Akrapoviq e Hasani: Përqendrim për sukses të Shkëndijës

Derisa futbollistët e Shkëndijës përgatisin stërvitjen e fundit para duelit të rrethit të tretë të ndeshjeve kualifikuese për Ligën e Evropës, në konferencë për shtyp ka folur trajneri Bruno Akrapoviq dhe kapiteni Ferhan Hasani, në vigjilje të ndeshjes kundër ekipit Mlada Boleslav.

Te Shkëndija janë të vetëdijshëm se në raundin e tretë kanë të bëjnë me një kundërshtarë shumë më të fortë se Krakovia dhe Neftçi, ndërsa epërsinë e mysafirëve e shofin në faktin se ata do të luajën ndeshjen e parë, pasi që çekët janë kualifikuar direkt në raundin e tretë.

“Ndeshja me Mllada Bolesllav do të jetë shumë e vështirë. E kemi analizuar kundërshtarin, do ta kemi vështirë për faktin se ata janë kualifikuar direkt në raundin e tretë. Ky është kundërshtari më i vështirë për në. Duhet të futemi në ndeshje të koncentruar, kjo do të jetë kyçe për ne. Gjithçka që futbollistët kanë treguar gjatë stërvitjeve, duhet ta bëjnë të njëjtën edhe në ndeshje. Mendoj se mundemi ta fitojmë edhe këtë ndeshje”, ka thënë trajneri Bruno Akrapoviq.

Pamje nga konferenca për Shtyp
Pamje nga konferenca për Shtyp

Kapiteni i skuadrës kuqezi Ferhan Hasani bëri apel dhe ftesë deri te tifozët që të jenë në numër sa më të madh në këtë ndeshje dhe të anojnë në mënyrë korrekte duke krijuar atmosferë të mirë që do të ndihmonte ekipin për ta fituar këtë përballje.

“Jemi të kënaqur që takohemi përsëri në këtë konferencë për shtyp. Edhe më tej jemi pjesë e garave evropiane por mendoj se kemi mundësi të mbesim edhe më gjatë. Ndeshja ndaj Mllada Bolesllav do të jetë mjaft e vështirë, luajmë kundër një ekipe të fortë, por mendoj se mundemi ti kalojmë. I kemi analizuar mjaft dhe kemi mësuar shumë për ta. Shpresoj në rezultat të mirë, por që të arrijmë deri aty duhet ti zbatojmë urdhrat e shefit të stafit teknik. I ftoj të gjithë tifozët që të vijnë në numër sa më të madh, mbështetja e tyre ka shumë peshë për ne, por duke u bërë apel që të anojnë në mënyrë korrekte”, ka thënë kapiteni Hasani.

Ndeshja Shkëndija – Mllada Bolesllav luhet në kuadër të xhiros së tretë të kualifikimeve të Ligës së Evropës. Dueli luhet të enjten me fillim në orën 20:00 në stadiumin “Filipi i Dytë”. /Portalb.mk/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button