“KSHZ vetë t’i verifikojë votuesit kontestues”

Qendra për Demokraci dhe Zhvillim dhe Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisjes së mirë shprehin shqetësimin e tyre dhe ngrenë zërin “kundër tentativës për heqjen e të drejtës së votës, që u bëhet gati dyzet mijë qytetarëve, duke i shpallur si votues të kontestuar, ndër të cilët pjesa dërrmuese janë shqiptarë. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë ua garanton të drejtën e votës të gjithë qytetarëve që e kanë kaluar moshën mbi 18  vjet. Asnjë pushtet, parti në pushtet, funksionar publik, individ ose çfarëdo qoftë ai, nuk është mbi ligjet dhe kushtetutën e këtij vendi, por duhet të jetë në mbrojtje të interesit dhe të drejtave të qetarëve”.

Sipas tyre, nëse e analizojmë  këtë listë të përgatitur nga KSHZ-ja, duket se ajo nuk është përgatitur në bazë të asnjë standardi, nuk është dhënë asnjë shpjegim i mjaftueshëm dhe i arsyeshëm dhe, me këtë, gati dyzet mijë qytetarëve u rrezikohet e drejta e votës, duke i detyruar ata të paraqiten personalisht në zyrat e KSHZ-së ose në formë elektronike të mund ta mbrojnë të drejtën e votës. Edhe pse shpjegimi fillestar ishte se kemi të bëjmë me qytetarë që jetojnë në mërgim, qytetarë të shumtë për çdo ditë shprehin pakënaqësinë e tyre se janë përfshirë në këtë listë edhe pse asnjëherë nuk kanë jetuar jashtë vendit.

“Ky hap i KSHZ-së, i cili rezulton nga marrëveshja politike ndërmjet katër partive më të mëdha politike në vend, qytetarët i vendos ne pozicion  jo te barabartë. Duke e pasur para sysh se ndodhemi në sezonin veror, gjë që shkakton shumë pengesa për qytetarët që të paraqiten, i bëjmë thirrje KSHZ-së, ashtu siç e ka shkaktuar këtë tollovi, ashtu edhe ta marrë përsipër detyrimin e identifikimit dhe kontaktit të këtyre qytetareve, të cilët pa asnjë kriter i ka futur në listën e votuesve të kontestuar”, thonë nga Qendra për Demokraci dhe Zhvillim dhe Instituti për Hulumtimin e Politikave dhe Qeverisjes së mirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button