Wikileaks zbulon 20.000 e-maila të partisë demokrate: partia ka sabotuar Sandersin!

Uikiliks godet partinë demokrate. Të premten në mbrëmje, paralelisht me ngjarjet në Minhen dhe emërimit të Tim Kejn si kandidat demokrat për nënkryetar, sajti Uikiliks ka lëshuar në qarkullim 20.000 e-maila nga serverët e Komitetit Kombëtar Demokrat. E-mailat janë komunikime ndërmjet shtatë anëtarëve të këtij Komisioni, duke përfshirë edhe kryetaren Debi Uaserman Shulc. E-mailat tregojnë për tentimet e kreut të këtij komisioni për të sabotuar kandidaturën e Berni Sandersit brenda partisë, për të siguruar fitoren e Klintonit.

Kush është Komiteti Demokrat Kombëtar. Në politikën amerikane nuk ekzistojnë parti të mirëfillta në kuptimin europian të fjalës. Në esencë secili politikan atje është parti në vete, me qëndrime të veta, ndërsa përkatësia në njërën apo tjetrën parti është fluide dhe përcaktohet nga shkalla e afërsisë së qëndrimeve me politikanët tjerë të asaj partie.

Megjithatë të dy partitë kanë të ashtuquajtura Komitete. Komitetet kryesisht funksionojnë për të caktuar rregullat brenda partive, për të organizuar zgjedhjet dhe konventën dhe për të ndihmuar kandidatët e partisë në gara kundër partisë tjetër. Mirëpo pikërisht gjatë zgjedhjeve brendapartiake ata kanë rëndësinë më të madhe. Në princip ata duhet të qëndrojnë neutralë në garat brendapartiake dhe të merren vetëm me çështjet teknike të organizimit të zgjedhjeve, pa u përzier në rrafshin politik.

Këtë rradhë komiteti demokrat ka hasur në mospajtime të mëdha, kryesisht sepse Berni Sanders akuzonte kreun e komiteti Debi Uaserman Shulc se mban anën e Klintonit. Me publikimin e këtyre emailave del se Sanders vërtetë ka patur të drejtë; Shulc ka mbajtur anën e Klintonit dhe ka sabotuar Berni Sandersin.

 

Çfarë përmbajnë emailat. I gjithë komunikimi i zbuluar ka të bëjë me mënyrën si është sabotuar Sandersi dhe si Komiteti me çdo kusht ka mbrojtur dhe ndihmuar Klintonin. Ja disa nga emailat më interesantë dhe më të rëndësishëm:

Komiteti trillon probleme në Nevada. Pas votimeve në Nevada u raportua se përkrahësit e Sandersit kanë bërë probleme nga pakënaqësia me rezultatin. Madje flitej se kishte patur përleshje fizike. Uikiliks zbardh se ngjarja ka qenë e trilluar nga partia, për të paraqitur Sandersin si të frustruar dhe problematik.

Komiteti etiketon Sandersin në baza fetare. Para votimeve në Kentaki dhe Virxhininë Perëndimore stafi demokrat bisedon nëse është mirë që të potencojnë faktin se Sanders është hebre, ndërsa me bindje është ateist. Sipas tyre kjo mund të ndihmojë Klintonin në këto vende konzervative.

Klinton nuk don të dihen lidhjet e saj me bankat. Stafi diskuton për mënyrën si duhet të përgjigjen ndaj akuzave të Sandersit se Klinton ka lidhje të ngushta me bankat. Ata rrëfejnë se Klinton nuk don të dihen këto lidhje, posaçërisht me bankën Goldman Saks, madje se ajo preferon që “njerëzit të mbesin injorantë në këtë çështje”.

Janë paguar njerëz për të sulmuar Sandersin onlajn. Zbardhet se një SuperPAC pro-Klintonit ka paguar të rinj që të sulmojnë Sandersin onlajn.

Lidhje të ngushta me gazetarët. Stafi ka patur lidhje të ngushta me gazetarë të mediumeve të ndryshme, me të cilët është koordinuar që të trajtonë më mirë Klintonin dhe Komitetin dhe të sulmojnë më tepër Sandersin. Posaçërsisht të implikuar janë gazetarë nga televizioni MSNBC dhe nga portali Politico.

Mediat bojkotojnë lajmin. Pjesa më e madhe e mediumeve në SHBA nuk kanë përmendur fare zbulimin e emailave. Një pjesë tjetër e kanë përmendur thuajse kalimthi. Është për t’u habitur që rastin nuk e kanë shfrytëzuar as mediat e njohura pro-republikane si Foks Njuz. Natyrisht një arsye e volitshme ka qenë preokupimi me ngjarjet në Minhen. Lajmi më tepër është përhapur në rrjetet sociale, kryesisht Tuiter.

Pasojat. Pas zbulimit të emailave menjëherë vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e konventën demokrate, që mbahet javën e ardhshme në Filadelfi. Në konventë demokratët duhet të dëshmonin unitet, sidomos pas mbështetjes që i kishte dhënë Klintonit edhe vetë Sandersi. E githë kjo tani vihet në pikëpyetje, sepse një pjesë e madhe e delegatëve në konventë janë delegatë të Sandersit.

Më tutje emailat mund të bëhen armë e fortë në duart e republikanëve për zgjedhjet e përgjithshme. Këtë sidomos do t’a shfrytëzojë vetë Trampi, i cili në strategjinë e vet ka edhe tërheqjen e votave të Sandersit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP