Gjurmëve të kolosit tetovar Mehmet Pashë Deralla

Duke gjurmuar pas shtigjeve të jetës dhe veprimtarisë kombëtare të kolosit shqiptar, atdhetarit të paepur, pashait tetovar, Mehmet Deralla, me shumë grada mbi supe, deri në atë të gjeneralit të ushtrisë perandorake; sigurimit me ushtarë të konferencës së Lidhjes së Prizrenit; qëndrimit në Bagdad, kthimit në Selanik, hedhjes së uniformës osmane, marrjes së postit të ministrit të parë të Luftës në qeverinë e Ismail Qemalit; si dhe peripecive pasuese deri në burgosjen e tij nga forcat serbe-bullgare, me të birin Halimin, e të tjera ngjarje shumë të rëndësishme historike; arritëm tek “rrëfimet” e njërës nga vajzat e Halim Bej Derallës, Emine Deralla, e cila ka dhuruar kujtimet autentike për këto ngjarje ndër vite, si testamentin më të çmuar, nipit të saj Ervin Pilku, i cili aktualisht jeton dhe punon në Nju-Jork.

Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Tetova
Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Tetova

Një premtim i kahershëm, për t’i zbuluar sheshazi disa “detaje” nga jeta dhe veprimtaria kombëtare e Mehmet Pashë Derallës, që i ka dëgjuar Ervin Pilku gjatë vitesh nga të parët e tij, u sendërtua kohë më parë, në saje të një korrespondence elektronike që vendosëm në linjën Tetovë-Nju Jork. Rastësia deshi që babai i Ervin Pilkut, diplomati në pension Nexhat Pilku, të qëndrojë dy vjet më parë në Tetovë, së bashku me pasardhës të tjerë të familjes Deralla, me rastin e një Konference të mbajtur në Tetovë, në nëntor të vitit 2014, kushtuar jetës dhe veprimtarisë kombëtare të Mehmet Pashë Derallës, në shenjë të shënimit të 102-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Fotografi familjare: e bija e Halim Beut, Emine Deralla-Pilku /në mes/, me të birin Nexhat Pilku, diplomat, nusen Mirvjena, si dhe nipërit, Ervin dhe Alpi
Fotografi familjare: e bija e Halim Beut, Emine Deralla-Pilku /në mes/, me të birin Nexhat Pilku, diplomat, nusen Mirvjena, si dhe nipërit, Ervin dhe Alpi

Gjatë shkëmbimit të korrespondencës mësojmë se familja e Ervin Pilkut me rezervë merr raportimet e disa historianëve të sotëm lidhur me një pjesë të jetës së Mehmet Pashë Derallës. Kjo ka të bëjë sidomos me disa fakte që po shtrembërohen ose u jepet një dimension dramatik. Lëvaret një pakënaqësi për mospërfilljen e trashëgimtarëve të Halim Derallës nga ana e pushtetit, në lidhje me restaurimin e shtëpisë së tij në Tetovë, e cila po kthehet në një Muze dedikuar të atit Mehmet Pashë Deralla, duke mos shfaqur të qartë faktin që kjo shtëpi ishte rezidencë e Halim Bej Derallës, por jo edhe shtëpi e dikurshme e Mehmet Pashë Derallës.

Mehmet Pashë Deralla, gjeneral i Ushtrisë Perandorake, i ulur majtas, bashkë me disa ushtarë në shërbim të tij
Mehmet Pashë Deralla, gjeneral i Ushtrisë Perandorake, i ulur majtas, bashkë me disa ushtarë në shërbim të tij

Ervin Pilku, duke kujtuar fjalët e gjyshes, thotë se “në fillim të vitit 1978, si gjeneral i ri i Perandorisë, Mehmet Pashë Deralla shërbente si komandant i garnizonit të Stambollit. Me kërkesën e të atit, Hasan Pasha, u kthye në Prizren, në qershor të po atij viti për të marrë përkohësisht prej të atit detyrën e drejtuesit të garnizonit të Prizrenit. Ky garnizon, në atë kohë drejtohej nga Hasan Pashë Deralla. Pasi që Hasan Pashë Deralla ishte delegat i Tetovës në Lidhjen e Prizrenit, i besoi të birit detyrën e mbrojtjes së delegatëve nga të gjitha viset shqiptare dhe sigurimin e punimeve të Lidhjes.

Mehmet Pashë Deralla, gjeneral i Ushtrisë Perandorake, i ulur majtas, bashkë

Më pas, Mehmet Pasha u kthye të shërbente përsëri në oborrin mbretëror të Sulltan Hamitit, si komandant i garnizonit të Stambollit. Në vitin 1904 transferohet në Bagdad, si komandant i garnizonit perandorak. Në vitin 1908 jep dorëheqje nga detyra e pashait dhe kthehet në Selanik. Nuk pranon ftesën e xhonturqve për t’u veshur përsëri pasha, por i bashkëngjitet luftës për pavarësi. Vite më pas zgjidhet ministër i Luftës në Qeverinë e Ismail Qemalit, më 1912. Pas dorëheqjes së qeverisë së Vlorës, më 1914 vazhdon luftën kundër pushtimit serb, bashkë me të birin Halimin”.

