7 gjëra që nuk do të donit t’i mësonit me vonesë në jetë

Ne kurrë nuk duhet të pendohemi shumë në jetën tonë. Megjithatë, vjen një kohë kur kuptojmë që, ka gjëra të cilat, nëse do t’i kishim ditur më parë, mund të kishim përfituar në rini. Ndoshta këtë gjë e kuptojmë vetëm përmes përvojës dhe rritjes personale, por ndonjëherë koha kalon pa u vetëdijësuar tërësisht për situatat, deri kur ndeshim në një moment krize, që na shtyn të vëmë në dyshim nëse i kemi shijuar gjërat më së miri, shkruan bota.al.

Sa herë keni menduar, ah sikur ta kisha ditur këtë kur isha më i ri apo më e re?Ka një ndjesi të përgjithshme që, nëse disa gjëra do i kishim ditur më herët, me siguri që do i kishim përballuar më mirë emocione dhe situata të caktuara. Ja 7 mësime nga jeta, që do jua ndryshojnë pikëvështrimin tuaj.

1. Ji i pranishëm, “këtu dhe tani”

Ne kalojmë shumë kohë duke rishqyrtuar të kaluarën apo planifikuar të ardhmen, dhe kështu harrojmë të përjetojmë të tashmen. E tashmja është ajo që po ndodh me ju, tani. Lumturia mund të ekzistojë vetëm në të tashmen – e kaluara ka ikur tashmë dhe e ardhmja nuk ka ardhur ende, kështu që ajo që kemi është vetëm e tashmja. Mendja jonë ka një zakon që ecën me 100 km/orë dhe kjo nënkupton që rrallëherë jemi të pranishëm, këtu dhe tani. Përpiqu të ndalesh dhe të shohësh përreth, të shohësh atë që po ndodh në këtë moment, të jesh i vetëdijshëm se ku ndodhesh tani, apo thjeshtë të “përgjosh” frymëmarrjen tënde. Sapo e bën këtë, mendja fillon e hapet, dhe ti fillon të vlerësosh ato që ke në këto momente, e madje mund të fillosh të ndihesh sikur koha nuk po të “shpëton” më.

2. Mos e udhëhiq jetën tënde, nga gjërat që mendon se duhet apo nuk duhet t’i bësh

Shoqëria, apo pritshmëritë e familjeve tona, kanë prirjen të na bëjnë të mendojmë se ka gjëra që duhet të bëjmë – duhet të shkoj në Universitet, të marr një diplomë, ose nuk duhet të ndjek ëndrrat e mia, sepse nuk do të fitoj aq para, sa fitoj në këtë zyrë të mërzitshme. Të gjithë kemi nga këto “duhet” dhe “nuk duhet” që na vërtiten në mendje, por kur i bëjmë këto deklarime, kujt po ia bëjmë saktësisht? Nga kush po përpiqemi të marrim lejë? Dhe pse është kjo e pranueshme? E vetmja mënyrë për të qenë i lumtur është ta jetosh jetën ashtu si do. Mjaft vutë kufizime, për shkak të pritshmërive të të tjerëve. Eshtë jeta juaj dhe e askujt tjetër.

3. Mos i bëni gjërat më të mëdha se sa janë

Mendjet tona mund të punojnë kundër nesh, dhe përmes mënyrës së të menduarit ne zhvillojmë frikëra, që pastaj na vënë nën kontroll. Shpesh herë mund t’i bëjmë problemet shumë më të mëdhenj se sa janë. E gjitha lidhet me perspektivën. Sa herë ju ka ndodhur të mendoni që një gjë është shumë e rëndë, por më pas, një javë apo një muaj më vonë, as nuk mendoni më për të? Kjo ndodh sepse mendja juaj është e prirur të fokusohet dhe të fryjë shqetësime dhe probleme, që në fakt nuk janë të tilla. Herën tjetër që ju ndodh, ndaluni një moment dhe pyesni veten: realisht, a do të mendoj për këtë gjë edhe nesër, javën tjetër apo vitin tjetër? Shumicën e kohës përgjigja do të jetë “JO”, kështu që eleminoni gjithë shqetësimet e panevojshme nga mendja juaj.

