POLITIKANI

“Përparësia jonë, vëllezër, është se jemi një komb unik”, tha Politikani duke e rrotulluar nëpër gishta gotën me uiski në bahçen e kafenesë së lagjes së skajshme e të skajuar të qytetit ku ishte ulur me disa ish punëtorë, ndër të cilët ishte edhe Meta. “Neve”, vazhdoi Politikani që ishte në pushtet për të tretën herë falë votave të njerëzve si këta të lagjes së skajshme e të skajuar të qytetit, “nuk na pengojnë dallimet fetare, dallimet politike, dallimet ideologjike që të jemi të bashkuar… Por… për ta ruajtur këtë harmoni e këtë bashkim, duhet punë. Ne, vëllezër”, e ngriti  tonin Politikani, ”e kemi në programin tonë si kapitullin më të rëndësishëm bashkimin… Kombi mbi të gjitha, vëllezër!… Ne do të punojmë për bashkim kombëtar”. “Bashkimi?… Kombi?… e shprehu habinë në vete Meta, sepse ky politikan dje foli  kundër partisë tjetër shqiptare. Meta e shikoi në sy Politikanin dhe e pa se në fytyrë po i rëndonte një seriozitet dhe pikërisht atëherë Metës iu bë se qeshi me ironi hija e Politikanit me pronarin e saj. Kuptohet, dukej qartë se Politikani kishte ardhur që t’i blinte ish punëtorët, tash të papunë, me bonbone. Ose do të kishte ndonjë  presion nga ata të “mëdhenjtë” që vijnë të japin detyra shtëpie dhe të lënë t’i bësh ato nëpër baltë. Se, si do t’i jenë kujtuar ndryshe Politikanit lagjja e skajshme dhe e skajuar e qytetit dhe ish punëtorët, tash burra të papunë, që jetojnë me shpresa dhe pa shpresa?
E zhvendoste shikimin e tij Meta prej fytyrës së rënduar  nga serioziteti e Politikanit te fytyrat shokëve të tij ish punëtorë, tash të papunë, të cilët shtireshin sikur e ndjekin me respekt fjalën e Politikanit. Habitej me ta. I dukej se ata, shokët e tij, po i vardiseshin Politikanit, i cili kishte arritur në këtë post pa ndonjë meritë dhe pa kualitete që kërkohen për punën e vështirë të politikës. Si mundet njeriu të bjerë edhe më poshtë se shkalla më e ulët e pozitës në të cilën gjendet si i papunë, si mund të gjunjëzohet para një njeriu të këtillë?. Ç’është e vërteta njerëzit kishin nisur t’i shpërndanin nëpër rrjetat shoqërore disa fotografi të Politikanit me poza të pahijshme. Ai kishte dalë edhe si pusht. Dhe, kjo Metën e bënte edhe më nervoz, sepse mendonte që politikani duhet të jetë shembull i ndershmërisë për të tjerët. Hajn e pusht, kurrsesi!

