Një terrorist plot mllef

Akti terrorist në Mynih nuk ishte njëlloj krejtësisht si aktet e tjera të tmerrshme, të cilat më shumë kryhen nga ana e ISIS-it. Edhe pse akti në fjalë nuk është kryer nga ISIS, gjithsesi mbetet terrorist. Ky akt shënjon edhe faktin se viktima të terrorizmit mund të jenë edhe shqiptarët. Gjithashtu, në këta akt, tri shtetas të Kosovës, mbetën të vrarë nga dora e Ali Sonboly. Djaloshi, me kaq sa u raportua, nuk kishte lidhje me ISIS-in apo me organizatë terroriste, por ishte frymëzuar nga vrasësi i tmerrshëm i Norvegjisë, Anders Breivik. Por, “frymëzim” për djaloshin përbënte edhe një monstër si Adolf Hitleri. Tjetër fakt ishte se Aliut i bëheshin keqtrajtime në shkollë. Sipas fqinjëve, ai ishte një djalë i urtë dhe i qetë që kurrë nuk të shkonte mendja se do të kryente vrasje. Ai ishte i frustruar. Nuk kishte as miq dhe as shokë. Atij iu gjet edhe libri “Pse studentët vrasin”, shkruar nga një akademik amerikan. Por le ta shyrtojmë pak rastin, në rreshtat e mëposhtëm.
 
Ali Sonboly, djali i poshtëruar
 
18-vjeçari gjermano-iranian Ali Sonboly, nuk e kishte marrë më kot të lexonte librin “Pse studentët vrasin”. Ai përpara kësaj, me siguri që është ndjerë keq dhe i frustruar. Duke qenë në gjendje depresive, Sonboly ka gjetur një manual për të vrarë personat që e kishin poshtëruar në shkollë. Por a është kjo e drejtë? Absolutisht jo. Librat policorë ose me vrasje e ekzekutime, nuk lexohen që t’i kopjojmë, por thjesht në to dëftohen histori, sesi të mos veprojmë. Si kryelibër ku dëftohen vrasje, është vetë libri i Hitlerit “Main Khapf”. Libri i shkruar nga diktatori nazist nuk lexohet për të mësuar nga çfarë shkruhet aty, por thjesht për të hyrë për kuriozitet brenda një mendjeje vrastare. Shkurt, librat që propagandojnë vrasjen, dhunën apo përdhunën, thjesht lexohen për t’i ditur si histori, por asnjëherë për të pasur shembuj të tillë. Nuk e përligj vrasjen e tmerrin as mllefi që kemi përbrenda ndaj çdokujt.
 
5 vjet pas masakrës së Breivikut
Masakra në Mynih nga 18-vjeçari Ali Sonboly ka ndodhur fiks 5 vjet pas masakrës në Norvegji, ku Anders Breiviku vrau 77 persona. Tjetër lidhje është se Sonboly kishte fotografi të Breivikut çka flet për “frymëzim” të djaloshit nga monstra norvegjeze. Djaloshi gjermano-iranian sërish ka gabuar. Në vend se thjesht ta dinte historinë e Breivikut e ta injoronte, ai ka përthithur propagandën e zezë naziste të tij. Djali, ndoshta nga mosha dhe nga frustimi njëkohësisht, propagandën e zezë e ka ngrënë si djathë me bukë. Kjo sepse me siguri Sonboly ka qenë shumë frikacak. Kjo, pasi ai pas masakrës, ka kryer vetëvrasje. Sonboly, që për nga origjina ka qenë edhe gjermano-iranian në vend se të mbillte paqen mes etnive të ndryshme (sepse paqja vjen pikërisht prej fëmijëve që janë për shembull izraelito-palestinez, serbo-shqiptar, serbo-kroat, austriako-italian) ai ka përqafuar vrasjet, tmerrin e nazizmin. Kjo flet për faktin se te Sonboly ka pasur shumë frustrim.
 
Aktet terroriste, nga njerëz të ligë
 
Aktet terroriste që i kemi dëgjuar në televizion ose i kemi lexuar në gazeta duket se kanë diçka të përbashkët dhe kjo është se kryhen nga njerëz të ligë. Pra janë njerëz të frustruar, manipuluar ose të poshtëruar disi. Ata janë të gjithë të ligë. Sado ta poshtërosh njeriun,  sado të përpiqesh ta ulësh, sot në kohën e individualizmit, ekziston mundësia e injorimit total të tjetrit. Andaj, kjo anë është vetëm pretekst. Nëse prekesh ose cënohesh, denonco dhe ka ligje që e dënojnë atë që të kërcënon ose të kanos. Por aktet terroriste kryhen vetëm nga terroristë, çfarë do qofshin këta, për nga përkatësia etnike apo fetare. Akti terrorist nuk legjitimohet kurrsesi.
 
Në rrezik, Evropa dhe Lindja e Mesme
 
Organizata terroriste më e rrezikshme sot në botë ISIS-i nuk godet vetëm Evropën. Bëhet fjalë për një organizatë, e ngjashme me partitë naziste në mbarë botën, në Luftën e Dytë Botërore, përpara se Aleatët tiu jepnin grushtin e merituar. ISIS nuk po terrorizon vetëm kombet evropiane si gjermanët, francezët ose italianët. ISIS e mori përsipër edhe masakrën që ndodhi në Afganistan, ku u vranë mbi 85 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Këta ishin një fis i persekutuar afgan, që kishte dalë të protestojë për të drejta të barabarta e qytetare. Imagjinoni sikur një sulm i tillë, me mbi 80 viktima, të ndodhte në Evropë. Do të ishte një tmerr i madh. Bombat e ISIS-it vrasin njëlloj. Këto bomba vrasin kombet evropiane, kombin amerikan, por edhe mbarë kombet e Lindjes së Mesme, njerëzit më të varfër e më të persekutuar. Jemi të gjithë të rrezikuar. Jemi të gjithë në luftë. ISIS është nazizmi i ri që nuk duhet të ngrejë krye. Rezistenca është e nevojshme deri në eliminimin e organizatës famëkeqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button