KUR UJKU KËRKON MJEGULL

Është një kohë e rëndë, kohë trazirash e pasigurish, kohë kur ujku kërkon mjegull, kurse ne të gjithë jemi në pozitën viktimave të mundshme, individualisht ose kolektivisht. Për çfarë të shkruhet në këtë kohë, kur shumica e atyre që duhet të flasin e kanë zgjedhur heshtjen dhe çdo gjë, madje edhe fatin e fëmijëve e kanë lënë në duart e zotit. Lajmet na bombardojnë orë e cast për krime të llojeve të ndryshme që nga vjedhjet nëpër fshatra, nëpër lagjet e qyteteve e deri te vrasjet dhe krimet e mëdha ekonomike thuajse në tërë hapësirën etnike shqiptare. Orë e çast u ndërrohen emocionet njerëzve të ndershëm, jo vetëm për këto krime që ndodhin te ne, por edhe për çmendurinë që ka përfshirë mbarë rruzullin tokësor. Ne jemi të dëshpëruar, të frikësuar, të pashpresë kur po e shohim gjithë këtë skenë të madhe të luftrave e të krimit dhe paaftësinë e lidervëve të urtë që t’u dalin përpara politikanëve mesatarë të rrugës së lagjes që arrijnë ta uzurpojnë kolltukun  dhe, pastaj, në nivele të ndryshme të pushtetit të aktrojnë hitlerë të vegjël në hapësira rajonale dhe hitlerë të mëdhenj në hapësrën globale.

Realiteti i këtillë bëri që njerëzit gjithandej të politizohen, gjithandej të mblidhen nëpër kafene te lagjeve ose tëë fshatit, nëpër parqe ku ulen në bankat për pushim dhe duke lozur shah, letra ose domino e tjerrin hollë-hollë politikën… Konstatimi më i shpeshtë është se jetojmë në padrejtësi, se racizmi po i nxjerr dhëmbët e tij të tmerrshëm, se çdo ditë dëgjojmë për sulme të çmendura terroriste ku jetën e humbin njerëzit e pafajshëm. Keq është në tërë Mesdheun dhe në tërë kontinentin tonë. Jeta jonë tash për tash na e tregon vetëm një shteg: të iket nga ky rajon i Mesdheut, i cili me mileniume nuk e ka ndërmend të qetësohet, me miliniume nuk e ka ndërmend ta shtrijë në hapësirën e vet qilimin e paqes dhe ta shtrijë edhe dorën e miqësisë për të tjerët, me dallime kulturore e fetare. Kështu mendojnë njerëzit e thjeshtë, njerëzit që mezi e sigurojnë koren e bukës dhe shpresojnë se fjala e tyre do të arrijë në veshin e atyre që vendosin.
Ky është mesazhi human, ky është mesazhi i arsyes që vjen nga burimi. Fatkeqësisht ky zë nuk e kalon pragun e kafenesë së fshatit ose të lagjes, nuk i kalon kufitjë e parkut, nuk e kalon pragun e shtëpive ku është strehuar frika. Po zëri atyre asnjëherë nuk arrin në veshin e pushtetarëve. Ndodh e kundërta:  këta njerëz, njerëzit e thjeshtë,  si dalin nga rrethi i kafenesë, nga parku, nga shtëpitë e tyre, si dalin në rrugë, i kaplon flaka e transit, të cilin, zakonisht, e ndez fjala e vozhdit, ose e atyre njerëzve që kanë mundësi të mëdha vendimmarrjeje. Dhe, kjo fjalë e paarsyeshme, e egër, promovon të ashtuquajturën demokraci të rrugës, ku në emër të vozhdit turmat e e praktikojnë “ligjin e tyre” që thotë “po të kisha qenë në pushtet unë, unë do t’i kisha varur të gjithë”.  Dhe, politikanët e paarsyeshëm e shfrytëzojnë këtë psikologji për ta ngritur kështjellën e tyre autoritare dhe, pastaj, edhe diktaturiale.

Vegla tjetër që përdoret dhe keqpërdoret nga  vendimarrësit e pandërgjegjshëm dhe lakmiqarë është religjioni. Kjo është e tmerrshme. Pikërisht religjioni është duke u kthyer në skenën politike të kësaj bote, pa na anashkaluar neve fare. Historia dëshmon se përzierja e fesë në punët politike të shteteve ka sjellë tragjeditë më të mëdha njerëzore. Edhe historia e popullit tonë e dëshmon.

Prandaj, së paku te ne, bashkësitë fetare duhet të qëndrojnë larg politikës.  

Në këso kohësh të turbullta një vegël tjetër e fuqishme e pushtetarëve të pandërgjegjshëm janë mediat.

Në shumicën e vendeve të Mesdheut mediat përdoren si armë nga ana e diktatorëve e vozhdëve. Natyrisht edhe te ne.

Duhet të bëhen përpjekje që mediat sa më shumë të çlirohen nga prangat partiake.

Se në situata kur ujku kërkon mjegull, me lëkurë të qengjit vishen shumë vrasës e kriminelë.

Duhet t’i hapim sytë. Le ta përsërisim: realiteti i tashëm është tepër i rëndë, tepër i ndërlikuar dhe tepër i disfavorshëm për ne (po t’i kemi parasysh ngjarjet politike e luftarake në rajonin e Mesdheut dhe të kaluarën tonë gjatë shekullit të njëzet). Pastaj, ne vazhdimisht duhet ta kemi parasysh se jetojmë në Evropë dhe se shumica prej shqiptarëve janë myslimanë. Si të tillë nga të gjitha anët kufizohemi me botën krishtere. Prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ngremë ura miqësie me fqinjët tonë, para se t’i ngremë ato  me Pakistanin a Indonezinë, vende këto që janë aq larg nesh.

Dhe, politikanët e klerikët tonë duhet ta kenë vazhdimisht parasysh faktin se ne jemi evropianë, se jemi pjesë e kulturës evropiane dhe mos të lejojmë që verbëria, injoranca dhe marria ta marrin bajrakun në dorë për të na kthyer kah Azia. Le të kujdesemi, mos të na përsëritet tragjedia e luftërave ballkanike.

Kujdes, se çdo tragjedi të popujve të vegjël, bota e harron për disa ditë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button