Tashmë Meta nuk i dëgjonte fjalët e Politikanit, të cilat i vinin si copëza jehone dhe shpërndaheshin në erën e lehtë që frynte e binin në tokë, në baltë. “E kam ditur se njerëzit dinë të bien, por se kaq poshtë mund të bien, se mund të gjunjëzohen kështu, s’e paskam ditur”, tha vetë me vete Meta, duke i shikuar shokët e tij. Pastaj përsëri iu kthye temës së bashkimit e të harmonisë, për të cilën fliste Politikani. Përsëri u vuri vesh fjalëve të Politikanit që jepte shembuj e shembuj të harmonisë dhe të bashkimit tonë nga koha e rilindësve duke i krahasuar me ditët e sotme. Iu duk jo vetëm qesharak Politikani, por më shumë një njeri i cili i kapërcente edhe kufijtë e demagogjisë. Se, ishte ai që punonte më së shumti kundër bashkimit. Nga ana tjetër rrjetat shoqërore jepnin një pasqyrë tjetër  nga ajo që mundohej ta paraqesë Politikani. Në këto rrjeta njerëzit të cilët e ndiqnin derdhnin helm kundër anëtarëve të partive të tjera. Përveç kësaj në këto rrjeta ku duket realiteti i jetës së vulgut zhvillohet luftë e vërtetë verbale midis grupeve të ndryshme religjioze midis fesë myslimane, se më për luftën e këtillë verbale midis myslimanëve dhe pjesëtarëve të religjioneve të tjera as mos të flasim, mendonte Meta. Dhe, Meta e dinte se Politikani nuk u beson fjalëve të veta për bashkim e për komb, e dinte, po ashtu se as shokët e tij ish punëtorë e tash të papunë nuk u besojnë fjalëve të Politikanit, por nuk e kapërdinte dot demagogjinë e tyre që pohonin me kokë sikur po e miratonin fjalën e Politikanit. Pse e ndiqnin vallë kështu kur janë të vetëdijshëm se nuk mund të kenë kurrfarë leverdie nga Politikani?
Dhe Meta e zu edhe veten duke e dëgjuar Politikanin si fliste. E vërteta ishte se ai nisi ta dëgjojë për të parë se deri ku arrijnë ultësia njerëzore, por sido që të jetë edhe ai e dëgjonte. Po ai me vite e kishte dëgjuar të njëjtën gënjeshtër nga shumë politikanë dhe nuk kishte nevojë të humbte kohë me Politikanin i cili tash u drejtohej atij dhe shokëve të tij me vëllezër. Ishte krejt njësoj si dje kur atij dhe shokëve të tij u drejtoheshin me “shokë” e në të vërtetë ata që thoshin se i kishin shokë punëtorët ishin armiqtë e punëtorëve. Tash, madje,  ishte edhe më keq sepse ata që ish punëtorëve u thoshin “vëllezër” ishin edhe më të zez se ata që dikur punëtorëve u thoshin “shokë”.

Kështu i silleshin mendimet Metës, të cilit herë-herë i vinte të bërtasë e të dëgjohet zëri deri në kupë të qiellit, por nuk e bënte dot këtë, sepse nuk e lejonte ndërgjegjja, sepse e kishte me rëndësi ta mbrojë fytyrën. Ndërgjegjja? Fytyra? Po. Këto ishin pasuritë e vetme me të cilat krenohej Meta. Atëherë iu kujtua Politikani që kishte bërë pasuri të madhe materiale. Menjëherë pas kësaj erdhi pyetja: po si e kishte bërë këtë pasuri ai? E kishte dhënë fytyrën për të. Meta s’mundte ta bëjë këtë. Këtë? Kurrë!

Pastaj Meta e ktheu kokën nga dera e kafenesë që e ishte afër tavolinës së tyre dhe e pa veten në pasqyrën që, ku ta dish se pse, e kishte vendosur pronari në derë. Pastaj tha: “Epo!…”, por nuk e vazhdoi fjalinë. U ngrit dhe heshtazi mori të largohej. Pas disa hapash e pa se edhe shokët po e ndiqnin.

E kthyen kokën të gjithë prapa dhe e panë Politikanin si u bënte me dorë në shenjë mospërfilljeje dhe qeshte. Metës iu duk se ai po u bënte me dije se ai përsëri, për të katërtën herë do të bëhej “politikani i tyre” dhe do të vazhdonte të rrijë në kolltukun e kuq përsëri me votën e “vëllezërve” ish punëtorë e tash të papunë.

A mundet edhe kjo punë të bëhet? E pyeti Meta veten. Pse mos të mundet? iu përgjigj pyetjes së vet, kur ka mundur edhe tri herë më parë. Pse mos të mundet, kur jemi “kaq të bashkuar” dhe kur “kombin e kemi mbi të gjitha”?

Metës i erdhi keq pse kishte menduar se shokët e tij ish punëtorë, tash të papunë, ishin gjunjëzuar para Politikanit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button