E BUKURA

Ekspozita e skulpturave e autorit jashtëserik Xhelil Rufati në Galerinë Nacionale Mala Stanica do të zgjasë dy javë.

Një nga kryengjarjet e artit figurativ në Maqedoni për 2016.

Festë kulturore, mos e leni pa e parë. Bile as pa u nisur në Shkup enkas për ta parë.

…Udhëtimet enkas për ekspozita, edhe sot kur i kujtoj, pavarësisht bukurive tjera gjatë udhës, mbajnë shijen e pikturave para të cilave njeriu qëndron si i shtangur, si në gjysëmëndërr. “Filmi” nis kështu: paraprakisht i sheh apo kërkon në libra dhe faqe tjera arti. Jepesh pas  jetëshkrimeve të piktorëve që janë çelsi për të kuptuar artin e tyre – mënyra si kanë jetuar hedh dritë në mënyrën si e kanë perceptuar botën për ta shkrirë në vepër. Vlen për të gjithë krijuesit: vepra reflekton jetën…

Dhe kur mandej një ditë prej ditësh, pas qindra kilometrash të kaluara, ndodhesh para origjinaleve të tyre, je si frymë dhe pa fjalë. Po, ia vlen çdo kilometër, çdo lekë.

…Ekspozita e piktorit Petar Lubarda në Muzeun e Rinisë.

Kustosja, e cila me të kuptuar arsyen e vizitës sime Beogradit, qëndroi dhe pas orarit të punës, duke u ndalur të dyjat para secilit eksponat dhe duke mos shikuar ajo në asnjë moment se sa ka ikur ora.

Retrospektiva më e madhe e pishtarit të figuracionit abstrakt në Jugosllavi.

Formatet e mëdha dhe energjia e madhe që rrezatonin.

Historia e dhembshme personale: i vetëdënuar të jetojë me një femër që ka qenë për të edhe muzë edhe kobzezë.

Shtëpia e tij e gjysëmrrënuar, rrethuar me drunj të moçëm dhe bimë të egra, aty afër në Dedinje për të cilën kustosja tregonte që do renovohet së shpejti. E shoqja asokohe ishte e sistemuar në çmendinë, thonin se pas vdekjes së Lubardës nuk kishte mundur të jetojë me peshën e fajit dhe kujtimeve, Fëmijë s’kishin.

…ekspozita e Paja Jovanoviç në SANU. Janar 2010. Shkova dhe u ktheva brenda 24 orëve. E paharruar.

Piktori që ka ngërthyer shpesh motive shqiptare në veprat e tij, përfshirë dhe në njërën nga më të njohurat “Lufta e gjelave”. Karma e tij diametralisht e kundërt me Lubardën.

Bir i një fotografi të pasur.

Fëmijëri me të gjitha nazet dhe privilegjet për të zhvilluar dhuntinë.

I shkolluar në Akademinë vieneze të arteve të bukura.

I lidhur pastaj me galeristë botërorë.

Jeton si më mirë nga puna e vet në Vienë, Minhen, Londër…

Udhëton ku ti mteket.

I përkëdheluri i oborrit mbretëror serb…

I lumtur me femrat…

Çka të them më shumë!?

…Ju vetëm rilexoni fillimin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button