Bëhen gati “Dasma kërçovare” dhe “Dyzërëshi”

Këndimi Dyzërësh dhe tradita e Dasmës kërçovare janë dy prej trashëgimive të kulturës shqiptare që pritet t’i shtohen regjistrit nacional të thesareve në Maqedoni, shkruan e përditshmja KOHA.

Ky Regjistër në fakt numëron shumë pak thesare për pjesën shqiptare, si Festa e verës, Pelihvanët, Karnavalet e Bozovcës, janë disa prej tyre që kanë kaluar procedurat në Drejtorinë e Mbrojtjes së Trashëgimisë. Kështu pohojnë ekspertë të kësaj sfere, me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, 29 shtatorin.

Drejtori i ITSHKSH, Skënder Hasani, thotë se me përgatitjen e këtyre dy dosjeve synojnë të sistemojnë jo vetëm atë pjesë të trashëgimisë që është pjesërisht e hulumtuar, por të ruajnë nga zvetënimi edhe traditat, si në rastin e dasmës kërçovare, e cila konsiderohet si një prej ceremonive shumë origjinale sa i takon kostumeve karakteristike, stolive, traditës dhe ritit në përgjithësi.

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore, 29 shtatori, është një prej datave më të reja që kanë hyrë në kalendarin e festave kombëtare dhe festohet prej 13 vjetësh në Shqipëri, ku kujtohet me respekt trashëgimia kombëtare.

Në themel të kësaj dite qëndron akti patriotik dhe atdhetar i një grupi ushtarakësh të cilët në vitin 1916, gjatë Luftës së parë botërore, ndaluan plaçkitjen dhe vjedhjen e objekteve arkeologjike të parkut të Apolonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button