TMERR DHE LAVDI…

Shkupi i ngjau një “Titaniku” para fundosjes. Statujat nuk u dëmtuan. Princat e fasadave u shfaqen vonë në ekrane. Paraprakisht: “Asnjë lajm, asnjë fjalë, vetëm zogj që vijnë e shkojnë”. Prej së largu, me vonesë, e mësuam përmasën e fatkeqësisë ardhur prej qielli e toke. Shumë njerëz kishin qenë në kufirin mes jetës e vdekjes dhe me fuqi mbinjerëzore tentonin t’i shpëtonin të dashurit që vdekja ua merrte para syve.

Televizionet heshtën dhe takime liderthësh atë natë nuk pati. Në rrjete sociale nuk munguan idiotët me syze ideologjike. Shitën moralin që nuk e kanë dhe humanizmin që u mungon. U shfaqen edhe surrate se, me demek, ishin “gju më gju” me popullin. Ishte koha kur duhej të gjithë, pa dallim, që të merreshin me pasojat dhe jo me shkaqet. Nuk ishte kohë tastaturash e fotoaparatesh.

Pastaj… erdhi dita e re me lajme të trishtuara. Të vdekur e të zhdukur. “Për ne shkupjanët dita e mbrëmshme ishte ankth, e sotmja është ditë zie”, shkruante shkrimtari Xhabir Ahmeti. Shkurt e dhembshëm.

II.

Të njëjtën ditë kur në Shkup ndodhte tmerri, në Rio ndodhi lavdia. Tmerr e lavdi kishte gatuar kjo ditë e çuditshme. Xhudistja Majlinda Kelmendi e fitoi të artën olimpike. Nën fluksin e emocioneve postova shënimin: “Poetë shkruani poezi për këtë vajzë, sikurse poetët antikë shkruanin poezi për fituesit e lojërave olimpike!”. Një thirrje, në dukje patetike. Në fund të fundit poeti, i cili shkruan atë që ja dikton shpirti, nuk u përgjigjet apeleve. Nuk do të duhej që të shkruante me porosi apo me pasion për heronjtë e paqenë. Është shkruar edhe kështu. Janë lartësuar e lartësohen mjeranë në olimpe të rrejshme. U janë dhënë e u jepen medalje “lavdie” liliputëve të asnjë kohe. Nuk ka hyrë në punë thënia monumentale e Kishit: “Mos shkruaj për princa se do pendohesh!”.

III.

Për Majlindën s’kemi pse turpërohemi që të shkruajmë e të këndojmë me frymëzim aedi. S’do pendoheshim për vargjet tona as sot e as nesër. Ajo u ngjit në majë Olimpi me mundim titani. Pa ngritur kurthe, pa bërë mëkate, pa bërë paudhësi apo ndonjë vrasje.

Nesër, kur të hapen të gjitha dosjet, askush s’mund të thotë se kampionia keqpërdori fitoren për të bërë gjithë të ligat, ashtu sikurse sa e sa të tjerë që injorojnë sa e sa majlinda të ardhshme, por duan që të përfitojnë nga majlindat e sotme.

Janë si miza në shpinë elefanti. Janë si retë, retë kalimtare…

IV.

Në media sërish tituj me pikëpyetje! Çka fiton Majlinda Kelmendi për të artën olimpike?

Sigurisht, jo sa ata që e nxijnë të tashmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë; pasuruar pa punuar, pa u lodhur, pa derdhur pikë djerse. Atje e Këtu. Kudo.

Majlinda i ka merituar paratë. Nuk e ka dëmtuar shtetin dhe nuk e ka koritur kombin, veçse i ka lartësuar. Milionat e shtetit duhet t’i takojnë asaj dhe jo atyre që e nxijnë imazhin e vendit.

Shtetet harxhojnë miliona për një kampione e Majlinda refuzoi miliona për t’ia sjellë Kosovës një kësi medalje ari.

Majlinda fitoi gjithçka: lavdinë, dashurinë e një kombi, fitoi atë që nuk mund të blihet me para, as me paratë e atyre që, po të kishin mundësi, ja kishin vjedhë edhe lavdinë.

Epo jo gjithçka mund të blihet apo vidhet.

Majlinda është modeli që na duhet. Një vajzë e urtë, e heshtur, që nuk ka nevojë të flasë. Flet e arta e saj olimpike, flasin mediat botërore.

Majlindës, megjithatë, i duhet pasuri, që mos e përjetojë fatin e sportistëve elitarë. A pyet kush për Shaban Tërstenën apo Azis Salihun? Duhej të kishin miliona, të jetonin nga marketingu, të ishin këshilltarë dhe drejtues institucionesh sportive, që të ishin nxitje për rininë tonë, që ajo rini të shihte se si respektohen ata që me përkushtim mbinjerëzor arritën në monteverestin e suksesit, atje ku arrihet vetëm me mund pa fund, pa “ndërhyrje”, pa ndihmën e asnjë “faktori”.

Jetojmë në kohë të trishtuara.

“Sa poshtë kemi rënë duke u ngjitur drejt një Olimpi të rrejshëm”, thoshte Azem Shkreli.

VI.

T’i kthehemi sërish Shkupit. Kryeqytet i zymtë, veshur me petk dhembjeje e trishtimi. Shteti, si thonë mediat, po i ndan të prekurit nga fatkeqësia në baza etnike!

Dhembja e atyre që kanë humbur të dashurit e tyre është e të njëjtës përmasë, pavarësisht përkatësisë etnike e religjioze. Pas fatkeqësisë mund të trajtohen ndryshe… Të papërfaqësuarve u mbetet solidariteti. Ai nuk duhet që të mungojë. Ka njerëz që vuajnë për të dashurit e tyre. Ka që kanë humbur shumëçka materiale, pasi kanë investuar një jetë të tërë, me aq sa kanë pasur mundësi. Mbi të gjitha duhet ndërhyrja e shtetit, sepse ka themeluar institucione për kësi rastesh dhe duhet njerëzve t’u sigurojë jetë të dinjitetshme.

VII.

Fatkeqësia që ndodhi nxori edhe do pamje të tjera që tregojnë jo vetëm pasojat pas fatkeqësisë, por edhe për kushtet e rënda që kanë jetuar njerëzit edhe para vërshimit… E mua po më kujtohet poezia “Rektimë” e mikut tim të shtrenjtë Ali Podrimjes: “S’di pse më merr malli ta shoh Shkupin / E atje s’është Lumi / As Baci Bajram nuk zdirgjet Grykës së Kaçanikut / S’di pse N’ujëra të Vardarit i fus thellë duart / E më terrohen sytë / S’di pse hapat më ngatërrohen / E shiu më ndjek pas / Derisa të kyçem në shtëpi / S’di pse / Për një mend s’di pse / Shkupi më dhemb në shpirt”…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button