Banorët e Çairit të paraqesin ankesat e tyre të dëmeve nga vërshimet në Komunë

Banorët e komunës së Çairit thonë se edhe kësaj radhe ishin të dëmtuar nga shiu i rrëmbyeshëm që përmbyti disa lagje të Shkupit dhe u shënuan po ashtu edhe viktima.

Ata thonë për Portalb se asgjë nuk është më e vlefshme se jeta, mirëpo gjithashtu thonë se edhe problemet e kësaj komune nuk duhet anashkaluar.

“Jo vetëm tani, por gjithmonë kur bie shi pak më shumë se zakonisht, neve na hyn uji. Pusetat e kthejnë ujin nuk kanë kapacitet. Nuk di çfarë të them po gjithnjë që ka paralajmërime për mot me shi, ne jemi në frikë se mos do të na hyjë uji”, tha Avni Q. banor i lagjes Serovë.

Vërshimet, "Seravë" - Shkup

“Vërshimet kësaj here ishin të tmerrshme ku morën edhe jetë. Të them të drejtën me vjen turp edhe të ankohem kur e di që dikush tjetër ka humb të afërmit e vet. Dëme kemi pas, mund të them se shumica e lagjeve të Serovës, Gazibabës e madje edhe Dizhonit, ka pësuar dëme nga shiu. Tani dëgjojmë që sërish paralajmërohet mot i keq, nuk di çfarë të them”, tha Ramiz S., banor i Serovës.

“Askush nuk ka ardhur të shoh se si jemi, sa dëme kemi pas, kjo është turp për komunën, pasi që ajo e di se me çfarë problemesh ballafaqohemi ne. Edhe vet kryetari i komunës jeton në këtë lagje, duhet të del të bën një shëtitje dhe të sheh se në çfarë gjendje është Serova”, tha N.H., banor.

Nga komuna e Çairit bëjnë të ditur se ka pasur ankesa dhe se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet është krijuar dhe ka filluar punën.

“Ka pasur ankesa për vërshime, kryesisht qytetarët janë ankuar se uji ka hyrë në podrumet e tyre dhe Komisioni për vlerësimin e dëmeve ka shkuar në teren për t’i verifikuar ato që thonë banorët”, tha për Portalb Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.

Vërshimet, "Seravë" - Shkup

Ai shtoi se ata qytetarë që kanë pasur dëme të paraqiten në Komunë, në mënyrë që të bëhet vlerësimi i tyre.

“Të gjithë qytetarët që janë prekur nga vërshime të paraqiten në Komunë me qëllim që të bëhet vlerësimi i dëmeve dhe atyre të ju ofrohet ndihmë”, shtoi më tej Qerimi.

Banorët e kësaj komune disa herë u ankuan pas rreshjeve të shiut pasi që për shkak të problemeve me kanalizimin, nuk duhet shumë për t’u vërshuar kjo lagje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button