INTELEKTUALI JOPUBLIK

“Fac sapias et liber eris!” (Bëhu i urtë/i ditur që të jesh i lirë!)

Dy shkrimet tona të kaluara kishin të bëjnë me intelektualin publik, me përkufizimet, shpërfaqjet e këtij profili të qytetarit që mënyrë jetese e ka dijen dhe veprimin në favor të shoqërisë. Në këtë ese do të trajtojmë një diçka të ndryshme, diametrale, antipodin e intelektualit publik, atë jopublik. Fjala jopublik nënkupton një individ që nuk është i njohur nga popullata e përgjithshme, një gjë prapa skenave, konfidenciale, ezoterike, të heshtur, të brendshme, intime, private, të vetmuar, të fshehtë (Merriam-Webster Dictionary). Përderisa publikja shenjon atë që nuk është private, që është e hapur për publikun, që është e njohur përgjitësisht si për shembull përmes mediave, gjërat jopublike janë të mbyllura dhe të njohura vetëm për një pjesë të vogël të shoqërisë. Intelektualizmi publik (ang. public scholarship) sipas Universitetit të Washingtonit ka të bëjë me arsimin publik, është pleksje e kërkimit, arsimit, akces të gjerë pubike dhe dialog me bashkësinë.

E çka në fakt pasqyron termi apo neologjizmi intelektuali jopublik? Kjo sintagmë para së gjithash flet për një kategori shkollarësh që jetojnë në guacën apo shpellën e vet të intelektualizmit, leximit, ligjërimit, hulumtimit që i mban ata gjallë në vendin e punës, në katedër, departament, fakultet, universitet, institut kërkimor etj. Intelektualit jopublik nuk i mungon bagazhi, mendimi, kreativiteti, invencioni, por i mungon guximi që të dalë në agorë, që ta thotë të vërtetën si veritas, që të përballet me kritikën ose kritikat, që të dalë në skenën ku mund të shigjtohet nga opinioni, kolegët, intelektualët dhe para së gjithash nga politika. Intelektualit jopublik i mjafton vendi i punës, i mjafton paga, i mjafton prestigji për të cilin është i vetëdijshëm vetëm ai, institucioni i vet, studentët dhe bashkëpunëtorët. Ai ka droje që të mos e turbullojë ujin, që të mos bëhet objekt shkrimesh e komentesh. Ai di, por di vetëm për evtëveten, ai kritikon por vetëm në ndeja diskrete. Kur vjen fjala për të thënë diçka troç, ka dilema, edhe atë shumë të mëdha që e bëjnë që të bashkëjetojë me veten, me kursin dhe diskursin e profesionalitetit, ku nuk ka dyshime për veten, por kur vjen te mejdani i ballafaqimit me “totemët”, me të paprekshmit, me brahmanët, aty ndalet dhe… suus, hesht! Ai s’e merr guximin për shfrytëzimin të undësive për përfshirje aktive publike (active public involvement), ai e ka më lehtë të intelektualizojë brenda hemisferës së vet, brenda globit të shkollarësisë së imagjinuar nga vetë ai. Ai edhe ka liri edhe s’ka liri, edhe e gëzon edhe s’e gëzon lirinë, edhe duket, edhe s’duket, në fakt s’dëshiron të duket, sepse “nuk dëshiron të bëhet i keq”, e në fakt e ndihmon të keqen me heshtjen e vet publike. Intelektuali jopublik kollarizohet kur i thonë, e rri gatitu kur e urdhërojnë, jep deklarata me porosi, s’është rehat as në shpi. Intelektuali jopublik nuk është disident, është larg disidencës me kilometra.

Ne sot ballafaqohemi me heshtjen e intelektualit, të një pjese të shkollarëve që kanë pritje, në fakt interesa dhe benefite që mund t’u vijnë në të ardhmen. Sa e shëmtuar është pamja kur “intelektualë” të caktuar iu vardisen politikanëve, kur shprehin një formë të frikërespektit, që është kategori e teologjisë, jo e raporteve njeri-njeri, por raporteve njeriu-Zoti. Imagjinoni korin e duartrokitjeve për figurat politike edhe kur fliten dokrra, edhe kur thonë të pamenduarën. Në një shoqëri ku edhe kolumnat shkruhen me porosi, ku portale e gazetarë janë me ngjyrime politike, ku edhe mësimdhënësit thurin elozhe për “liderin”, s’mund të flitet as për debat publik, as për intelektualizëm, as për kritikë konstruktive.

Me siguri shumë prej neve na ka ndodhur të na thonë: “Kshyre punën tënde, mos u përzij në punë të shtetit, politikës, partisë, prijësit…”, “Nuk do ta shpëtosh ti botën, e the, s’e the, ata do të vazhdojnë me të veten.” Ky është defetizmi vetë, kjo është vetëcensura. Këta njerëz nuk kanë dëgjuar për shprehjen “E thash (të vërtetën) dhe shpëtova!” Intelektuali jopublik është lumpen intelektual, intelektual i kafeneve (“coffee house” intellectual), që realisht nuk mundohet të zotërojë asnjë subjekt, por vetëm rrëmon nëpër libra ashtu siç e çojnë impulset.

Horkheimer  flet për arsyen objektive dhe atë subjektive. Sipas tij, që nga iluminizmi e këndej mbizotëron arsyeja subjektive (e parë në subjektivizëm dhe pragmatizëm) që realitetin e vlerëson në bazë të interesave të ndryshme, që është i preokupuar me mjetet dhe qëllimet. Në kohën tonë, sipas tij, arsyeja objektive, që synon të vërtetën vetëm për hir të së vërtetës, është harruar. Ai krizën e qytetërimit e sheh në besimin te arsyeja objektive,  cila gjeneron tipin e rezistencës përkundër atij të nënshtrimit. Ky i fundit, sipas Horkheimerit, shërbehet me arsyen subjektive, mundohet t’i përshtatet mjedisit, e humb individualitetin dhe jeton si anëtar i organizatës. Tipi i rezistencës beson në arsyen objektive, nuk iu përshatet standardeve dominuese dhe nuk e sakrifikon të vërtetën për jetë komode.  Rreth pjesës së tretë të kësaj fjalie duhet menduar gjerë e gjatë! A ekziston kjo kategori ndër ne? A e gjejmë në mesin tonë intelektualin-elitarin që nuk e sakrifikon të vërtetën për jetë komode, ose që e sakrifikon komoditetin për hir të së vërtetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button