4. Përballuni më shumë me frikërat tuaja

Të gjithë kemi frikëra – disa janë të justifikuara e disa jo – por që të rriteni dhe të merrni maksimumin nga jeta, duhet të përballeni më shpesh me frikërat tuaja. Mbani mend që shumë prej frikërave tuaja janë vetëm produkt i mendjes; ato nuk ekzistojnë. Kur të filloni të kuptoni këtë, do ju bëhet më e lehtë të bëni gjëra që ju trembin. Ndjenja që do të keni nga përballka me frikërat do të jetë shumë shpërblyese dhe lehtësuese, dhe me 100% gjërat nuk do ju duken më aq të frikshme në mendjen tuaj.

5. Gara fitohet me ngadalë dhe me siguri

Kur jemi të rinj, ne synojmë sa më lart dhe t’i arrijmë gjërat sa më shpejt. Kur i vëmë vetes objektiva, mund të heqim dorë kollaj, kur nuk i marrim menjëherë rezultatet. Bota jonë moderne na ka kushtëzuar që të presim dhe sigurojmë gjithcka sa hap e mbyll sytë, gjë që na bën të besojmë se kjo vlen edhe për ëndrrat, objektivat dhe ambiciet. Sekreti i suksesit është, hapa të vegjël për ndryshime të mëdha. Objektivat tanë na ndihmojnë të arrijmë gjëra dhe të rritemi, dhe këtë nuk e bëjmë dot, nëse gjërat ndodhin shpejt dhe s’ka hapësirë për të mësuar, apo për të patur një ndjesi të arritjes. Mbani mend t’i vendosni vetes objektiva të vogla dhe të arritshme, që do ju ndihmojnë drejt ëndrrave tuaja, dhe dijeni që jeni në rrugën e duhur, sado kohë që të kërkojë.

6. Ndalni së hamendësuari se çfarë po mendojnë të tjerët

Shpesh herë mund të bëjmë hamendësime të mëdha për atë që po mendojnë të tjerët, nëse po ju gjykojnë për diçka, apo nëse po mendojnë keq për ne. E vërteta është që bota nuk vërtitet përreth nesh. Të gjithë njerëzit që kemi përreth kanë problemet e tyre, shqetësimet dhe pasiguritë, dhe shanset janë që, ata nuk po ju kushtojnë aq vëmendje sa mendoni. Kështu që mjaft e vratë mendjen dhe, të hamendësoni atë që të tjerët mund të jenë duke menduar.

7. Vlerësoni gjithçka që keni në jetë

Një prej mësimeve më të vlefshme të jetës është vlerësimi. Sa më shumë rritemi, aq më shumë i vlerësojmë gjërat në jetën tonë, përfshirë njerëzit, përvojat, mësimet që kemi nxjerrë, madje edhe gjërat që zotërojmë. Sa më herët ta krijoni këtë zakon, aq më mirë është, sepse mirënjohja dhe vlerësimi janë çelësi i vërtetë i lumturisë. Sa më shpejt që të mund të ndriçoheni prej kësaj dhe ta integroni në jetën tuaj, aq më shumë do të jeni në gjendje të jetoni në të tashmen dhe të jeni mirënjohës për gjërat që jua bëjnë jetën të mirë – sado të vogla qofshin.

Pra qoftë banja që bën kur zgjohesh në mëngjes, natyra përreth, qeni apo macja juaj, personi me të cilin mund të flisni për gjithçka, ushqimi në frigorifer – vlerësojini të gjitha dhe vetëdijësohuni për bollëkun që është vërtetë i pranishëm në jetën tuaj. Kjo gjë do ju krijojë mendësinë pozitive që ju nevojitet për një jetë të shëndetshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button