Kompanitë e huaja shfaqin interes për zhvillimin sektorit të minierave në Maqedoni

Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) ka mbajtur sot një konferencë për mediat në të cilën ka shpalosur situatën në sektorin e minierave dhe në atë të përpunimit të mineraleve, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Asociacionit të Minierave, Nikollajço Nikollov tha se në bazë të të dhënave statistikore nga viti 2015-të, në sektorin e minierave dhe nxjerrjes së gurit aktive janë 173 kompani, ndërsa në sektorin e përpunimit të mineraleve të jometalike aktive janë gjithsej 332 kompani.

“Numri i përgjithshëm i të punësuarve është rreth 12.600 që në përqindje me numrin e përgjithshëm të të punësuarve në shtet është 1.7 për qind. Prodhimi Bruto Vendor (PBV) në sektorin e minierave shënon rritje të vazhdueshme që ka filluar të ndjehet në vitin 2015 kur filloi ristartimi gradual i minierave Buçim, Sasa, Toranica dhe Zlletovo, kështu që nga 0.5 për qind në atë kohë PBV tani është dyfishuar në 1 për qind”, tha Nikollov.

Sipas tij në vitin 2015 në sektorin e minierave është realizuar eksport që kap vlerën prej 155 milionë dollarë, që është 3.4 për qind të eksportit të përgjithshëm në vend.

“Në të njëjtën periudhë importet në sektorin e minierave llogariten në rreth 115 milionë dollarë, duke zënë rreth 1.6 për qind të totalit të importeve. Në prodhimin e mineraleve jometalike eksporti ka arritur në 51 milionë dollarë që është 1.1 për qind të totalit të eksporteve, ndërsa importet arritën në 295 milionë që përbëjnë 4.6 për qind të totalit të importeve”, shtoi Nikolov.
Oda Ekonomike e Maqedonisë informon se shfrytëzimi i lëndëve minerale bëhet në 378 lokacione të ndryshme në vend, ndërsa janë ndarë koncesione për hulumtime në 34 lokacione nga të cilat në 13 bëhet hulumtime për metalet bakër, ar, argjend, plumb dhe zink.

Koncesionet për hulumtim kryesisht u janë dhënë kompanive të huaja që tregon interesin e madh për zhvillimin e sektorit të minierave në një vend të vogël siç është Maqedonia, por me rezerva të konsiderueshme të mineraleve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button