Katastrofa humanitare që nxorri në pah katastrofën politike të BDI-së

Katastrofa natyrore e javës së shkuar më gjeti edhe mua dëshmitar dhe aktor të drejtpërdrejtë të saj, por nëse mëngjesin e ditës së nesërme e prita me ekzaltimin e fëmijës së parë, për shumë të tjerë ky mëngjes dhe të gjitha mëngjeset qysh atëherë I kanë gdhirë me humbje në njerëz, me tragjedi familjare, me shkatërrim pasurie dhe prone, me rrënim të ardhmërive. Dhe përderisa natyra nuk është ajo që ndan njerëzit në bazë të kombësisë dhe fesë, sepse dëm dhe shkatërrim solli si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonët, janë udhëheqësit tanë politikë ata që u siguruan që një ndarje e këtillë të jetë evidente që nga dita e parë pas katastrofës. Në mes të kësaj jave shënuam 15 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit me një lemzë të theksuar të nxitur nga dështimi dhe mossuksesi I kësaj antante që këto vite të shkuara nuk arriti ta ndryshojë as edhe një piksel as edhe një atom konceptin tonë të prapambetur për marrëdhëniet ndëretnike, gjë që ishte evidente në disorganizimin evident të shpërndarjes së ndihmave dhe solidaritetin ndaj të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe të njejtë për përballimin dhe tejkalimin sa më të shpejtë të një katastrofe të këtillë të përmasave biblike.

Për dikë që ka humbur gjithcka, që ndjen frustrimin dhe pafuqishmërinë përballë asaj të keqeje që ia ka sjellë natyra dhe Zoti, nuk është fare i nevojshëm frustrimi që sjellin barbarizmat dhe prapambeturia e kësaj shoqërie të cilës në momentin më të vështirë iu theksua kalbja e rrënjëve mbi të cilat ajo – duhet të – ndërtohej(t). (Le të mbetet frustrimi tek autori në këtë rast, sepse nuk dua tjua vështirësoj akoma më shumë ditën atyre që me të vërtetë kanë humbur dicka të prekshme dhe reale, megjithëse në këtë katastrofë humanitare të gjithë humbëm dicka.) Por kalbja e kësaj shoqërie nuk tangon vetëm konceptet filozofike dhe sociale të krijimit të shtetit; ajo është e theksuar fuqishëm edhe në përditshmërinë e saj. Është e theksuar në formën në të cilën konceptojmë tjetrin, të ndryshmin; është e theksuar në dembelizmin tonë për të menduar përtej të sotmes; është e theksuar në mënyrën hipokrite klienteleske në të cilën funksionon aparati shtetëror, atë të koketimit dhe lajkave brenda qeveritare për ndarjen e porcioneve të tortes që quhet korrupsion dhe pasuri shoqërore, dhe të marrëdhënieve dashuri-urrejtje apo nxehtë-ftohtë në publik në momentin kur ky aparat shtetëror i ndarë në funksionet e tij edhe në mënyrë operative mes maqedonasve dhe shqiptarëve duhet të realizojë programet dhe duhet të realizojë funksionin e tij mbrojtës ndaj popullatës së vet në mënyrë të barabartë dhe të njejtë.

Kjo katastrofë natyrore fatkeqësisht nuk nxorri në pah vetëm mbeturinat dhe fekalet, por nxorri në pah edhe paaftësinë dhe jogatishmërinë e një partie politike që mban pushtetin gati 15 vjet për të dalë në ndihmë të qytetarëve të saj në mënyrë të vendosur dhe të denjë si për 150.000 votat që i mban përmbi supe si grada ushtarake me krenari të madhe dhe me pompozitet. Nxorri në pah dembelizmin dhe prokrastinacionin politik dhe operativ të këtyre njerëzve pushtetmbajtës të lodhur nga sukseset dhe nga dominimi i skenës politike, të cilët të papërgatitur për t’i bërë ballë një krize të vërtetë nuk arrijnë të definojnë hapat dhe projektet që do të qetësonin atë pjesë të shqetësuar të popullit që ndjen frustrimin e përditshëm të humbjeve dhe tragjedive të mëdha. Nuk po arrijnë të qetësojnë opinionin publik dhe këta 150.000 votues as me hapa konkretë drejt lehtësimit financiar dhe as edhe me lëvizje për ngritjen morale të atyre njerëzve që kanë humbur gjithcka.

p.s. Kujdes partive opozitare pretendente të pushtetit! Ato duhet të tregojnë frymë të re, duhet të tregojnë energji për të realizuar projekte dhe programe progresive, duhet të tregojnë që kanë fuqi për të bërë ndryshimin e madh jo vetëm konceptual por edhe praktik – se shpeshherë në politikë pragmatizmi është më i vlefshëm sesa krijimi i vlerave, ngase vlerat krijohen si rezultat i programeve politike, sociale dhe ekonomike të ndërtuara në bazë të pragmatizmit politik. Nuk duhet të futen në lojëra fjalësh dhe dogmave politike, në një luftë të tillë do të humbisnin cdo betejë. Nëse nuk kanë dicka të mencur për të thënë apo nuk propozojnë hapa konkretë për tejkalimin e kësaj krize humanitare, më mirë le të mos hapin gojën fare, le të vlejë në ato raste sintagma: heshtja është e artë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button