ai e dinte faktin se për njerëzit nuk ka vetëm ditë me një ngjyrë, për këtë nuk u tërhoq, u mbyll në botën e tij dhe vetëm mendonte…, meditonte, digjej Halili nga brenda digjej për të gjetur derman për hallin që po të qahej do e mbushte detin me lot e për më tepër do i nxirrte lumenjtë nga shtrati.

Ah se ç’halle i kishin zënë derën këtij kolosi…

Një ditë të bukur jete, Lilit befas në kokë si rrufeja në qiell të hapur i erdhi një mendim, ishte margaritarë, ishte udhë e re, dimension i ri, hapërim gjigant në kohë.

Fati më në fund iu përul Lilit dhe si në faj i tha: “gjithçka është në dorën tënde lartmadhëri, bëje Lilo, jepi”.

Kjo është dhe pika kyçe e jetës së Halilit. Këtu morën fund vuajtjet shekullore që e shoqëronin personazhin tonë unik.

Pas kësaj në trurin e Halilit masturboi gjenialiteti. Lili tani më ishte i plotfuqishëm, i pandalshëm.
Në duart e tij ishte fati i 7 – 8  milion shqiptarëve. Lili çdo gjë mori përsipër, sepse ishte pikërisht mendja e Lilit ajo që kishte pjellë diçka të pa pjellë deri në atë kohë dhe vetëm Lili i dinte peripecitë, rrugët dhe shkallët nëpër të cilat kishte ecur, mundin dhe sakrificën, terrin dhe dritën…
Lili – biri yt Kosovë, vetëm ai e dinte se ç’kishte hequr, ai pjellëtori – shkëlqesia e tij.

Pasi u sigurua që me frigoriferin është mirë, me portofolin ding, me jetën luks, me shokët e  “idealit” në një vij, erdhi koha që Halili të bëj mrekullinë dhe kështu ndodhi.

Nuk priti shumë, dhe ndau me ne sihariqin, të pa dëgjuarat fjalë…, ishte radha që historia të bëhej sy e vesh kundrejt Liluas. Në teatrin e botës shqiptare Halili po bënte kërdinë.

U shtangën njerëzit nga oratoria e tij, filluan të shikonin habitshëm njëri-tjetrin, nuk u besohej se në mesin e tyre paska qenë një Halil, një idealist si ai, një margaritar sa për pak do të vdisnin njerëz pa e ditur, pa e njohur,  eh po me ç’dije do të iknin për lesh njerëzit kur e mendon?! Nejse.

Oh, kur na tha lartmadhëria e tij atë që ia kishte pjellë mendja, oh kur u nda thoni nga mishi, oh kur u kullën malet e u çan lisat.

Liliu, si me thikë e ndau kombin ‘taak’, një pjesës i tha “Ti ri andej” një e bëri këndej, disa i flaku përtej.
Eh kur u degëzuam e kur u tkurrëm e kur u bëmë pikë e pesë e gazë e lot…, sepse i donte kokrra e qejfit Lilit dhe qejfi Lili s’prishet për qejfin e botës.

Lili, e bëri të veten, bëri që shumë “Lila” tjerë të vrapojnë e të kllumen në lumin ku ai për shtat palë qejfe gjuajnë guralecë.

Dhe u bë hataja. Gjithçka nëpër mediume lidhej e lidhet rreth Halilit, gjithçka rrotullohet rreth tij kurse Halili tha atë çka kishte për të thënë, hodhi margaritarët nga goja dhe u tërhoq për të ndezur një cigare.

Tani ne mbetëm para një vendimi të prerë, nuk kishte më dilema në të ndahemi apo të mos ndahemi sepse na ndau Lilua pamëshirshëm.

Tani unë mendoj se ne duhet vetëm të lutemi.  Ne duhet t’i lutemi seriozisht Lilit pasi që Lili të ketë mbaruar me cigaren. Lili duhet t’i pranoj lutjet tona, ose në të kundërt të lutemi pak më shumë…

Kështu, pa mos lëvizur asnjë gurë ne do  çmendemi. Halili tani babë i kombit të ri, i veshur si “boss” ka në dorë fatin e një populli që e shikon në bebëz të syrit lartmadhërinë mos po i pjellë mendja diçka tjetër, ndonjë alternativë të re.

Popullin e futi në borxh që sa të jetë jeta të bien e të gdhinë me ndjenjën e borxhliut ndaj Liluas, sepse ai doli më i zoti. Ne duhet t’ia këndojmë këngën Liluas, Lilua e tha atë çka kishte të thoshte.

Eh, more Lil i pamëshirshëm Lil, po ne “të pa kombët”  mos jemi kopil?
Eh, more Lil sa larg e hodhe gurin, mes gjithë kësaj Shqipërie ti e vure murin
Po pse more Lil na ndanë si të mjerë, na flak, na përzë, na bën dhe të tjerë
Ani ani Lil o lartmadhëria jote, na ndave na theve si qelq i një gote.

Po si na ndave e s’na qanë kur na qeshën dhe na qeshin
me gjithë mend mendon o Lilo, se dikush ta vuri veshin?
Me gjithë mend o Halil djali, ti krijon kombin e ri?
S’kanë thënë kotë: të gjallët me të gjallët, ri atje o Lilo ti… (O HALIIIIIIL)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button