Por, kush është në të vërtetë, Ervin Pilku, që na i kujton këto ngjarje të së kaluarës? U lind më 8 qershor 1973, në Tiranë. Ka të gjallë prindërit, nënën Mirvjena Deda-Pilku dhe babanë Nexhat Pilku. Në fëmijëri, ka jetuar me prindërit, gjyshen Emine dhe gjyshin Adem Pilku, në një apartament të vogël në Tiranë, tek zona ku quhej `21 Dhjetori`. Ka mbaruar tetëvjeçaren tek `Alqi Kondi`, dhe pastaj Shkollën e Mesme Elektronike. Ka filluar studimet në vitin 1991 në Universitetin e Tiranës, në Degën e Elektronikës. Në fillim të vitit 1993, i ati i tij, Nexhat Pilku, u dërgua si diplomat në Ankara, në postin e Sekretarit të dytë të Ambasadës së Shqipërisë në kryeqendrën e Turqisë. Ndërkohë, Ervini u transferua në Middle East Technical University në Ankara për degën e elektronikës, ndërsa më 1995 ka shkuar në Nju-Jork. Atje ka diplomuar në Baruch College në vitin 2001 për administrim biznesi me specializimin për kapitalet financiare, në të cilin profil punon që atëherë. Tani është drejtor-manager tek Cantor Fitzgerald dhe drejton tregtimin global për borxhet fikse që quhen CLOs. Është martuar në vitin 2005 me Tracy Elizabeth Dudgeon. Kanë dy djem, Caelan Adam Pilku lindur në NY më 2008 dhe Oliver McKenzie Pilku më 2010.

Më tej, Ervin Pilku, duke shpaluar biografinë familjare, thotë: “Gjyshja ime, Emine Derralla, nga e cila kam ruajtur me dashuri disa rrëfime interesante për jetën dhe veprën e Derallajve, lindi më 12 qershor të vitit 1912 në Selanik, dhe ishte vajza e dytë e Halim Bej Derallës. Emineja ishte më e madhe se sa hallat e saj, Haxherja dhe Nigjarja (të bijat e Mehmet Derallës), si dhe pak më e madhe edhe se xhaxhai i saj, Hysen Deralla. Këto të tre fëmijët (Hyseni, Haxherja dhe Nigjarja) të Mehmet Derallës janë nga martesa e fundit me Nadiden (Nenen). Në të vërtetë, Mehmet Pashë Deralla është martuar katër here dhe kishte 9 fëmijë. Pesë nga gruaja e parë dhe katër nga ajo e fundit. Gruaja e dytë dhe e tretë kishin vdekur, pa pasur fëmijë. Me gruan e parë ka pasur këta fëmijë: Halimin, Mynipin dhe tri vajza që u martuan dhe shkuan në Turqi. Me gruan e katërt kishte katër fëmijë të tjerë: Gajurin, Hysenin, Haxheren dhe Nigjaren. Përveç Gajurit, personalisht i kam njohur që të gjithë, si dajën Hysen dhe motrat e tij, Nigjaren dhe Haxheren. Gruaja e katërt (çerkeze) ishte e bija e guvernatorit të Bagdadit, ndërsa jeta me të kap periudhën e fillimit të viteve 1900”, kujton të parët e tij, Ervin Pilku.

Mehmet Pasha dhe Halim beu zihen robër nga ushtarët serbo-bullgarë

Në fillim të vitit 1915, Mehmet Pashë Deralla dhe Halim bej Deralla u zunë robër nga ushtarët serbo-bullgarë. Arsyet e arrestimit dhe të burgosjes kishin lidhje me kundërshtimin e armatosur të tyre ndaj forcave serbe dhe bullgare në Kryengritjen e parë dhe të dytë të Dibrës. Në shtator të 1913-s, Mehmet pasha dërgoi Halimin dhe Mynipin nga Vlora për në Tetovë, për të ndihmuar veprimtarinë e bashkatdhetarëve në Kryengritjen e shtatorit të vitit 1913, që u quajt ndryshe Kryengritja e Parë e Dibrës. Në fillim të vitit 1914, Mehmet Pasha u kthye në rrethinën e Tetovës dhe jetonte si kaçak, duke u endur së bashku me të birin  maleve të Sharrit. Ata të dy kapen në fillim të vitit 1915 nga forcat serbo-bullgare dhe dërgohen në burg, në kështjellën e Karllovës në Bullgari, ku dhe dënohen me vdekje.

Vijon…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button