Analiza e gazetarit të njohur rus: si po shpërblehet basti i rrezikshëm i Putinit në Siri

Një nga gazetarët me ndikim në Rusi, Oleg Kashin argumenton në një shkrim të tij, ribotuar në median perëndimore, se konflikti i zgjatur në Siri ka qenë një dhuratë për presidentin, ekspansionizmi i të cilit në Ukrainë e kishte lënë vendin të dobësuar. Më poshtë versioni i artikullit të Kashin:

“Në një poemë të famshme të shkruar nga Jevgeni Jevtushenko, një milingonë që zvarritej në fytyrën e një ushtari rus të vrarë në Afganistan pyet të vdekurin: “Çfarë mund t’i japësh vendit tim të varfëruar nëse dyqanet në vendin tënd nuk kanë ushqim?”.

Kjo është një skenë që simbolizon frikën më të madhe të Rusisë: të gjendet e përfshirë në një tjetër konflikt të padëshiruar në një vend shumë të largët, një shqetësim që qartësisht u soll nga lufta dhjetëvjeçare katastrofike në Afganistan.

Për shumë e shumë vjet përpara se forcat sovjetike të hynin në konflikt në vitin 1979, qytetarët kishin një shprehje që thoshte se ata e pranonin realitetin e vështirë të jetës së përditshme në BRSS “për sa kohë nuk kishte luftë”. Ishte një lloj kontrate sociale, por me dërgimin e trupave në Kabul, Leonid Brezhnev e theu.

Më shumë se 15 mijë ushtarë sovjetikë u vranë mes viteve 1979 dhe 1989, dhe është kjo histori që e bën vendimin e presidentit Vladimir Putin për të ndërmarrë veprime ushtarake në Siri akoma edhe më shumë befasues.

Në vitin 2013, Putin vendosi të ndihmojë Bashar al-Assad, presidentin e Sirisë, duke kërkuar kompromise me Perëndimin.

Sidoqoftë, tre vjet më pas Kremlini nuk luan më rolin e një ndërmjetësuesi, por është duke luftuar në anën e qeverisë së Damaskut, duke marrë pjesë aktivisht në përballjen midis regjimit sirian dhe kryengritësve të armatosur.

Në një kohë, mbështetësit e Putin në Rusi e diskutonin seriozisht sesi ai meritonte çmimin Nobel për Paqe për përpjekjet e tij për Sirinë. Të hënën, Rusia u akuzua për krime lufte me dyshimin se bombardoi qëllimisht një autokolonë të ndihmave të OKB-së për zonat e kontrolluara nga kryengritësit në Halep.

Kështu, çfarë e shpjegon këtë ndryshim të thellë të politikës së jashtme? Vetëm një fjalë: Ukraina.

Në pranverë të vitit 2014, ndërsa Kremlini po lëvizte për të aneksuar Krimenë, Putin ishte nën iluzionin se Perëndimi, sidomos Europa, do ta lejonte të përmbushte dëshirat e tij ekspansioniste dhe do ta miratonte, edhe pse në heshtje, aneksimin e territoreve ukrainase të populluara nga grupime pro-ruse.

Në kohën që u bë e qartë se ky iluzion ishte i gabuar, një luftë në shkallë të gjerë po zhvillohej në dy rajone të Ukrainës; një avion i Malaysian Airlines u rrëzua mbi Ukrainë; G8 u reduktua në G7; miqtë më të ngushtë të Putinit u vendosën në listë ndërkombëtare të sanksioneve, dhe Rusia ishte mëse e izoluar ndërkombëtarisht për herë të parë që nga lufta e Afganistanit.

Duke e gjetur veten në një rrugë qorre me Ukrainën, Putin vendosi të rrisë stekën. Ai veproi për të pasur sigurinë që çështja e Ukrainës të dukej mëse jo domethënëse dhe se Rusia të shndërrohej në një lojtar kyç në një konflikt që Perëndimi nuk mund ta injoronte. Kjo donte të thoshte një qasje e re ndaj Sirisë.

Konflikti i zgjatur brenda Sirisë ishte një dhuratë për Putinin.

Me Rusinë tashmë të shndërruar në lojtar kryesor në Siri, Perëndimi është edhe një herë tjetër i detyruar të negociojë me Moskën. Sulmet e ushtrisë ruse tashmë kanë për shënjestër jo vetëm bastionet e ISIS, por gjithashtu bazat e forcave pro-perëndimore. Qëllimi është të zgjatet lufta, e për këtë arsye të sigurohet vendi i Rusisë në tryezën ndërkombëtare të negociatave ku të legjitimohet politika e jashtme e Kremlinit. Madje, është më ironike se kaq, pasi selia qendrore ushtarake e Rusisë në Siri quhet zyrtarisht “Qendra për Pajtimin”.

Një koncert me muzikë klasike që luhet mes rrënojave të Palmirës, shkatërruar nga ISIS në vitin 2015, është një simbol perfekt për politikat e Putinit në Siri. Performuesi kryesor i asaj nate ishte violonçelisti Sergey Roldugin, një mik i vjetër i Putinit, i cili, sipas provave të sjella nga Panama Papers, vlen me miliarda dollarë, origjina e të cilëve mbetet e panjohur.

Rusët janë të bindur se Putin po lufton ISIS, e për këtë arsye po parandalon sulmet terroriste në shtëpinë e tyre. Bëhet fjalë për një grusht shteti të marrëdhënieve publike në Rusi dhe jashtë saj, e asgjë nuk do të ndryshojë derisa liderët perëndimorë të flasin me Putin – jo për Sirinë, por për Ukrainën dhe sanksionet.

Përgatiti: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button